Policia: Holanda nuk është ankuar për rikthimin e vizave në hapësirën “Shengen”

512
Drejtoresha e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit Aida Hajnaj thotë se nuk ka pasur ankesa nga shteti holandez për rikthimin e vizave në hapësirën “Shengen”. “Deri më tani, Policia Holandeze apo dhe qeveria e Holandës, nuk ka shprehur asnjë shqetësim rreth shtetasve shqiptarë që udhëtojnë në këtë vend apo dhe që qëndrojnë përkohësisht në kushtet e Shengenit”, është shprehur Hajnaj. Hajnaj i ka bërë këto komente gjatë një inspektimi që ka kryer mesditën e sotme në Pikën Kufitare të Kakavijës teksa ka shprehur interes për respektimin e rregullave të reja të vendosura me urdhër të kreut të Policisë Shqiptare Haki Çako, ndaj shtetasve shqiptarë për të qarkulluar në hapësirën “Shengen”. Këto rregulla, kanë për synim, reduktimin e lëvizjeve në Shengen ku për disa shtete, shqiptarët janë shndërruar në problematikë. Gjithashtu Hajnaj ka folur edhe për sa i përket radhëve të gjata në kufijtë tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të cilën është shprehur se është pala greke ajo që ka shkaktuar vonesa. Drejtoresha e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit është shprehur se autoritetet shqiptare janë duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me palën greke për të përballuar fluksin e lartë.
Sigal