“Politika shqiptare është servile ndaj Athinës”

735
Sigal

INTERVISTA/ Prof. Dr. Lisen Bashkurti Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i AK: “Misioni i OSBE/ODIHR-it në Shqipëri është përballë alternativës “fix it or leave!”

Zoti Bashkurti, raporti i OSBE-s për ecurinë e prioriteteve të statusit kandidat, ishte i pritshëm (në kuptimin kaq kritik) për politikën tonë?

– Nuk ka asnjë dyshim që ishte i pritshëm. Madje, në Shqipëri, kohët e fundit nuk kanë munguar zërat kritik kundër Misionit të OSBE/ODIHR, për një lloj bashkë-përgjegjësie për atë që po ndodh politikisht në vend. Unë vetë kam qënë shpesh herë përfaqësues i OSBE-ODIHR në disa vende të Rajonit dhe Evropës, por askund nuk kam konstatuar manipulim më të hapur dhe të përsëritur të votave si në Shqipëri. Misioni i OSBE/ODIHR-it në Shqipëri është përballë alternativës “fix it or leave! Çka do të thotë garantoni proces zgjedhor të lirë e të ndershëm ose ikni fare!

– Një nga pikat më të kritikueshme është komisioni hetimor i parlamentit lidhur me çështjen e  veprimtaritë e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zotit Spahiu, ku thuhet në raport “u  ngrit me rezultat të paracaktuar, duke i tejkaluar kështu kompetencat që u jep Kushtetua, parlamentit.” Komenti juaj?

– Është plotësisht e saktë që parlamenti ka shkelur me dy këmbët në tërë “sipërmarrjen groteske” që ndërmori kundër ish-Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu. Kritikat ndaj tij, që gradualisht u shndërruan në një “furtunë në gotë”, filluan nga kjo maxhorancë, atëherë kur z. Spahiu i’u kundërvu haptazi publikisht veprimeve të anti-ligjshme të qeverisë, në cenim të parimeve kushtetuese të vënit tonë dhe të interesave kombëtare.

– Ndër të tjera, në raportin e OSBE-së thuhet, “ndryshimi i ministrave të partisë së dytë të koalicionit, përfshirë pozicionin e Ministrit të Jashtëm, gjatë kohës së kryesimit të një organizate ndërkombëtare, erdhi mjaft papritur”. Kjo kritikë e drejtpërdrejtë çfarë domethënie negative ka për politikën tonë?

– Unë mendoj se, ndryshimet që bëhen herë pas here në kabinetin qeveritar në Shqipëri nuk kanë për pikënisje përmirësimin e qeverisjes së vendit. Synimi për mirë-qeverisje është harruar prej vitesh nga kjo maxhorancë. Vendet dhe emrat e ministrave, me përjashtim të disave historikisht të pandryshueshëm, bëhet për çdo lloj arsye, por në asnjë rast për përmirësimin e qeverisjes. Kjo gjendje po e rrëshqet situatën drejt greminës.

– Në këtë raport fokusohen edhe çështja e Gërdecit, 21 janarit dhe Gjyqi i Metës. Keni mendimin që këto çështje janë mbyllur nga ana e drejtësisë shqiptare, edhe pse janë kaq të kritikueshme për vendimmarrjen e tyre?

– Në demokraci krimi nuk thinjet. Në demokraci padrejtësia nuk fshihet. Në demokraci gabimi nuk mbulohet. Por, në demokraci çdo aspekt i mungesë së drejtësisë mund të vonohet. Gabojnë rëndë të gjithë ata që mendojnë se koha në demokraci punon në favor të së keqes. Në demokraci, liria punon vetëm në favor të së mirës, të së drejtës, të moralshmes dhe të arsyeshmes. Çdo përpjekje për të mbyllur padrejtësisht problemet e kaluara, do të përballet me probleme akoma më të mëdha në të ardhmen. Fshehja e krimit të çdo lloji është po aq e dënueshme sa vetë kryerja krimit. Të gjithë jemi përpara provës së lirisë e demokracisë.

– Shumë përfaqësues të trupit diplomatik shqiptar nëpër botë, edhe pse i kanë kapërcyer kufijtë kohorë të mandatit të tyre, vazhdojnë të qëndrojnë në ato poste. Kjo përbën shkelje?

– Në Shqipëri nuk respektohet asnjë ligj, normë e rregull lidhur me pozicionet e larta në administratën publike, duke përfshirë edhe ato në sektorin e diplomacisë. Në fushën e të drejtës ndërkombëtare, ka dy konventa, një diplomatike dhe një konsullore, sikundër kemi edhe të drejtën e brendshme, që rregullon sistemin e statusit të diplomatit në përputhje me këto konventa dhe me specifikat tona kombëtare. Maxhoranca aktuale e ka dëmtuar rëndë sistemin tonë diplomatik. Çdo gjashtë muaj, apo një vit hyjnë e dalin ministra të jashtëm në atë dikaster. Secili, gjithnjë e më shumë jashtë fushës së dijes, kulturës apo eksperiencës relevante në atë sektor. Vegjetacioni, parazitizmi, diletantizmi dhe papërgjegjshmëria kanë prevaluar mbi postin e rolin e shenjtë që ka diplomati në sektorin publik të çdo shteti.

– Edhe pse janë realizuar disa reforma, prapëseprapë, vlerësimi se, “përsa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët”. Sipas jush, ku mund t’i kërkojmë shkaqet e përparimit të pakët?

– Në tranzicionin shqiptar ligji bëhet për t’u shkelur, jo për t’u respektuar. Në tranzicionin shqiptar respekti ndaj ligjit është detyrim vetëm për njerëzit pa pushtet. Në tranzicionin shqiptar ka një mal me ligje që i kundërvihen njëri-tjetrit, përplasen me njëri-tjetrin dhe vendosen mbi njëri-tjetrin. Në tranzicionin shqiptar ka fusha të tëra ku ka vakuum të plotë ligjor. Ndërkohë, institucionet e drejtësisë në Shqipëri, prej dekadash janë bërë objekt “gjahu shtrigash” nga politika. Në Shqipëri gjatë dy dekadave kemi pasur lojtarë politikë të fortë e të dobët, por nuk kemi pasur statistë të shquar e të përgjegjshëm për ndërtimin e funksionimin e shtetit të së drejtës. Ndryshimi midis lojtarëve politikë e statistëve qëndron si në vijim: politikanët mendojnë me legjislatura dhe për elektorat, statistët mendojnë për dekada dhe për gjeneratat që vijnë. Qendra gravitacionale e së keqes për aspektin e shtetit ligjor qëndron aktualisht në parlamentin shqiptar. Si institucioni ligj-bërës, institucion zgjedhës i organeve kushtetuese dhe të drejtësisë dhe si institucion mbikëqyrës e kontrollues i çdo sektori jetik të vendit, Parlamenti shqiptar është përgjegjësi kryesor i gjendjes së mos funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Nuk besoj të ketë në Evropë parlament, parlamentarë e drejtues parlamenti më diletantë e të papërgjegjshëm se në Shqipëri. Parlamenti ynë është modeli i anti-ligjit.  Parlamentari ynë është modeli i njeriut të shkëputur nga interesat kombëtare e publike. Drejtuesit e parlamentit tonë janë çdo lloj dije, formimi, eksperience dhe përgjegjshmërie për rolin e vendin që ka Parlamenti dhe parlamentarizmi pluralist në sistemin e demokracisë, ku sundon rendi e ligji.

  – Ndërsa AK-ja po përgatit dosje penale ndaj qeveritarëve të korruptuar, me këtë gjyqësor, ku siç theksohet edhe në raportin e OSBE-së “pavarësia dhe paanshmëria e gjykatave mbetet në nivele të ulëta”, mund të ndikojë në luftën kundër korrupsionit?

– Çdo aktor e faktor politik e qytetar nevojitet të marrë përgjegjësi për daljen e Shqipërisë nga gjendja, ku rendi e ligji janë dominuar nga krimi, korrupsioni, trafiqet e paligjshme dhe mos funksionimi i pavarur i sistemit të drejtësisë. Aleanca Kuq e Zi është aktualisht e vetmja opozitë aktive, konstruktive dhe vizionare për t’i dhënë fund tranzicionit dhe për të filluar një faqe të re në historinë e kombit dhe të demokracisë në Shqipëri. Me këtë strategji, AK-ja synon që kulturën e mos ndëshkimit ta shndërrojë në kulturë ndëshkimi, ose më saktë në kulturë për respektimin e ligjit, drejtësisht dhe për të gjithë. Realisht, AK-ja po shndërron në dosje aktet kriminale e korruptive të qeveritarëve që kanë shkelur rendin e ligjin në Shqipëri.  AK-ja e ka nisur këtë aksion dhe do ta vazhdojë derisa krimi e korrupsioni në Shqipëri të përballet me një drejtësi të ndershme e të pavarur. Por, lisi nuk prehet me një të rënë dhe krimi e korrupsioni nuk fshihen nga një forcë e vetme politike dhe menjëherë. Për këtë AK-ja është e vetëdijshme dhe e përgjegjshme. Lufta ndaj krimit e korrupsionit është sfidë e mbarë politikës, drejtësisë dhe shoqërisë shqiptare. Ajo, që nuk është kryer, ose është kryer keq për më se dy dekada, nuk bëhet ose nuk ndreqet menjëherë. Aleanca Kuq e Zi, ndryshe nga gjithë spektri politik shqiptar, po punon qysh sot në opozitë, për ndëshkimin e gjithë atyre që kanë shkelur rendin e ligjin, pavarësisht nga koha dhe nga pozitat politike, shtetërore e publike që kanë pasur. Për Aleancën Kuq e Zi nuk ka doktrinë kombëtare moderne pa shtet të së drejtës, sundim të rendit e ligjit. Kombi e demokracia ekzistojnë së bashku në sistemin demokratik. Kombi pa demokraci shndërrohet në burg për qytetarët. Demokracia pa Kombin, shndërrohet në një retorikë boshe.

– Qëndrimin e ministrit të Jashtëm të Greqisë, kur deklaroi në Parlamentin grek, se “qeveria shqiptare duhet të zbatojë marrëveshjen e arritur”, a mund ta lidhim me ndonjë peng politik, që ata kanë qeverinë shqiptare, ku mund të kenë detaje që  nuk është zbardhur publikisht?

– Aleanca Kuq e Zi nga burimet e saj  thotë se, në agjendën e kryeministrave Berisha-Samaras do ri-vihet marrëveshja shqiptaro-greke për delimitimin e kufirit detar midis dy vendeve. Kjo, me kërkesë të Kryeministrit Samaras, i cili insiston që të hyjë në fuqi marrëveshja e firmosur nga dy qeveritë, e cila u hodh poshtë nga Gjykatat Kushtetuese së Republikës së Shqipërisë, si një akt në kundërshtim me interesat tona kombëtare.  Ne e kemi bërë publik qëndrimin dhe veprimin tonë, si dhe i kemi kërkuar Kryeministrit Berisha që do të mos cenojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe të mos përsërisë për herë të dytë të njëjtin akt antikombëtar, sepse do të përballet me reagimin e fuqishëm të mbarë opinionit kombëtar shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në diasporë, madje edhe brenda në Greqi. Askush nuk mund të cenojë një pëllëmbë det, tokë e qiell të vendit tonë, sepse janë pronë e shenjtë e Kombit Shqiptar. Aleanca Kuq e Zi, gjithashtu, i kërkuar zotit Berisha të bëjë bisedime të hapura e jo të fshehta, bisedime publike dhe jo konspirative dhe të formalizojë tekstin e bisedimeve për t’ia bërë me transparencë opinionit publik shqiptar. Koha e diplomacisë konspirative ka ikur, qysh me sistemin e Versajës. Politika shqiptare, posaçërisht Qeveria e sotme, nuk është aspak transparente në veprimet e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare e sidomos me fqinjët tanë, Greqinë e Serbinë.   Këto ditë, Ministri i Jashtëm Grek, Avramopulos në një interpelancë parlamentare ka theksuar se është i shqetësuar se marrëdhëniet midis dy vëndeve që nuk janë në nivelet e duhura dhe se për këtë kanë ndikuar rritja e tendencave ekstreme nacionaliste në Shqipëri, duke aluduar haptazi për Aleancën Kuq e Zi. Sipas Avramopulos, këto tendenca të shfaqura nga nacionalizmi shqiptar, “kanë hapur pretendime historike dhe kërkojnë të rrëmbejnë një gamë të gjerë interesash të përbashkëta midis dy vendeve”. Me këtë deklaratë shefi i diplomacisë greke ndërhyn në jetën politike të vendit tonë. Aleanca Kuq e Zi ushtron aktivitet politik vetëm brenda kufijve të shtetit shqiptar, ndërkohë kur parlamentarë nazistë grekë, kanë hyrë deri në Himarë dhe bërë propagandë antishqiptare për t’i rrëmbyer bregdetasve shqiptar detin tonë. Aleanca Kuq e Zi është e vendosur për të mobilizuar tërë faktorët nacionalistë shqiptarë deri në flijim për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit tonë detar, tokësor e ajror; ne do të të ngremë me forcë Çshtjen Çame, deri në zgjidhjen e plotë të saj, si çështje historike e dinjitetit kombëtar; do të mbështesim fuqishëm të drejtat e cenuara të emigrantëve shqiptarë që kanë investuar në Greqi më shumë sesa shteti grek në Shqipëri dhe do godasim pa kompromis politikat servile të qeverisë shqiptare kundrejt Athinës. Aleanca Kuq e Zi i njeh mirë plumbat e Serbit dhe djallëzitë e Grekut, sikundër njeh edhe servilizmat e lidershipit politik shqiptar ndaj helenizmit, prandaj do e mbrojë popullin shqiptar nga këto rreziqe të kamufluara në kohët tona me petka “demokratike”.

– Ministri i Jashtëm, zoti Panariti përsëriti që duhet një marrëveshje e re detare me Greqinë, pasi nuk mund të shkelet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Cila do të ishte rrugëzgjidhja?

– Ministri Panariti besoj se, akoma nuk është familjarizuar tërësisht me volumin e dosjeve te punës në zyrën e tij. Nga Bashkia e Tiranës, në krye të diplomacisë, janë vetëm disa kilometra fizikë, por janë mijëra milje profesionalizëm për t’u përvetësuar dhe zbatuar. Natyrisht, z. Panariti thotë një të vërtetë që e dinë të gjithë. Marrëveshja e vjetër është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Dihet, gjithashtu, që delimitimi i shelfit dhe kufirit detar lypet të ri-bëhet nga e para dhe me terma krejtësisht të reja. Unë dëgjova një deklaratë mjerave dhe injorante të drejtuesit të një partie, që merret me të drejtat e njeriut. Ndër të tjera, ai tha se “e drejta ndërkombëtare prevalon mbi të drejtën kombëtare”. Nuk e di ku e ka lexuar ky politikan këtë princip juridik. Ajo që dihet është se e drejta ndërkombëtare prevalon mbi atë kombëtare vetëm dhe vetëm në ato raste kur traktatet ndërkombëtare firmosen nga qeveritë respektive, ratifikohen nga parlamentet e vendeve të tyre, këmbehen notat diplomatike midis palëve përkatëse mbas ratifikimit dhe kur dorëzohen instrumentet juridik në Kombet e Bashkuara. Vetëm mbas këtyre fazave, akti juridik ndërkombëtar bëhet pjesë e së drejtës së brendshme. Lideri i “të drejtave të njeriut” lypet të njohë më mirë të drejtën përgjithësisht dhe atë ndërkombëtare publike, veçanërisht, përpara se të dalë para kamerave. Rrugë zgjidhja për marrëveshjen e re arrihet përmes krijimit të disa  grupeve të punës, sikundër janë: grupi për sigurinë kombëtare, grupi për aspektin juridik ndërkombëtar, bazuar te Konventa e Montego Bay, grupi për çështjet ekonomike  e tregtare, grupi për të drejtat e popullsisë rajonale detare, grupi i konsultimeve me ekspertët dhe miqtë ndërkombëtar si dhe grupi i ekspertëve negociatorë të mirëfilltë, pra i teknicienëve të negocimit.  Këto grupe lypet të përgatisin strategjinë e negocimit, që përfshinë draftin me qëllimin madhor, opsionet dhe prioritetet si dhe taktikën e negocimit me gjithë detajet e saj nga koha, vendi, grupi, rolet e secilit në grup, teknikat e negocimit, stilet, raportet me komunikimin publik dhe konsultimin në proces me ekspertët ndërkombëtar dhe aleatët specifikë që kemi në këtë aspekt.

– Ju faleminderit!

___________________________________________________________________________________

SISTEMIT DIPLOMATIK  I JANË MPIRË SHQISAT NDËRKOMBËTARE

Ka një tallje me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pra, ka një nënvleftësim të patolerueshëm me diplomacinë. Mesa duket, shefi i qeverisë e ka sektor ekskluziv personal diplomacinë, prandaj e konsideron pa kurrfarë rëndësie se kush ulet në postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Maxhoranca jonë nuk respekton statusin ndërkombëtar të diplomatit. Maxhoranca aktuale tek ne shkel me të dy këmbët ligjin për statusin e diplomatit në Shqipëri. Sektori i diplomacisë është bërë si çdo sektor tjetër, ku militantët, partiakët, mediokrit dhe të papërgjegjshmit zënë vendet jo në bazë të kapaciteteve për të kryer punët, por bëjnë punët për të kryer shërbimet e atyre që i emërojnë. Është cenuar rëndë një prej shtyllave kryesore të shtetit, të interesave kombëtare dhe të sigurisë ndërkombëtare. Pasoja e këtyre veprimeve të maxhorancës kundër sektorit të diplomacisë ka dhënë efekte shumë të dëmshme në jetën e vendit. Shtetit shqiptar, me rrënimin e sistemit diplomatik i janë “mpirë shqisat ndërkombëtare”. Lëvizjet sa për “public shou” të titullarëve të Qeverisë, Parlamentit apo të vetë Ministrit të Jashtëm janë lëvizje boshe, përsa kohë nuk paraprihen, nuk shoqërohen dhe nuk kanë follow-up” nga shërbimi diplomatik. Kurrë nuk kemi pasur diplomaci më inefiçente sesa sot.