“Politika shqiptare ka varësi të paparë nga ndërkombëtarët”

51

INTERVISTË/ Zamira Çavo, analiste: ” Rama është një administrator i shkëlqyer dhe një politikan i keq”

Pedagogia dhe analistja e njohur, zonja Zamira Çavo në intervistën për “Telegraf” e analizon aktualitetin politik nën një prizëm sa më real, sa më gjakftohtë dhe kjo ndihmon që të kuptojmë çfarë  dhe si duhet të kërkojmë rrugët, për të mirën e përbashkët, që të mbërrijmë te qëllimi i ynë, integrimi në Europë. Integrimi në Europë, nuk është marrja e një statusi kandidat, por, kërkohet pjekuria dhe qasja e mendësisë, edukatës dhe kulturës sonë demokratike sa më pranë asaj europiane.

 – Zonja Çavo, karakteristikë kryesore në ecurinë e realizimit të reformave të 12 prioriteteve është kohëzvarritja, dhe pastaj, në momentin e fundit, ngutja për të votuar ç’të jetë, për të mos marrë përgjegjësinë e bllokimit. Kujt qëllimi politik i shërben kjo parapolitikë?

–  Politika shqiptare vuan nga diletantizmi.  Asnjëherë politika shqiptare nuk ka arritur të sillet si një politikë profesionale bashkëkohore. Në 100 vjet shtet, ky diletantizëm na ka lënë këtu ku jemi. Pra me këtë dua të them se, politika shqiptare karakterizohet nga disa tipare si: dembelizimi, fodullëku dhe kokëfortësia në veprime pa strategji, klanizmi dhe bajraktarizmi politik. Modeli i minutës së fundit, është modeli i gjithë politikës së dështuar shqiptare. Nuk është vetëm momenti që thoni ju i tillë. Është e gjithë politika shqiptare, e cila në momentin e fundit ka marrë vendime madhore, të cilat është dashur ti rishikojë sërish, për shkak të marzhit të madh të gabimit dhe kështu sërish, rrethi riciklohet pa asnjë rrugëzgjidhje. Në këto 22 vjet ,ne vetëm kemi xhiruar në vend duke i hapur gropën vetes. Ja pse edhe këtë radhë nuk habitem  dhe nuk mendoj se ndonjëra nga forcat politike ka ndonjë qëllim të qartë. Jo, ato vetëm xhirojnë duke u munduar që fajin t’ja kalojnë njëra- tjetrës.

– Derisa PD-PS bënë gjithë këtë debat për imunitetin, si një ndër 12 prioritetet dhe tashmë ministri i Jashtëm Panariti deklaron që Imuniteti nuk është prioritet i BE-së për statusin kandidat, kujt i shërbeu gjithë ky debat shterpë?

Këtu mendoj se ka dy qajse: e para ka të bëjë me frikën e përgjithshme që duhet të ketë një vend, nga një pushtet autoritar, i cili ka në dorë gjyqësorin, prokurorinë dhe  qeverinë. Ajo që e ndjen më shumë “frikën”, është padyshim opozita e zgjedhur, e cila guxon  të flasë kundër “njëshit” sepse ka imunitet. Qasja e dytë është realiteti shqiptar. Opozita shqiptare nuk bën përjashtim nga diletantizmi. Ajo është dembele, klanore dhe sigurisht e pastrategji. Opozita nuk ka asnjë strategji që ta realizojë një bllokim real të autoritarizmit dhe me  zhurmën që ka bërë , ka treguar edhe njëherë paaftësinë e saj, sepse do ta votojë patjetër heqjen e imunitetit! Por kjo as e afron e as e largon Shqipërinë nga BE. Ministri i Jashtëm  këtë na e bën të qartë ,sepse kërkon të justifikojë qeverinë , “nesër,” kur BE-ja do të na e refuzojë statusin sërish. Ai nuk  kundërshton  z.Berisha, përkundrazi ia bën më të lehtë justifikimin e nesërm. Opozita do të votojë imunitetin dhe statusi sërish nuk merret.

– Ka një mendim ndryshe. Që PD-PS i mëshojnë imunitetit si prioritet, meqë nuk u intereson të trajtohet korrupsioni, pasi Imuniteti është pasoja. Cilin mendim keni?

Jo nuk ndaj këtë mendim. Që korrupsioni ka kapur majat e politikës, kjo nuk do asnjë  argument, sepse gjen me qindra të tillë. Dhe që korrupsionin e bën ai që është në pushtet dhe kjo nuk ka nevojë për diskutim. Qoftë PD, qoftë PS, kanë  zhvilluar  politika qeverisëse që kanë ushqyer korrupsionin. Por debati mbi imunitetit është debat tipik diletant, ballkanas dhe që nuk tregon gjë tjetër veçse qerthullin e politikës shqiptare.

– Thuhet se PS-së nuk i intereson edhe kaq shumë marrja e statusit, ngaqë kjo do të përbëjë kapital politik për PD-në në fushatën elektorale, por edhe PD-së nuk i intereson, pasi një Shqipëri në BE do të jetë nën mbikëqyrje më të rreptë. Ka vërtetësi?

Që të dyja forcave nuk u intereson statusi kjo është e dukshme sepse kanë punuar ,ndoshta “pavetëdije”, kundër tij. Por ama për një gjë jam e sigurt: Shqipëria do ta marrë statusin edhe pa këta politikanë! Ndoshta shumë shpejt. Gjeopolitika e dikton këtë nevojë për Europën. Ashtu si e diktoi dhe për hyrjen në NATO.  Ka shumë pak shqiptarë, që besojnë se hyrja në NATO është meritë e Berishës….

–  Vasaliteti i shkallës absolute të politikës tonë ndaj faktorit ndërkombëtar, çdo të thotë? Përkushtimin e madh politik për integrim?

E gjithë politika shqiptare ka një varësi të paparë nga faktori ndërkombëtar. Më gjeni një vend të botës ku ambasadori amerikan të sillet si “Kryeministër”?

– A ka ardhur momenti politik që elektorati shqiptar të votojë për zgjidhje më të mirë dhe jo për zgjedhjen më të mirë personale?

Koha ka kaluar. Jemi shumë vonë. Dhe kjo vonesë do të vazhdojë sa kohë që nuk kemi elita të reja politike dhe sa kohë që populli nuk arrin të kuptojë se çfarë fuqie ka në dorë! Për aq kohë sa të ndodhë kjo, ne do të vazhdojmë të udhëhiqemi nga maskarenjtë!

 – Mendoni që PS-ja si opozitë ka një program që të fitojë  besueshmërinë e një alternative të ndryshimit, apo më shumë mbështetet në politikën ” kundër”?

– Politika shqiptare përpiqet të tregohet makiaveliste, por nuk arrin. Ideja se duhet larguar me patjetër Berisha, është shndërruar në një sindromë të politikës opozitare e cila me siguri do të “paguajë ” haraçin e kësaj sindrome. Sërish është një politikë diletante. Që Berisha duhet të largohet një orë ë më parë, kjo s’ka lidhje me faktin që në fuqi duhet të vijë PS-ja, por që në fuqi të vijë një forcë e cila të ketë program real, konkret dhe besueshmëri reale që modeli i qeverisjes do të ndryshojë. Vetëm kështu mund të fitohen vota. Unë besoj se numrat vlejnë në politikë, por besoj edhe më shumë që numrat shtohen me besueshmëri dhe jo me arnime.

 – Meqë  disa forca të reja politike i kritikojnë si maxhorancën dhe opozitën për bashkëfajësi të barabartë,  mos vallë përpara elektoratit, dashur padashur kultivojnë idenë e zgjedhjes të së  keqes më të vogël?

Fatkeqësisht mendoj se shqiptarët ende nuk janë gati të vlerësojnë vetveten. Jemi një popull pa tradita demokratike dhe historia na ka vënë në “rresht” para”kapedanëve”. Pra nuk kam ndonjë shpresë tek forcat e reja politike. Sigurisht që do të këtë pak rrjedhje nga partitë klasike, por sërish do të mbeten në shifrat e zakonshme, për aq kohë sa 2 partitë nuk shpalosin strategjitë e tyre elektorale.

– Faleminderit!