Policia e Shtetit procedon të rinjtë, pse protestuan për dorëheqjen e Fatmir Xhafaj

548
Sigal

Petraq BARJAMI

Të rinjtë e FRPD dhe LRI, edhe pse u proceduan, nuk ndalen, protestojnë poshtë zyrës së ministrit të Brendshëm.

Të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së dhe LSI-së organizuan të martën një protestë tek Ministria e Brendshme, duke kërkuar dorëheqjen e Fatmir Xhafajt. 

Hakmarrja e Pushtetit ndaj protestuesve

Pushteti hakmerret ndaj të rinjve protestues. Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 9 protestues, me pretendimin se kanë bërë protestë të paligjshme. Protesta ishte tërësisht paqësore, të rinjtë nuk shkaktuan asnjë incident. Policia e Shtetit nuk veproi fare ndaj protestuesve. Edhe, sikur, të rinjtë protestues të mos kishin marrë leje për protestë, dhe derisa protesta u bë paqësore, prapëseprapë, Pushteti nuk mund të procedojë penalisht protestuesit përse nuk morën një copë …leje të shkruar në një kartë! Procedimi penal i Policisë së Shtetit ndaj të rinjve protestues, dëshmon vetëm hakmarrjen e pushtetit ndaj të rinjve protestues. Kemi parë që edhe në shtetet demokratike, bëhen protesta, madje ka edhe dhunë, ka edhe dëmtime të pronës private dhe shtetërore nga protestues, ka edhe përplasje fizike të protestuesve ndaj policisë, mirëpo, në fund të fundit, ndodh që pushteti fal protestuesit, nuk procedon, nuk burgos protestues, përveçse në raste të përdorimit të dhunës ekstreme. Toleranca e Pushtetit ndaj frymës së protestës dëshmon edhe standardin e vetë demokracisë. Në Shqipëri, kur pushteti procedon të rinjtë protestues, edhe për protestën paqësore, atëherë, pushteti kërkon të vrasë frymën e protestës, sesa të dënojë të rinjtë protestues.

Protesta vazhdon

Ndonëse dje në mëngjes, u proceduan nga Policia e Shtetit, të rinjtë e FRPD dhe LRI-së nuk janë ndalur, por po protestuan sërish pasdite, poshtë zyrës së ministrit Fatmir Xhafaj, ku kërkojnë dorëheqjen e tij dhe, duke shfaqur një video të shkurtër të serialit “Narcos” të përshtatur në realitetin shqiptar, ata kanë kërkuar edhe largimin e kryeministrit nën thirrjet “Rama ik”. “Burg burg burg”, “Qeveria e drogës” dhe “Rama ik” ishin thirrjet e të rinjve dhe qytetarëve që iu bashkuan protestës së pasdites.

Deputetët e PD dhe LSI kërkojnë seancë dëgjimore për dhunimin e kryeredaktorit

Një grup deputetësh të opozitës në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Komunikimit Publik kanë kërkuar sot që të thirret nga ky komision për një seancë dëgjimore kryeredaktori i RD-së, Bledi Kasmi, i cili deklaroi se u dhunua gjatë protestës së opozitës më 26 maj përpara Ministrisë Brendshme, ndërkohë që fotot e tij të mbuluara me gjak bënë xhiron e mediave. Deputetët Albana Vokshi, Romeo Gurakuqi, Luçiano Boçi, Shezai Rrokaj, Nora Malaj, Floida Kërpaçi kanë firmosur kërkesën për ta dëgjuar në mbledhje të posaçme të këtij komisioni Blendi Kasmin, kërkesë e artikuluar edhe gojarisht nga Albana Vokshi gjatë mbledhjes së sotme. Ata kërkojnë që seanca dëgjimore të mbahet, më datë 04.06.2018.