Politika “ngrohet” në zjarrin e ish-të përndjekurve

588
Sigal

Greva e ish-të përndjekurve/ Tenton të vetëflijohet Gjergj Ndreca. Reagime të politikës dhe ndërkombëtarëve

Dje përjetuam një rast të paprecedent, ndërsa ish-i përndjekuri politik Gjergj Ndreca tentoi vetëvrasjen me zjarrvënie. Ky episod ekstrem si dhe greva 17- ditëshe e urisë e rreth njëzet personave që kanë vuajtur në burgjet e diktaturës, ka bërë të rriten temperaturat politike dhe të hapen diskutime me theks të dukshëm politik. Është vërtet për të ardhur keq që një rast i tillë ndodh pas më shumë se 20 vjetësh pas përmbysjes së diktaturës. Kjo do të thotë se të drejtat e kësaj shtrese nuk janë zgjidhur plotësisht. Por nga ana tjetër duhet thënë se me fatin e të përndjekurve të mos luhet politikisht dhe sidomos ata të mos keqpërdoren paturpësisht nga palët politike. Sepse është fakt se me këtë shtresë është spekuluar në mënyrë të veçantë gjatë dy dekadave të fundit. Deklaratat e djeshme pas gjestit të Ndrecës e përmbanin këtë të vërtetë. Ka një përpjekje të dukshme për ta përdorur fatin e ish të përndjekurve për qëllime politike, thënë ndryshe për vota dhe për pushtet. Pra, politika po ngrohet nga zjarri i ish-të përndjekurve, qoftë edhe kur ata i vënë zjarrin vetes. Kjo nuk është aspak e moralshme. Dhe politika jonë është akuzuar shpesh si e tillë. Është fakt se kjo shtresë ka pasur nevojë për përkrahje, sidomos në fillimet e demokracisë në vend dhe shpresat më të mëdha kjo shtresë i ka pasur tek PD-ja dhe të djathtët, ndaj dhe në mënyrë permanente është rreshtuar thuajse masivisht në këtë krah. Që tashmë ish-të përndjekurit rebelohen ndaja qeverisë së djathtë, do të thotë se nuk janë të kënaqur prej saj, janë të zhgënjyer prej saj. Nuk duhet mohuar fakti se nuk kanë munguar përpjekjet që kjo shtresë të integrohet në shoqëri me të gjitha të drejtat që i takojnë dhe me dinjitet. Por nuk janë të paktë ata ish-të përndjekur që e kanë kuptuar se janë mashtruar nga politika dhe se nuk e kanë marrë atë që meritojnë, ndaj dhe revoltohen, protestojnë, hyjnë në greva. Natyrisht që, në kushtet demokratike duhen shmangura veprimet ekstreme sikurse është vetëflijimi apo veprime të papranueshme për një shoqëri të civilizuar. Gjergj Ndreca nuk është hera e parë që e bën një gjë të tillë. Ai ka hipur mbi vinç, ka hipur në piedestalin e monumentit të Skënderbeut në qendër të Tiranës, ka goditur me grusht deputetët, kur ka parë se problemet e tij dhe të shtresës së tij nuk janë zgjidhur. Por mund të shkohet edhe më tej: nuk janë vetëm ish-të përndjekurit që kanë halle e probleme të pazgjidhura. Janë edhe minatorët, janë edhe ish-ushtarakët që kërkojnë pensione më të larta etj., etj.. Sidoqoftë, është e drejta e gjithsecilit të kërkojë më shumë nga shteti i tij, sidomos kur nuk ndihet i trajtuar denjësisht. Por vetëflijimi nuk është zgjidhja. As mashtrimi i mëtejshëm i politikanëve me premtime boshe dhe as keqpërdorimi. Sepse, kur këta ish-të përndjekur ndihen të zhgënjyer, të braktisur dhe të mashtruar nga PD-ja, si mund të besojnë se problemet e tyre do t’i zgjidhë PS-ja, të cilën ata e etiketojnë si trashëgimtare të partisë që u shkaktoi aq shumë vuajtje? Komiteti Shqiptar i Helsinkit në deklaratën e tij me këtë rast theksoi se: “Situata është shumë e rëndë dhe kërkon zgjidhje imediate. Çdo deklaratë politike në favor ose kundër kësaj greve nuk e zgjidh, përkundrazi e përkeqëson gjendjen e krijuar”. Në të vërtetë, mbase më i sinqerti nga të gjithë ishte dje ambasadori amerikan. Ai gjatë vizitës tek ish-të përndjekurit në mbrëmjen e djeshme u tha atyre: “Ju keni të drejtën që të thoni se cilat janë problemet tuaja dhe që të dëgjoheni. Sot kam kaluar njëfarë kohe duke folur me disa persona në qeveri dhe i kam nxitur që të bëjnë çdo përpjekje të mundur për të gjetur mënyrën për të komunikuar me ju. Është e drejta juaj që të kërkoni që zëri juaj të dëgjohet dhe qeverisë këtë i kam kërkuar. Uroj që fati juaj të mos përfundojë si Gjergj Ndreca”. Me fjalë të tjera, ai ka kërkuar dialog dhe përpjekje nga ana e qeverisë për të zgjidhur hallet e ish-të përndjekurve. Mesazhi i tij ishte i qartë për politikanët: “Mos u ngrohni në zjarrin e ish-të përndjekurve!”

 

____________________________________________________________________________________

AMBASADORI ARVIZU VIZITON GREVISTËT

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu ka vizituar mbrëmjen e djeshme ish-të përndjekurit politikë në ditën e tyre të 17-të të grevës së urisë. Interesimi i ambasadorit duket të jetë zgjuar pas aktit të vetëflijimit që ndërmori njëri prej grevistëve, Gjergj Ndreca. “Ju keni të drejtën që të thoni se cilat janë problemet tuaja dhe që të dëgjoheni. Sot kam kaluar njëfarë kohe duke folur me disa persona në qeveri dhe i kam nxitur që të bëjnë çdo përpjekje të mundur për të gjetur mënyrën për të komunikuar me ju. Është e drejta juaj që të kërkoni që zëri juaj të dëgjohet dhe qeverisë këtë i kam kërkuar. Uroj që fati juaj të mos përfundojë si Gjergj Ndreca”, ka thënë Arvizu para grevistëve. Më pas ambasadori ka vizituar në spital Ndrecën.

_____________________________________________________________________________________

GREVA, VËMENDJE EDHE NË BRUKSEL

Zhvillimet në Tiranë janë duke u ndjekur edhe në Bruksel. Peter Stano, zëdhënës i komisionerit për Zgjerimin Shtefan fyle, tha se po ndjekim me detaj çdo zhvillim dhe jemi në dijeni të gjithëçkaje. Ne nxisim autoritetet të zbatojnë ligjin, tha ai, për kompensimin e kësaj shtrese. “Sigurisht që Komisioni është në dijeni të asaj që po ndodh në Shqipëri dhe ne po ndjekim ngjarjet sigurisht nga shumë pranë, si dhe dimë shumë mirë se çfarë ndodh çdo ditë, pasi siç e dini, Shqipëria është një partnere në proçesin e integrimit dhe për ne është e rëndësishme të dimë çdo gjë që lëviz në shoqërinë e vendit. Dhe ne po e ndjekim sigurisht”.

 

_____________________________________________________________________________________

GREVA E ISH-TË PËRNDJEKURVE, KSHH: “SITUATA E RËNDË, KËRKON ZGJIDHJE”

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës kanë reaguar dje pas aktit të vetëflijimit që ndërmori ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca. KShH shpreh dhimbjen dhe shqetësimin e thellë lidhur me ngjarjen e sotshme, ndërsa i kërkon qeverisë të takohet me ta për zgjidhjen e situatës sa më parë. “Për për këto arsye, e shikojmë të domosdoshme t’i bëjmë thirrje Qeverisë, që ta vlerësoj me seriozitet këtë gjendje të rëndë dhe të paprecedent dhe të gjejë sa më shpejt mundësinë e takimit me ta. Situata është shumë e rëndë dhe kërkon zgjidhje imediate. Çdo deklaratë politike në favor ose kundër kësaj greve nuk e zgjidh, përkundrazi e përkeqëson gjendjen e krijuar”, thuhet në deklaratën e tyre. KShH ndër të tjera i sugjeron Kuvendit që, “në seancën e radhës ose të jashtëzakonshme të shtrohet dhe të diskutohet lidhur me këtë problem, me objektivitet për të gjetur zgjidhjen më të mirë ligjore”. Në këtë reagim theksohet se “e drejta e jetës është një e drejtë themelore universale sot e garantuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të njeriut. Shteti ka detyrimin ligjor dhe moral që të mbrojë këtë të drejtë”, thuhet në reagim.

____________________________________________________________________________________

FRD KËRKON SEANCË TË JASHTËZAKONSHME, SPAHIU NË SPITAL TEK NDRECA

Fryma e Re Demokratike kërkon thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare për grevën e urisë së ish-të përndjekurve politikë. Përmes një kërkese drejtuar krerëve të partive parlamentare, deputeti Gazmend Oketa kërkon zgjidhjen e shpejtë të situatës. “Po ju drejtohem me një kërkesë publike për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare, për të debatuar mbi kërkesat dhe rrugëzgjidhjen e problematikës së ish-të përndjekurve politikë. Për shkak se qeveria në kundërshtim me detyrimin e saj kushtetues refuzoi dialogun, në kundërshtim me parimet e përfaqësimit vendosi të braktisë përfundimisht ish-të përndjekurit, parlamenti duhet të ndërhyjë për të marrë situatën në dorë”, tha ai. Ndërkaq kreu i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu vizitoi në spital Gjergj Ndrecën dhe ka hedhur akuza të ashpra mbi qeverinë. “Shprehim një shqetësim të thellë, është ngjarje shumë, shumë tragjike. Pas 40 vitesh, që nga viti 1968 rasti i fundit ka qënë i një disidenti cek, përsëritet një vetëflijim i tillë në regjimin e fundit komunist në Europë dhe fatkeqësisht në një regjim që drejtohet nga një mjek, i cili tashmë është jashtë realitetit, është një katil në krye të regjimit politik”, tha Spahiu.

_____________________________________________________________________________________

VETËDJEGIA E GJERGJ NDRECËS, PS: “BERISHA TË MBAJË PËRGJEGJËSI”

Anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolla reagoi dje pas aktit të rëndë të vetëflijimit të ish-të burgosurit Gjergj Ndreca, ndërsa bëri përgjegjës për këtë akt vetë Kryeministrin Berisha. “I besoja Sali Berishës si Krishtit thoshte Gjergj Ndreca dhe ja ku është sot në luftë me jetën. Berisha zgjodhi të bëjë atë që di të bëjë më mirë, ta tallë, ta shfrytëzojë, ta harrojë”, tha përfaqësuesja e PS. Sipas saj, skena të tilla i kemi parë vetëm në Tunizi, ndërsa sot i pamë edhe në Shqipëri,- vijoi Nikolla duke fajësuar për këtë Kryeministrin Berisha. “Protesta e tyre kulmoi sot me këtë akt. Vuajtjet që këta njerëz hoqën në komunizëm, ua kanë shpërblyer me gënjeshtra dhe refuzim. Është përgjegjësi e Sali Berishës që një i përndjekur i vë flakën vetes. Në vend që t’i japë leksione Evropës e borës, le të mbajë përgjegjësinë për këta njerëz që i ka braktisur”, theksoi ajo.

_____________________________________________________________________________________

GJERGJ NDRECA JASHTË RREZIKUT PËR JETËN, PRANGA ZJARRVËNËSIT

Policia e Tiranës me anë të një deklarate zyrtare pohoi dje se i përndjekuri politik Gjergj Ndreca, i cili u dogj në trup pranë ambientit të grevës së urisë, është jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, policia bëri me dije se ka vënë në pranga personin që i vuri flakën Ndrecës. “Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit është bërë  arrestimi në flagrancë i shtetasit Pal Shtjefni, 59 vjeç, banues në Tiranë, ish-i përndjekur politik dhe pjesëmarrës në grevën e urisë të grupit të ish të burgosurve politik”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, ky shtetas, i ka vendosur zjarrin në trup më anë të një cakmaku, shtetasit Gjergj Ndreca, i cili sapo ishte lyer me benzinë. Sipas saj, ndaj shtetasit Pal Shtjefni u morr masa e arrestit për konsumim të veprës penale të Plagosjes së rëndë me dashje, pasi i dëmtuari ka marrë plagë të rënda djegieje në pjesë të ndryshme të trupit. Mjeku Ilir Nezha, i cili po ndjek gjendjen e Gjergj Ndrecës, ka thënë se ish i përndjekuri ka plagë në 40% të sipërfaqes trupore. “Grada e dytë merr 40 % të sipërfaqes trupore. Po vijon terapinë intensive. Tani nuk flasim dot për jetën të kalojmë rrezikun, plagët me të mëdha paraqiten ato nga rruga respiratore, do kalojë të paktën 72 orë”. Ina Ndreca, bashkëshortja e ish të përndjekurit politik, Gjergj Ndreca, tha se, i shoqi ka marrë djegie në trup, në fytyrë. “Nuk ma ha mendja të jetë kjo gjë, kam 21 vjet martuar dhe e di çka bërë Gjergj Ndreca për demokraci dhe unë kam qenë studente e ’92-it, Gjergji ka dëgjuar akuzat e Kryeministrit dhe është revoltuar. Është normale pasi Gjergji ka 3-4 muaj që nuk është në gjendje të mirë. Ka ankthe”, është shprehur gruaja. Ndreca është dërguar në repartin e djegieve në QSUT ku mësohet se gjendja e tij është rëndë.

____________________________________________________________________________________

MEDIAT NDËRKOMBËTARE PËR NGJARJEN E DJESHME

Një shqiptar, ish-i i përndjekur politik është shtruar në spital, pasi i vuri flakën vetes për të kërkuar kompensim të shpejtë për viktimat e regjimit komunist.” Kështu e nis lajmin aktual nga Shqipëria agjencia franceze e lajmeve, AFP. Por edhe Reuters, Associated Press, Ëashington Post apo Herald Tribune i kushtojnë vend në lajmet e aktualitetit nëpër botë. Në to përshkruhet se Gjergj Ndreca, 53 vjeç, është mes grupit prej 20 personash të ish-të burgosurve politikë, që po mbajnë grevë urie në qendër të Tiranës. Ata kërkojnë që qeveria të plotësojë premtimin e saj për të paguar viktimat regjimit të kaluar me 2 mijë lekë për çdo ditë burg. Ende nuk është e qartë se sa shumë është dëmtuar Ndreca. Ai ka bërë gjashtë vite burg për aktivitet anti-komunist. Koordinatori i protestës, Skënder Tufa, thotë se një tjetër grevistë ka marrë plagë nga zjarri. Përkujtohet se rreth 100 mijë shqiptarë u ekzekutuan, burgosën apo u dërguan në kampe pune nga regjimi i kaluar komunist që drejtoi Shqipërinë nga vitit 1944 deri në vitin 1990.

_____________________________________________________________________________________

PDIU: “MBËSHTETJE KËRKESAVE LEGJITIME TË ISH TË PËRNDJEKURVE”

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet shpreh mbështetjen e saj për ish-të përndjekurit dhe kërkon që kërkesat e tyre të mos bëhen pjesë e debateve politike të ditës, por të merren në konsideratë nga të gjithë si një detyrim moral ndaj plagëve të së kaluarës. Në deklaratën e PDIU-së theksohet se “indiferenca e autoriteteve shtetërore është e pajustifikueshme në kushtet e përshkallëzimit të protestës së ish-të përndjekurve, të gjendjes shëndetësore në të cilën gjenden grevistët dhe të aktit dramatik të njërit prej tyre.” PDIU shpreh besimin se “ne kemi përgjegjësi të madhe që t’i japim një zgjidhje përfundimtare dhe të plotë problemit të ish-të përndjekurve dhe prandaj u bën thirrje të gjitha partive politike shqiptare të të gjitha krahëve që të heqin dorë nga pozicionet politike dhe retorika partiake por të angazhohen në mënyrë të sinqertë për një zgjidhje të ndershme dhe të drejtë”.

_____________________________________________________________________________________

VETËDJEGIA E GJERGJ NDRECËS, PS: “BERISHA TË MBAJË PËRGJEGJËSI”

Anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolla reagoi dje pas aktit të rëndë të vetëflijimit të ish-të burgosurit Gjergj Ndreca, ndërsa bëri përgjegjës për këtë akt vetë Kryeministrin Berisha. “I besoja Sali Berishës si Krishtit thoshte Gjergj Ndreca dhe ja ku është sot në luftë me jetën. Berisha zgjodhi të bëjë atë që di të bëjë më mirë, ta tallë, ta shfrytëzojë, ta harrojë”, tha përfaqësuesja e PS. Sipas saj, skena të tilla i kemi parë vetëm në Tunizi, ndërsa sot i pamë edhe në Shqipëri,- vijoi Nikolla duke fajësuar për këtë Kryeministrin Berisha. “Protesta e tyre kulmoi sot me këtë akt. Vuajtjet që këta njerëz hoqën në komunizëm, ua kanë shpërblyer me gënjeshtra dhe refuzim. Është përgjegjësi e Sali Berishës që një i përndjekur i vë flakën vetes. Në vend që t’i japë leksione Evropës e borës, le të mbajë përgjegjësinë për këta njerëz që i ka braktisur”, theksoi ajo.

_____________________________________________________________________________________

LËVIZJA ÇAME: “INKOHERENCA POLITIKE E SHPËTIM IDRIZIT”

E dini se kush ishte gjëja e parë që Idrizi bëri që prej kthimit te tij nga Strasburgu?

Kërkoi mbështetje për ish të burgosurit politikë që janë në grevë urie (dhe shumë mirë bëri se e meritojnë në fakt) dhe u distancua turpshëm nga politika qeveritare. Besoj jeni tashmë të qartë se 2 ditë më parë në zemër të Europës ai votoi Pro Azerbaxhanit kundër definicionit europian për çfarë quhen të burgosur politikë. Idrizi distancohet nga politika e jashtme e qeverisë sot, distancohet nga politika e brendshme, nuk lobon për Çështjen Çame, por vazhdon të qëndrojë dhe të legjitimojë këtë qeveri, duke e votuar atë sa herë duhet, pa e vrarë mendjen dhe ndërgjegjen e tij tashmë të shitur me patenta, zhavore, barna e drejtori të tjera pisllëqesh që kjo qeveri i ka akorduar. Si ka mundësi kjo inkoherence? Pse Idrizi nuk mbështetka ish të burgosurit politikë të të gjithë botës, por për sy e faqe për pak kredo politike bën sikur i dhemb shpirti për këta tanët?