Policia inkriminuar, Macaj e Levanaku: Reforma gjueti shtrigash, frikë nga spastrimet

632
Përmirësimi i radhëve të Policisë së Shtetit shihet me skepticizëm nga ata që kanë qenë pjesë e këtyre strukturave prej vitesh, vazhdon frika e fasadave
Nisma e qeverisë e vënë në jetë tashmë nga ministri aktual i Brendshëm, Fatmir Xhafaj për të reformuar Policinë e Shtetit, shihet me skepticizëm nga shumë ish-oficer të lartë, por dhe nga ata që janë aktualisht në radhët e saj. Pak ditë më parë, Xhafaj dorëzoi në Kuvend draftin e reformës në polici. Prej vitesh kjo strukturë shumë e rëndësishme për sigurinë e vendit, ruajtjen e qetësisë, luftën ndaj kriminalitetit dhe shkatërrimit të rrjeteve të trafikut, është përfshirë në situata jo të këndshme. Në katër vite të qeverisë Rama, ndërsa në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Saimir Tahiri, policia u inkriminuar, u përfshi në trafikun e drogës, e jo vetëm kaq, por shefat e saj në rrethe u bënë një me krimin e organizuar, tre prej të cilëve tashmë janë në kërkim. Kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj e konsideron të domosdoshme këtë reformë, ndërsa shton se, ajo nuk duhet të bëhet vetëm për të spastruar nga radhët e policisë ata të palës tjetër, por të nisë nga shefat e komisariateve që, sipas tij, janë shumë të paaftë. Po kështu Macaj shprehet se Haki Çako duhet të jetë i pari që t’i nënshtrohet kësaj reforme. Më i ashpër në mendimin e tij është ish-komandanti i FNSH, Osman Levanaku. Ai thotë se reforma është thjesht fasadë dhe se Rilindja e bënë këtë vetëm për të larguar nga radhët e policisë njerëzit e Saimir Tahirit, ata të PD dhe LSI. Pra sipas tij është thjesht, spastrim. 
Macaj: Reforma të nisë nga kupola dhe SHÇBA, kjo është “thembra” e gjithçkaje
Lidhur me reformën në Polici, ajo është e vonuar, nëse flasim për “reformë” e jo për “fshesë”…! Jemi mësuar si popull që prej 27 vitesh të dëgjojmë e vuajmë fjalën “reformë”, ngelëm si pacientë pas operacioni me plagë të pambyllur…! Çdo qeveri ka bërë eksperiment me shtetasit e lodhur të saj dhe ia kanë arritur qëllimit, pasi janë të tulatur e të lodhur dhe askush nuk ngre krye! Reformimi i Policisë shqiptare, nisur nga ministri aktual Xhafaj, duhet të nisë me spastrimin e punonjësve që kanë mbushur mbi 15 vite pune ose që kanë një moshë mbi 55 vjeç. Kjo është kërkesë e kohës dhe kushteve të integrimit në BE. Nuk mund të bëhet reformë duke larguar ata të krahut matanë e të lenë këta që prej 30 e ca vitesh kanë zënë myk në detyrë dhe nuk japin asgjë, përveç korrupsion, bashkëpunim me krimin, shitje të gjurmëve të kriminelëve, dekonspirim aksionesh policore, pazare droge e kushte për kartele mafioze në gjithë fushat e tregut të biznesit. Besoj se z. Xhafaj e ka parasysh këtë realitet me stafin policor. Duhet të shohim drejt përpara dhe aspak konjukturën politike, pasi, nëse do ketë hapa prapa, më keq do bëhet për zbatimin e ligjit dhe shërbimin ndaj qytetarit. Krahas reformës duhet formim ligjor e profesional si dhe trajnim “a vita” për mirësjelljen, komunikimin me qytetarin dhe përdorimin e mjeteve të komunikimit e kompjuterike. Nuk do ketë rezultate, nëse një polic nuk njeh njërën nga gjuhët e BE apo nëse nuk njeh korrekt Kodin Rrugor, Kodin e Etikës Policore, Kodin Civil dhe pjesët kryesore të Kodit Penal. Nuk duhet lënë në hije dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme, pasi ky sektor është “thembra e Akilit” për mbarëvajtjen e punës. Duhet hetim, parandalim, analizë e prova bindëse në rastet e shkeljeve disiplinore apo zbulimit të bashkëpunëtorëve kriminalë brenda radhëve. Nuk është etike që një polic-bajloz krimi të ngjeshet me dreka e darka me të SHKB-së kur gjithë mileti e tregon me gisht dhe ia di të zezat e shkeljes së ligjit. E njëjta reformë ka nisur dhe është në vijim edhe në policinë e burgjeve, pasi jo pak anëtarë të saj, ose kanë probleme me të kaluarën, ose nuk plotësojnë kriteret për të qëndruar në detyrë. Ka prej atyre, që vetëm me një telefonatë deputeti kanë hyrë në punë dhe nuk kanë asnjë dokument në dosjet personale. Besoj se me këtë sistem rifreskimi do të kemi rezultat të pranueshëm dhe një produkt policor në shërbim të ligjit e qytetarit. Besoj, sepse nëse gabohet, atëherë do të ketë fajtorë që do përpiqen dhe do njollosin vendin tonë në momentin kyç të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Njëri prej shumë kapitujve të anëtarësimit ka të bëjë pikërisht me fushën policore, rekrutimin, kualifikimin dhe rezultatin në % pozitive. Problem do jenë Burimet Njerëzore të kualifikuara, pasi nisja e reformës do të kishte gjetur një numër të konsiderueshëm rekrutësh pranë shkollës së policisë dhe jo vetëm atë pjesë që futet në sistem për të zëvendësuar stafin që pensionohet. Do t’i kërkoja ministrit Xhafaj që të niste me spastrimin e kapove të komisariateve, me ata që bëjnë reformën, me çdo shef komisariati që ndërrohet dhe kanë ngelur si një pengesë e pakapërcyeshme për motivimin e djemve të shkolluar e zbatues ligji. Çdo komisariat ka disa plehra që komandojnë qarkullimin, në policinë e rendit dhe ecurinë e zbulueshmërisë së krimit dhe që asnjëherë nuk e “kap” reforma!!! Dhe e fundit, duhet të ketë një faturë financiare për ata që duhet të dalin në pension të parakohshëm dhe sa më shumë motivim në pagë që të ketë interes për t’u veshur nën uniformë!
Osman Levanaku: Reforma, gjueti shtrigash, janë të përfshirë të gjithë në krim
Ish-Komandati i Forcave të ndërhyrjes së shpejtë, larguar nga detyra pas ardhjes së PS-së në pushtet, e konsideron një lojë të Rilindjes, reformën në Policinë e Shtetit. Ai shprehet se e gjithë kjo bëhet vetëm për të larguar mbështetësit e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. “Nëse këta do bënin reformë korrekte unë do e pranoja me gjithë shpirt dhe pse jam i liruar nga detyra pa të drejtë dhe kam fituar gjyqet në të gjitha shkallët dhe jam me gradën, drejtues i lartë i Policisë së Shtetit dhe i stërvitur në të gjitha shtetet evropiane me certifikatat përkatëse. Mbi të gjitha kam dhe trajnimin e veçantë të Departamentit të Shtetit Amerikan. Këta i hodhën në plehra të gjitha këto. Tani me kë do ta bëjnë reformën? Për kë do ta bëjnë reformën? Janë të përfshirë të gjithë në krim e në drogë. Ta zëmë se do heqë drejtorët e policisë që kanë marrë nga 500 mijë euro nga droga. Kë do venë? Zëvendësit e tyre që kanë marrë 250 euro, shefat e krimeve, shefat e rendit që merrnin kallashin dhe ruanin parcelat se mos ua vidhnin natën, ku do i gjejnë? Pse nuk na bëjnë thirrje dhe neve që na liruan padrejtësisht, që nuk jemi të përlyer me këtë krim të tmerrshëm. Të rikthehen ata që janë larguar me pa të drejtë. Njërin nga këta që janë të përlyer në trafikun e drogës, e kanë zgjedhur dhe te ky grupi i tmerrshëm që do hetojë të tjerët. E di çfarë thotë. Si ka mundësi që më zgjodhën mua, unë për pak doja të ikja nga puna për këtë drogë. Për çfarë bëhet reforma? Nuk ka problem për një emër. Këta janë të gjithë. Ku i ke tre drejtore të qarqeve? Janë arratisur. Të tjerë në këtë moment që flasim po bëhen gati. Pra këta do largojnë nga puna çfarë ka mbetur nga ne që ishim dhe pjesën e LSI-së. Ndërsa miliarderët oficerë që kanë nga tre vila, ose do u thonë ikni ose do i ulin në detyrë. Nuk bëjnë reformë fare, ose do bëjnë gjueti shtrigash siç e kanë zakon këta të Rilindjes. Do godasin njerëzit e super trafikantit Saje qorrit. Këtu do jemi dhe ju jap fjalën, se mbas reformës do ju jap me fakte për ato që do vijnë, se për çdo njërin ka një histori droge. Pra le t’i kthejnë sytë dhe nga ne, në qoftë se do ta luftojnë krimin dhe drogën. Por nuk e bëjnë, se nuk duan.” 
Sigal