“Policia duhet të jetë në shërbim të shqiptarëve dhe të shtetit të tyre!”

492
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish- Presidenti Alfred Moisiu: “Rrugëtimi i Policisë së Shtetit, i vështirë, por heroik”

Para disa ditësh në Ambientet e Shtëpisë së Kulturës Qendrore të Ushtrisë u promovua libri publicistik i Kolonel Hilë Lushakut “Drejtorët e Policisë së Shtetit”. Në këtë promovim merrnin pjesë dhe diskutuan ish- ministra të Ministrisë së Brendshme, shkrimtarë, ish -drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Mes shumë diskutantëve tërhoqi vëmendjen fjala e ish-Presidentit Alfred Moisiu.

Si do ta cilësonit librin e Kolonel Hilë Lushakut “Rrugëtimi i Policisë Shqiptare 1912-1945”?

Libri i Kolonel Lushakut është një vepër serioze për historikun real të Policisë së Shtetit Shqiptar, që nga viti 1912 deri në 1945. Një vepër që del në kuadrin e 100- vjetorit të Policisë Shqiptare, në vijim të kremtimit të 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar.

Tema që ka rrokur autori meriton vlerësim të gjithanshëm, mbi të gjitha njerëzor, profesional e historik, mbasi nëpërmjet prezantimit të jetëshkrimeve të titullarëve kryesorë të Policisë, ai na ka ngjallur skenat dhe mjedisin politik, social e ekonomik si dhe gjendjen e rendit e të problemeve me të cilat është ndeshur Policia Shqiptare në këto 100 vjet. Po kështu, ai ka ngjallur figura të pluhurosura në memorien kombëtare, disa me kontribute të çmuara e rol të shquar që nga koha e rilindjes, shpallja e pavarësisë kombëtare, të tjerë të shënuar si luftëtarë të paepur të çështjes shqiptare, pishtarë të problemeve të sigurisë publike, atdhetarë të zjarrtë që u tretën apo u sakrifikuan në të mirë të përmbushjes së misionit të lartë që patën mbi vete, prej tyre edhe të dënuar apo ekzekutuar për besnikërinë apo zellin e tepruar në kryerjen me përkushtim të detyrës, të tjerë të etiketuar armiq, tradhtarë, persekutorë, terroristë, fashistë, nazistë, komunistë, e plot të tjerë të akuzuar edhe për gjenocid, për paaftësi, politizim, etj.. E vlerësoj jo vetëm kontribut të madh për Policinë, por edhe një simbolikë përshpirtjeje të autorit për ata drejtorë policie që sot nuk jetojnë. Tashmë ata janë së bashku, regjistruar të grupuar, në dokumentin e parë të titulluar “Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë Shqiptare të shekullit të parë të shtetit të pavarur shqiptar”. Sot, për ata, kemi një jetëshkrim, që deri më tani na ka munguar, kemi një informacion për kontributin e tyre shoqëror e profesional, për gjurmët që kanë lënë në garantimin e rendit në Shqipëri, por edhe për trashëgimtarët që lanë pas. Ky libër jetëshkrimesh na tregon ku janë varret për nderimin e secilit.

A kanë qenë të harruar drejtuesit e policisë?

Libri është një shembull i mirë i ngjalljes së të “harruarve”, një apel i rishikimit e vlerësimit të merituar të punonjësve të ndershëm të administratës pavarësisht se, kush është forcë politike në pushtet, është një fshikullim i atyre që shkelin betimin e ligjin e kthehen në shërbëtorë apo servilë të klasës politike e të shefave miopë, por edhe një fshikullim i atyre që nëpërkëmbin apo zhvlerësojnë kuadro të aftë, të devotshëm, të vlefshëm, madje të domosdoshëm, por që politika partiake e jo shqiptare i konsideron barrierë në realizimin e synimeve të saj.

 Pse e thekson këtë problem?

E theksoj këtë problem, mbasi e konstatova shqetësues kur isha në detyrën e Presidentit të vendit, atëherë kur drejtori i Përgjithshëm i Policisë në detyrë, zoti Bajram Ibraj, më kërkonte me këmbëngulje largimin nga posti, për shkak të vështirësive dhe pengesave që i sillnin autoritetet e larta të politikës për kryerjen normalisht të detyrës, gjë të cilën nuk e kam pranuar por e kam inkurajuar të ecte përpara ndershmërisht, ashtu sikurse ai punoi gjithë kohën.

 A kanë nevojë studiuesit për vepra të tilla?

 Studiuesit tanë kanë nevojë për vepra të tilla, të mbështetura në hulumtime të shumtë dhe të kujdesshme të arkivave dhe të dokumenteve të ndryshme që hedhin dritë mbi ato zhvillime dinamike dhe të shumta gjatë këtyre një qind viteve të pavarësisë. Jam dakord me autorin se ky libër është një tablo e skicuar me të dhëna në prova, në dokumente shkresore të arkivuara, të cilat vërtet janë qimtuar me shumë kujdes, për të dhënë një tablo sa më të plotë të rrugëtimit të policisë për një periudhë mëse 32- vjeçare. Në bibliografinë e librit jepen një mori e madhe burimesh të përdorura, sikurse janë gazeta të kohës që nga viti 1913 afro 70 organe të ndryshme, rreth 35 fletore dhe gazeta zyrtare, më se 60 fonde dhe dosje arkivore që flasin për organizimin dhe zhvillimin e policisë në vite të ndryshme, si dhe mjaft libra të shkruara në kohëra të ndryshme për aktivitetin e policisë. Pra, është një punë mjaft voluminoze që përbën vlera shkencore dhe historike, për të cilën vërtet duhet ta falënderojmë Kolonel Lushakun. Në libër janë paraqitur me shumë kujdes dhe përgjegjësi hapat e hedhura si nga politika ashtu edhe nga profesionistët për të ndërtuar një polici që të ishte në shërbim të shqiptarëve dhe të shtetit të tyre.

Kush të ka bërë më shumë përshtypje në këtë libër?

Më bëri shumë përshtypje shprehja e vendosur që në fillim të –“Në vend të pasthënies”-, ku thuhet sesi ish vartësi i Kolonelit me ndjenjë keqardhje, por dhe pafuqishmërie i thotë – “Dilni në reformë për shkurtim të funksionit organik”. Shprehje tipike të përdorura gjatë 22 viteve të fundit për të krasitur radhët e Policisë së Shtetit, sipas dëshirave dhe llogarive keqdashëse të politikanëve tanë gjithë këto vite. Është interesante se në libër përshkruhet me hollësi të ndryshme jeta dhe aktiviteti i shumë personazheve të rëndësishëm të atyre kohërave, gjithsej 166.

Si ka qenë fati i policisë shqiptare gjatë gjithë kohërave?

Sigurisht që, duhet thënë se fati i Policisë Shqiptare ka qenë mjaft tragjik, gjatë gjithë kohërave, pasi politika është munduar që në radhë të parë të kujdesej për kontrollin mbi të, gjë që nuk ndodh në vende të tjera demokratike ose ku ka qëndrim dhe përgjegjësi për strukturat që mbajnë shtetin në këmbë. Shërbimi në polici është profesion që kërkon arsimimin e duhur përkatës dhe përvojën e duhur. Shembulli i agjentit hungarez në vitin 1956, i cili shërbente si agjent krimesh që në kohën e Austro-Hungarisë dhe më vonë, sesi ai mundi të zbulojë me shpejtësi se kush ishte hajduti, në një kohë kur Budapesti ishte në revolucion. Oficeri i policisë është njeri i përgatitur për atë punë dhe atij nuk mund t’i privohet profesioni. Pse kjo nuk ndodh me mjekët ose me avokatët.

Si ka reaguar shtypi ndaj policisë

Po të shohësh shtypin e kohës, që autori sjell me shumë kujdes reagimet e tij në periudha të ndryshme, ka shumë  fakte interesante që të kujtojnë kohërat e sotme si Gazeta “KOHA” në vitin 1922 “Trupat e Policisë dhe Xhandarmërisë kanë një barrë të rëndë, prandaj nuk duhet të transferohen pa ndonjë shkak. Degradimet dhe pushimet janë të këqija. Është një padrejtësi e madhe kjo mënyrë, se ta degradosh ose ta pushosh një nëpunës pa ndonjë faj, është sikur ta vrasësh në zemër. Shumë nëpunës, të cilëve nuk u gjen as më të voglin faj, duke shërbyer prej vitesh me nder dhe drejtësi, përse të degradohen edhe të pushohen? Apo vetëm nga shpifjet e ndonjërit që nuk mbushi dëshirat, të padrejta, duhet vepruar një vendim i tillë?… Le të gjykojnë vetë të mëdhenjtë që sa keq ishte kur i transferonin, pushonin, degradonin edhe i rrëzonin nga grada, pa ndonjë faj kur ishin nëpunës të vegjël”.****, Gazeta “Vullneti i Popullit” në vitin 1931:” Ndër të tana viset e botës kultura e zotësia e policit asht shumë më e naltë se ajo e nji gjindarmi dhe ndër shtetet e përparuem s’ka polic që të mos ketë kryer fakultetin e drejtësisë… Polici të ketë bashkë me cilësitë e tjera edhe një kulturë të çqueme kur të mirret parasysh se në rrethin që zhvillon misionin e ti, shoqnija asht ma e kompromentuene dhe delikuenca asht, si me thanë racionalizue e qi prandej lypet squeti, mendje e zhvillueme nga shkolla për tëndjekun dhe eliminue aktetma me strategjem të delinkuencës….Mjerislit policët tanëjanë me shkollë fillore, ose mund të gjindert nga ata që nuk kanë parë hiç derën e shkollës..“******. Po kjo gazetë ngrinte nevojën krijimit të Shkollës së Policisë dhe të përcaktimit të kritereve për rekrutimin e policëve të rij. Pra interesi i shoqërisë dhe i shtypit ka qenë për të pasur një polici të arsimuar, të stërvitur dhe jashtë interesave politike. Kështu, gjithmonë janë interesuar që policia të mos keqpërdoret nga politika, sikurse ka ndodhur edhe këto 22 vite të tranzicionit tek ne. Kemi dy polici: një në detyrë dhe një në shtëpi, që është mjaft kriminale pasi në këtë mënyrë efektivi e ndjen veten të përkohshëm në detyrë, çka i heq atij përgjegjësinë për të bërë detyrën për të cilën ai është përgatitur dhe betuar, duke u kthyer në një vegël e politikës për të ruajtur pushtetin e saj.