Policia në kërkim të kryepolicëve

574
Dosja “Habilaj”, nis “furtuna” e arresteve për zyrtarët e policisë, kush janë të parët?
Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte nisur më herët hetimet për zyrtarët e policisë, dyshohen se bashkëpunuan me Habilajt për trafikun e drogës drejt Italisë
Prokuroria e Krimeve të rënda firmos tre urdhër arreste, për tre ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit. Jaeld Çela, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, është një nga personat për të cilin prokuroria ka prova të pakontestueshme, se është përfshirë në dosjen “Habilaj”, duke qenë mburojë për trafikun e kanabisit drejt Italisë. Ndërkohë që mësohet se urdhri për arrestim është dhënë edhe për dy zyrtarë të tjerë të policisë. 

Zyrtari tjetër i policisë për të cilin u pre fletarrestim nga prokuroria, është ish-drejtori i kufirit të Dhërmiut, Sokol Bode. Arresti i tretë ka të bëjë me një ish-zyrtar të policisë në Shkodër, për të cilin ka dyshime se është përfshirë në grupet kriminale në këtë qytet. Gj. K., janë inicialet e zyrtarit tjetër të policisë, për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda, dha urdhër për arrestim. Pas firmosjes, urdhër arrestet iu përcollën Policisë së Shtetit. Jaeld Çela, u shkarkua nga kreu i policisë së Vlorës, në prill të këtij viti, me vendim të ministrit Fatmir Xhafaj. Prokuroria kërkoi më herët arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar si i implikuar në trafikun e drogës me Habilajt. Aktualisht Prokuroria ka kryer kontroll banese dhe e ka marrë në pyetje Tahirin. Ish-ministri i Brendshëm përmendej në përgjimet e Habilajve, por Kuvendi nuk e dha autorizimin për arrestimin e tij, përveç kontrollit në banesë. Jaeld Çela ka drejtuar Policinë e Vlorës nga shtatori i vitit 2014 deri në prill 2017, kur u shkarkua nga detyra me vendim të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Më herët, Çela ka drejtuar edhe Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Në listën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndodhen të paktën emrat e 12 zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, për të cilët është vërtetuar se kanë qenë përfshirë në aktivitete kriminale. Ish-shefi i policisë së Vlorës dhe ai i kufirit të Dhërmiut, janë parë shpesh nën shoqërinë e Habilajve. Ata u emëruan në detyrë gjatë kohës që në krye të ministrisë së Brendshme, ishte Saimir Tahiri. Edhe për këtë të fundit, ka të dhëna për implikim në trafikun e drogës bashkë me Habilajt, ndërkohë që akuza, vazhdon të hetoj në këtë drejtim. Ndaj Tahirit dolën fakte të reja edhe pas arrestimit të biznesmenit, Orest Sota. Akuza ka dyshime se shuma prej 863 mijë eurosh, gjetur në makinën e Sotës, i përkasin Tahirit. 
Sigal