Policia në trafik droge, sherr Ministri e Brendshme-PD

601
Pamjet filmike të një oficeri policie që negocionte për dhënien e një sasie kokaine kanë shkaktuar edhe një përplasje mes Ministrisë së Brendshme dhe Partisë Demokratike. Për opozitën, edhe ky rast i denoncuar nga media, vërteton lidhjet dhe përfshirjet e drejtuesve të policisë në trafiqet e drogës. Ndërkohë Ministria e Brendshme deklaroi se përmes Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe Policisë së Shtetit, menjëherë pas publikimit të pamjeve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, pezulloi dhe shpalli në kërkim oficerin e dyshuar si të implikuar në këtë vepër penale. Hetimet e plota nisën menjëherë nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë. “Ky është treguesi më i qartë se aktualisht në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm apo të mbrojtur në “çadrën” partiake, ashtu siç tregon vullnetin e qartë për pastrimin e radhëve nga çdo efektiv që shkel ligjin”, deklaroi Ministria. Ajo siguroi qytetarët se, askush dhe për asnjë motiv, nuk do mund të ndryshojë vullnetin, për të luftuar krimin dhe goditur korrupsionin. “Përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës nuk do ndalen. Vetingu në Policinë e Shtetit, i mbështetur fuqimisht nga partnerët ndërkombëtarë, është një mekanizëm ligjor që do ta përshpejtojë procesin. Vetingu do të reformojë kapacitetet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke promovuar pjesën më të shëndetshme, punonjësit më me integritet, të trajnuar, të mirë arsimuar, të cilët janë shumica në organizatë”, thuhet në deklaratë.
Sigal