Politika duhet të ndërmarrë ndryshime kushtetuese, me dialog të përbashkët dhe konstruktiv

448
Sigal

Hapet debati: Konstitucionalistë dhe politikanë kanë të njëjtin qëndrim për nevojën që shtron zhvillimi mbi ndryshimet e mundshme kushtetuese

Forumi Civil 2010, në drejtimin e Alfred Mojsiut, ish-President, zhvilloi dje një tryezë diskutimi me temë “Mbi ndryshimet e mundshme kushtetuese”. Në këtë tryezë diskutimi morën pjesë juristë dhe konstitucionalistë, deputetët Spartak Braho, Dashamir Shehi dhe Fatmir Xhafa, ish-deputetët Rusmali dhe Guma, si edhe përfaqësues nga Shoqëria Civile. Konstitucionalisti Prof. Luan Omari  në diskutimin e tij argumentoi nevojën e ndryshimeve kushtetuese, të cilat, sipas Prof. Omarit, diktohen nga zhvillimi dhe situatat e reja, parashtroi edhe pikat ku duhen të mbështeten ndryshimet kushtetuese. “Kushtetuta ka edhe disa zgjidhje që nuk janë nga më të goditurat, ose që koha u ka vënë një pikëpyetje”, – tha ndër të tjera, Prof. Luan Omari. Në fjalën e tij, Ish-Presidenti Alfred Mojsiu, i cili është edhe drejtuesi i Forumit Civil 2010, parashtroi edhe ai nga ana e tij argumentet përse është e domosdoshme ndryshime kushtetuese, duke iu referuar së pari, reformave të reja që duhet të zbatojë maxhoranca, por edhe ato që janë prioritetet që i ka kushtëzuar BE-ja Shqipërisë, për nisjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. “Në takimet tona të mëparshme të Forumit, shpesh jemi shprehur se për të shkuar përpara në disa reforma të ndryshme të rëndësishme, si ne drejtësi, kodin zgjedhor etj, që koha i kërkon të kryhen me patjetër, nuk është e mundur të procedohet dhe të bëhen hapa përpara, pa bërë ndërhyrjet e nevojshme në Kushtetutë,- tha ndër të tjera, Ish-Presidenti Alfred Mojsiu. Edhe deputeti Shehi dhe ish-deputeti Rusmajli parashtruan mendimin se  është e nevojshme që të ndërhyhet në Kushtetutë. Në fund nga të pranishmit në tryezën e diskutimit, u miratua edhe deklarata e Forumit Civil 2010  “Rreth nevojës për ndërhyrje në Kushtetutë”

 

Reformat  e reja kërkojnë detyrimisht ndërhyrje në Kushtetutë

 Alfred Moisiu

 President i Republikës së Shqipërisë 2002-2007

 Si FORUM CIVIL 2010 duan të diskutojmë dhe të shfaqim mendime nëse është e nevojshme apo jo, nëse ka ardhur koha dhe a duhet ndërhyrë në Kushtetutën tonë të miratuar në vitin 1998. Në takimet tona të mëparshme të Forumit, shpesh jemi shprehur se për të shkuar përpara në disa reforma të ndryshme të rëndësishme, si ne drejtësi, kodin zgjedhor etj, që koha i kërkon të kryhen me patjetër, nuk është e mundur të procedohet dhe të bëhen hapa përpara, pa bërë ndërhyrjet e nevojshme në Kushtetutë. Këtë mendim më se një herë e kanë shprehur si politikanët ashtu dhe shumë opinionistë të ndryshëm në vendin tonë. Përveç kësaj, edhe fakti që tani jemi pranuar si kandidatë për në BE, me të drejtë vihet në dukje se kërkohet që disa momente të Kushtetutës të përshtaten më mirë me kërkesat e ardhshme të anëtarësimit. Por përveç sa më sipër, gjatë periudhës që nga miratimi i Kushtetutës, kanë ndodhur edhe disa ndërhyrje, të cilat pavarësisht se kanë qenë të pranuara me konsensus, në vend që ta përmirësonin përmbajtjen dhe efektin e këtij dokumenti themeltar, e kanë dobësuar dhe ndërlikuar atë më shumë. Për pasojë ka pasur cenime si të raporteve midis pushteteve kushtetuese ashtu edhe zhvlerësime dhe thjeshtime, që kanë cenuar rëndë aftësinë vepruese dhe autoritetin e institucioneve të ndryshme kushtetuese. Veçanërisht kjo ka ndodhur pas ndryshimeve të prillit 2008. Por për çudi, me gjithë reagimin kundërshtues që patën atëherë për ato ndryshime qarqet e ndryshme intelektuale, mediatike, juridike dhe të shoqërisë civile, nga organet politike drejtuese asgjë nuk u mor parasysh. Edhe pse në të pastajmen, u pranua dëmi i dukshëm që iu shkaktua demokracisë së brishtë shqiptare, si pasojë e atyre ndryshimeve, deri tani çdo gjë ka mbetur në stadin e fjalëve, komenteve dhe disa takimeve të shoqërisë civile, por asgjë serioze ende nuk duket në horizont. E kundërta, heshtja e politikanëve kryesorë në lidhje me këto probleme po bëhet shqetësuese, gjë e cila duhet të na vërë në alarm. Pra megjithëse nga të gjithë, përfshi edhe parlamentarët tanë, është folur dhe vazhdon të flitet, se me qëllim të përsosjes së sistemit është e domosdoshme që të kryhet një reformë e thellë në gjyqësor, hapa konkrete ende nuk po hidhen. Pse? Por a mund të bëhet kjo pa bërë ndërhyrjet e duhura në Kushtetutë? Të gjithë njëzëri përgjigjen se është e pamundur. Atëherë me të drejtë shtrojmë pyetjen çfarë pritet? Koha po ikën dhe ende jemi në stadin e fjalëve. Dëshiroj ta përsërisë mendimin, se pa ndërhyrë në Kushtetutë është e vështirë të bëhen reforma serioze, si në drejtësi ashtu edhe në drejtimet e tjera. Janë këto arsyet, që ne si Forum e gjejmë të nevojshëm të shprehim shqetësimin tonë se kjo punë duhet filluar menjëherë. Sot kemi ftuar edhe disa njohës dhe specialistë të respektuar të problemeve kushtetuese, për të dhënë mendime sesi dhe kur duhet bërë kjo ndërhyrje. Vërtet gjatë  këtyre viteve Kushtetuta jonë ka vërtetuar se ajo, ndër më të rejat në vendet e dala nga regjimi komunist, e hartuar mbështetur në përvojën e vendeve të tjera dhe ndihmën e Komisionit të Venecias, në përgjithësi u është përgjigjur pozitivisht nevojave të shoqërisë shqiptare në këtë periudhë të vështirë tranzicioni. Më duket me vend të vë në dukje se ndërhyrjet në kushtetutë, si ligj themeltar i shtetit, duhen menduar mirë dhe me mjaft kujdes. Gjithashtu duhet të jemi shumë të matur se kur e si duhet ajo të preket, por kjo nuk do të thotë të ngurohet, kur zhvillimet e kërkojnë një gjë të tillë. E rëndësishme është që ndërhyrjet të jenë të studiuara mirë dhe të argumentuara, jo thjesht nga nevojat politike të çastit, por për një thellim, zhvillim dhe forcim të mëtejshëm të demokracisë dhe shtetit të drejtës. Kjo kërkon kohë dhe angazhim serioz, pasi çdo gjë e vendosur gabim ose në mënyrë jo shumë të thelluar, është e vështirë të ndryshohet pa kaluar një kohë e pranueshme, ndryshe do të binim në pozitat e një shteti dhe politike jo serioze. Sigurisht kjo tryezë, nuk i vë vetes detyrë të merret me hollësi të detajuara për ndryshimet e nevojshme të ligjit themeltar të Republikës, por duke vënë në dukje momentet kryesore që mund t’i nënshtrohen ndryshimeve, shpresojmë të japë alarmin e duhur për të thelluar sensibilizimin mbi domosdoshmërinë e ndërmarrjes së studimit dhe kryerjes së këtyre ndryshimeve të nevojshme, përfshi shfuqizimin e amendamenteve të prillit 2008, që cenuan raportin e drejtë të pushteteve, si dhe procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Veç këtyre, nga përvoja mund të evidentohen edhe probleme të tjera që kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë. Këtë do t’ia lëmë komisionit që duhet ngarkuar për këtë detyrë urgjente. Në lidhje me sa më sipër, ju lutem pjesëmarrësve në këtë tryezë të shprehin gjykimet e tyre. Me këtë rast më lejoni të shpreh falënderimin për AMSHC-në për mbështetjen e saj ndaj aktivitetit të Forumit Civil.

Forumi Civil 2010/Deklarata: Rreth nevojës për ndërhyrjet në Kushtetutë

Forumi Civil 2010, në vazhdën e tryezave të shumta që ka ngritur për t’u shtruar mjaft çështje të rëndësishme që kanë preokupuar dhe preokupojnë opinionin publik të vendit tonë, sot u mblodh në mjediset e Hotel ‘Tirana International’, për të diskutuar rreth nevojës së zgjidhjes së disa problemeve të mprehta, nëpërmjet ndërhyrjeve të mundshme në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ndonëse kjo nevojë është pranuar herë pas here nga faktorët politikë dhe juristë konstitucionalistë, Forumi Civil 2010 konstaton se deri tani asnjë zgjidhje konkrete nuk është artikuluar. Ndërkohë që koha ka evidentuar dyzimin: nëse duhet një ndryshim radikal i kushtetutës aktuale apo, veçse një varg amendamentesh, për të eliminuar disa mangësi e inkoherenca dhe për t’u përgatitur kështu më mirë apo në mënyrë më të plotë për realizimin e disa reformave kyçe, që nga Brukseli vlerësohen si kritere në çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përcaktimi i rëndësisë së kësaj teme bëri që Forumi Civil 2010 të mblidhte në këtë tryezë bashkë me pjesëtarë aktivë të tij, edhe një sërë personalitetesh të njohura të fushës, si dhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë. Pa pretenduar shterimin e gjithë gamës së ndryshimeve që mund dhe duhet t’i bëhen Ligjit Themelor të shtetit tonë, sidoqoftë nga pjesëmarrës të ndryshëm u shpreh bindja, se një gjë është e qartë për të gjithë:  domosdoshmëria e shfuqizimit të amendamenteve të prillit 2008, të cilat cenuan veç të tjerash edhe raportin e drejtë të pushteteve, në dëm të atij legjislativ. Gjithashtu diskutimet u shtrinë edhe në çështje të caktuara për të cilat pati një debat të nevojshëm. Me këtë rast, Forumi Civil 2010 u bën thirrje të gjitha forcave politike dhe faktorëve të tjerë të rëndësishëm të vendit, të gjejnë gjuhën e dialogut të përbashkët dhe konstruktiv, që të krijohet pa vonesë dhe zvarritje një bazë e shëndoshë mirëkuptimi për hartimin e saktë të ndryshimeve eventuale, në mënyrë që Kushtetuta t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave në rritje të shoqërisë shqiptare. Ky aktivitet, të cilit i takon kjo deklaratë është mundësuar me mbështetjen financiare të AMSHC-së. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e “Forumit Civil 2010” dhe opinionet e shprehura në të nuk janë domosdoshmërisht opinion i AMSHC-së.

                                                                                        Forumi Civil 2010

Duhen shfuqizuar amendamentet e prillit 2008 që cenuan raportin e drejtë të pushteteve, në dëm të atij legjislativ si dhe procedurën e zgjedhjes së Presidentit

 Prof. Luan Omari

 Kanë kaluar më se 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Përvoja e këtyre viteve ka vërtetuar se kjo Kushtetutë, që është ndër më të rejat në vendet e dala nga regjimi komunist dhe në hartimin e saj u përfitua edhe nga përvoja e vendeve të tjera, duke pasur edhe ndihmën e Komisionit të Venecies, në përgjithësi u është përgjigjur pozitivisht nevojave të shoqërisë shqiptare në këtë periudhë të vështirë tranzicioni. Por, pavarësisht nga cilësitë e saj, Kushtetuta ka edhe disa zgjidhje që nuk janë nga më të goditurat ose që koha u ka vënë një pikëpyetje. Dhe vetë Kushtetuta u ka kushtuar ndryshimeve eventuale që mund t’i bëhen asaj një pjesë të veçantë, pjesën e 17-të, që titullohet “Rishikimi i Kushtetutës”. Në fakt, Kushtetuta jonë ka pësuar disa ndryshime. Ndonjë ndryshim, si ai i 13 janarit 2007, që e zgjaste mandatin e organeve të qeverisjes vendore nga 3 në 4 vjet, ka qenë i nevojshëm, madje i rekomanduar nga Kongresi i Autonomive Vendore e Rajonale pranë Këshillit të Evropës. Por ka pasur edhe ndryshime të diskutueshme, si ato që u bënë më 21 prill 2008 duke shfuqizuar gjithë pjesën e 12-të të Kushtetutës, të titulluar “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, ose krejt të papërshtatshme, si ato që u bënë po në seancën e 21 prillit 2008, në lidhje me procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, për mocionet e besimit dhe të mosbesimit ndaj Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe raportin e tij me Kuvendin. Këto ndryshime tanimë janë cilësuar si negative, si për mungesën e transparencës në tërë procesin e tyre ashtu për pasojat që patën në raportin midis pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv. Në periudhën e tanishme faktorët politikë, si në maxhorancë ashtu edhe në opozitë, si dhe të gjithë juristët që janë specialistë në këto probleme, pranojnë se duhen bërë një varg ndryshimesh në Kushtetutë tonë, për të eliminuar disa mangësi dhe inkoherenca që koha i ka nxjerrë në pah dhe, veç kësaj, për t’u përgatitur edhe për periudhën e ardhshme që do të shënojë pranimin e Shqipërisë në BE. Është e kuptueshme se kjo tryezë nuk mund të përcaktojë të gjithë gamën e ndryshimeve të mundshme. Por, besojmë, një gjë është e qartë për të gjithë: duhen shfuqizuar amendamentet e prillit 2008 që cenuan raportin e drejtë të pushteteve, në dëm të atij legjislativ si dhe procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Veç kësaj, përvoja ka evidentuar disa probleme të tjera që duhen zgjidhur me ndërhyrje në Kushtetutë.

Do të përpiqemi të evidentojmë disa prej tyre:

1) Përsa i përket Kuvendit, që duhet të përbëhet gjithmonë nga një Dhomë, do të ishte e arsyeshme të specifikohej mënyra e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit me një shumicë absolute, në mos me shumicën e cilësuar prej tri të pestash, ndërsa sot ai mund të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë, prej 36 votash, çka nuk pajtohet me rangun dhe me rolin që ai ka pasur tek ne në këtë periudhë tranzicioni. Veç kësaj, në nenin 168, do të ishte e udhës që të specifikohej që ligji për buxhetin, për vetë rëndësinë që ka, duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit.

2) Duhen rishikuar nenet e Kushtetutës që trajtojnë zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe që janë riformuluar me amendimet e 21 prillit 2008. Këto amendime parashikojnë që në raundin e katërt Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me një shumicë absolute, shumicë që përkon me atë qeverisëse, dhe kjo e fundit normalisht është e interesuar që të dalë fitues kandidati i vet.

Nëse do të rivendosej parimi i zgjedhjes së Presidentit me një shumicë prej tri të pestash, kur kjo shumicë nuk arrihet në raundin e parë, në Kushtetutë mund të parashikohej eventualisht shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhja e Presidentit të ri me shumicë absolute në raundin e dytë. Mundësia e shpërndarjes së Kuvendit do të mbetej si një mjet presioni ndaj deputetëve të maxhorancës dhe të opozitës për të arritur kompromisin e nevojshëm, për të mos rrezikuar mbetjen e tyre jashtë Parlamentit. Një variant tjetër mund të ishte ky: në rast se nuk do të arrihej dot në zgjedhjen e Presidentit me shumicën prej tri të pestash, të kalohej në zgjedhjen e Presidentit nga populli, pa ndryshuar kompetencat e tij aktuale, duke shmangur kështu shpërndarjen e Kuvendit. Por një opsion tjetër dhe që kohët e fundit ka fituar një përkrahje të gjerë është edhe zgjedhja e Presidentit vetëm nga populli, sikurse aplikohet në shumicën e vendeve të Evropës juglindore. Pavarësisht se mund të rishikohej ndonjë nga kompetencat e tij, zgjedhja nga populli nuk do të cenonte karakterin parlamentar të Republikës së Shqipërisë. Gjithsesi, do të ishte e udhës që të diskutohej mundësia që Presidentit t’i sigurohej një hapësirë më e gjerë manovrimi në rast krizash qeveritare, në mënyrë që ai të ketë mundësi të zgjedhë njërën nga dy opsionet: shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e zgjedhjeve të parakohshme, ose ngarkimin e një Kryeministri tjetër me detyrën e formimit të një Qeverie, ashtu siç e parashikon Kushtetuta e Italisë.

3) Mund të rishikohen disa norma kushtetuese, që i referohen Këshillit të Ministrave. Në kuadrin e rregullimit më të mirë të raportit ndërmjet pushteteve, në nenin 98 të Kushtetutës mund të bëhet një amendament, në mënyrë që emërimi dhe shkarkimi i ministrave të veçantë të mos kalojë në Kuvend, duke mbetur në kompetencë të Kryeministrit dhe Presidentit, sikurse është sot pothuajse në të gjitha vendet demokratike.

Rëndësi të veçantë ka rishikimi i neneve 104 dhe 105 të Kushtetutës, që trajtojnë përkatësisht mocionin e besimit (që paraqitet nga Kryeministri) dhe mocionin e mosbesimit (që zakonisht paraqitet nga opozita). Një nga ndryshimet më të rëndësishme që iu bënë Kushtetutës më 21 prill 2008 ishte riformulimi i mocionit të besimit, duke i dhënë Kryeministrit tagrin e plotë të shpërndarjes së Kuvendit, kur ky i fundit e refuzon këtë mocion. Është tagër i plotë sepse, sipas paragrafit 1 të nenit 104, “Kryeministri brenda 48 orëve nga votimi i mocionit i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit” dhe Presidenti, sipas paragrafit 2 të po atij neni “shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve që nga marrja e kërkesës”. Pra, shpërndarja është e detyrueshme, taksative. Kuptohet se ky ndryshim i bërë në Kushtetutë ka synuar forcimin e ekzekutivit, ruajtjen e tij nga rreziku i krijimit të ndonjë maxhorance të rastit, që mund të ushtronte një lloj puçi “konstitucional”. Por ndryshimi, që është bërë duke iu referuar shembullit të Kushtetutës së Gjermanisë, lë shteg për arbitraritet. Duhet pasur parasysh se ky referim është arbitrar sepse neni 68 i Kushtetutës gjermane thotë se në rast refuzimi të votëbesimit nga shumica e anëtarëve të Bundestagut, “Presidenti federal me propozim të Kancelarit federal (pra të Kryeministrit) mund ta shpërndajë Bundestagun. Tagri për shpërndarjen bie posa Bundestagu, me shumicën e anëtarëve të tij, zgjedh një Kancelar federal tjetër”. Kjo zgjidhje që parashikon Kushtetuta e Republikës Federale Gjermane është e njëjtë me atë që kishte neni ynë 104 përpara ndryshimit. Mendojmë se një zgjidhje e tillë do të duhej të adaptohej përsëri. Riformulimi, më 21 prill, i nenit 105 të Kushtetutës, që i referohet mocionit të mosbesimit nuk ka sjellë ndonjë ndryshim thelbësor, por gjithsesi na duket më i drejtë formulimi i nenit përkatës të Kushtetutës gjerman (neni 67), që mund, edhe në këtë rast të adoptohej nga Kushtetuta jonë në të ardhmen.

4) Një çështje shumë e rëndësishme është forcimi dhe sigurimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Kushtetuta parashikon masa të forta për të shmangur shkarkimin arbitrar nga Kuvendi të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Ky shkarkim mund të bëhet për arsye të forta dhe të përcaktuara qartë dhe me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve. Madje, në të dyja rastet, vendimi i Kuvendit i nënshtrohet shqyrtimit nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Por, paradoksalisht, kur është fjala për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, nga Presidenti i Republikës, pëlqimi nga Kuvendi jepet me një shumicë të thjeshtë, që mund të jetë edhe me 36 vota. Ekziston, pra, mundësia, sidomos kur Presidenti i Republikës zgjidhet me votat e maxhorancës qeverisëse, që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë të caktohen pa marrë fare në konsideratë vërejtjet e deputetëve të opozitës.

Prandaj do të ishte e dobishme dhe do të garantonte një përbërje më të ekuilibruar të përbërjes së të dy gjykatave, dhënia e pëlqimit nga Kuvendi me një shumicë të cilësuar prej tri të pestave për Gjykatën e Lartë, ndërsa për Gjykatën Kushtetuese mund të caktohej edhe një shumicë prej dy të tretash, sipas shembujve të Gjermanisë dhe të Hungarisë. Për Gjykatën Kushtetuese një opsion tjetër mund të ishte edhe përzgjedhja e anëtarëve të saj nga ana e institucioneve të ndryshme kushtetuese. Në Ligjin për Dispozitat Kryesore Kushtetuese (neni 18) përcaktohej se 5 anëtarë të kësaj Gjykate zgjidheshin nga Kuvendi dhe 4 nga Presidenti i Republikës. Mund të diskutohej mundësia e rikthimit te kjo mënyrë përzgjedhjeje, që mund të mënjanonte në të ardhmen përplasjet midis Kuvendit dhe Presidentit, që kanë qenë të shpeshta kohët e fundit.

Veç kësaj, do të duhej të shfuqizohej paragrafi 3 i nenit 125 të Kushtetutës, që parashikon përtëritjen në çdo tre vjet të një të tretës së përbërjes së saj, dispozitë që kohët e fundit ka krijuar shumë probleme. Si për Gjykatën Kushtetuese ashtu edhe për Gjykatën e Lartë duhen formuluar kritere më rigoroze për të siguruar një cilësi më të lartë të përbërjes së tyre.

5) Përsa i përket Prokurorisë, mund të kalohej në njëfarë decentralizimi të saj, duke i dhënë fund një centralizimi të skajshëm, që është trashëguar nga sistemi i kaluar dhe që nuk ekziston në vendet demokratike. Veç kësaj, mendojmë se do të ishte i nevojshëm krijimi i Këshillit të Prokurorëve, pak a shumë sipas modelit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por të kryesuar nga Prokurori i Përgjithshëm, sepse pozita e Prokurorisë nuk është në nivelin e pushtetit gjyqësor.

6) Përsa i përket Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mendojmë se ai mund të vazhdojë të kryesohet nga Presidenti i Republikës, por ndoshta ai nuk do të kishte të drejtën për të votuar, sepse roli i tij shprehet në drejtimin e KLD dhe në të drejtën për të vendosur përfundimisht për emërimin e gjyqtarëve dhe për masat eventuale ndaj tyre. Ministri i Drejtësisë mund të vazhdonte të ishte anëtar i KLD, por gjithashtu pa të drejtë vote. Inspektimi i i gjykatave do të duhej të kryhej vetëm nga KLD, duke i dhënë fund dualizimit me inspektoriatin pranë Ministrisë së Drejtësisë, dualizëm që është kritikuar edhe nga Komisioni i Venecias.

7) Pjesa e 11-të e Kushtetutës, kushtuar referendumit, duhet rishikuar, në frymën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, për të krijuar një hapësirë më të gjerë për realizimin e tij.

8) Në pjesën e 14-të që trajton Kontrollin e Lartë të Shtetit, për ta forcuar këtë Kontroll, si organ që ushtron atë mund të shikohej mundësia e krijimit të Gjykatës së Llogarisë, institucion që e kanë shumë vende të tjera, si organ kolegjial me vendime të detyrueshme. Kjo do të forconte luftën kundër korrupsionit, ndërsa aktualisht shumë rekomandime të Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk përfillen nga ekzekutivi.

9) Përsa i takon rishikimit të Kushtetutës, që trajtohet në Pjesën e 17-të, do të ishte e udhës që në nenin 177/4 të përcaktohej se kur projektamendamentet janë të rëndësishme, veçanërisht kur ndryshohen kompetencat e organeve kushtetuese, duke prekur edhe raportin midis pushteteve, votimi me referendum të jetë i detyrueshëm.

Jakup B. GJOÇA