Policia luan teatër banal me CEZ-in

498
Sigal

Çuarja e policisë për të rivënë në punë me dhunë ujësjellësit është një teatër banal. Policët i çon qeveria dhe ujin e ndërpret një kompani shpërndarjeje ku vetë qeveria është bashkëpronare. Ky është teatri banal i një vendi ku shteti është bërë copa e çika nga keqqeverisja”. Kështu është shprehur deputeti socialist Arben Ahmetaj, gjatë denoncimit që i ka bërë situatës më të fundit të krijuar në vend për shkak të ndërprerjes së energjisë për ujësjellësit e disa rretheve nga ana e “CEZ Shpërndarje”. Sipas Ahmetajt kjo është një situatë e rëndë dhe paradoksale, pasi qeveria shqiptare është bashkëpronare e kompanisë së shpërndarjes së energjisë me 24%të aksioneve. Për më tepër një ditë më parë ministri i Ekonomisë kishte deklaruar se nuk do të lejohej ndërprerja e energjisë, e cila ka çuar tashmë në ndërprerjen me furnizim edhe të ujit të pijshëm për qytetarët e disa bashkive dhe komunave në vend. Por për deputetin socialist skandali është edhe më i thellë, sepse një shumë e madhe parash janë marrë nga arkat e bashkive për të paguar këto borxhe të ujësjellësit dhe këto para tashmë nuk dihet se ku kanë përfunduar. Sipas deputetit Ahmetaj, ka vetëm një rrugë për të dalë nga kjo situatë e rënduar dhe ky qorrsokak ku është futur jo vetëm sistemi elektroenergjitik, por i gjithë vendi.  “Duhet hequr shteti nga duart e paafta të Saliut. Kryeministër ik përpara se ta zhysësh vendin edhe më thellë në humnerën e rrënimit të mëtejshëm. Jep dorëheqjen sepse jo vetëm je i paaftë të ndërtosh shtet, por edhe sepse je tejet i molepsur me interesat e errëta që po shkatërrojnë shtetin. Si privatizuesi i papërgjegjshëm i rrjetit të shpërndarjes së energjisë, duhet të largohesh sepse po sjell përditë errësirë dhe mungesë uji në familjet shqiptare”, e ka përfunduar denoncimin e tij Arben Ahmetaj.