‘Polici private paralele brenda Policisë së Shtetit’/ Antikorrupsioni në PD: ‘Rama, polici personale që i dhuron tendera klientëve’

1351
Sigal

Departamenti i Antikorrupsionit, Aksesit në Shërbime dhe Transparencës, në Partinë Demokratike, ka denoncuar vendimin e qeverisë për ngritjen e një shoqërie private me 10 mijë policë shtetërorë, e cila do të jetë një superforcë paralele e Policisë së Shtetit.

Ky Departament ka ngritur edhe problematikat që do të sjellë ky vendim ndërsa thekson se me ngritjen e Illyrian Guard: “Qeveria dukshëm ka krijuar mundësinë të përdorë funksionet e saj për të ndërhyrë në treg në favor të një grupi klientësh pranë saj. IG do të ishte thjesht forma dhe metoda se si ajo të centralizojë me koncesionet dhe tenderat e ruajtjes fizike, ndërkohë që me këtë skemë produkti është një një polici paralele, në sensin një policie personale të qeverisë, që i dhuron tendera klientëve të saj dhe deformon vullnetin e zgjedhësit.

‘ILLYRIAN GUARD SH.A, SHOQËRIA SHTETËRORE E SIGURISË ME 10.000 POLICË, NJË SUPERFORCË PARALELE E POLICISË, NË SHKELJE TË MSA-së

Me VKM nr. 177, date 4.4.2019, Këshilli i Ministrave miratoi krijimin e shoqërisë aksionare “Illyrian Guard” sh.a, me shtetin pronar 100% të aksioneve të shoqërisë, përfaqësuar nga Ministria e Brendshme.

Objekti i veprimtarisë është ofrimi i shërbimeve me pagesë, kundrejt subjektevve të treta, publike ose private, në fushën e RENDIT E TË SIGURISË, teknologjisë së informacionit […] (pika 5 e VKM).

Mbi bazën e kësaj VKM-je, të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim (pra jo vetëm në pronësi) objekte shtetërore, duhet t’i drejtohen kësaj shoqërie për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike (pika 10 e VKM).

Shërbimi, i cili prej vitesh është prokuruar në bazë të ligjit për prokurimin publik dhe është ofruar nga shoqëri tregtare me kapital privat, sot, mbi bazën e VKM-së do të ofrohen me detyrim-përcaktin nga shoqëria në fjalë.

Përllogaritja e tarifave u miratua me udhëzim të ministrave përkatës në 14.06.2019 dhe u publikuan në fletoren zytare pas një muaji.

Sipas vlerave të përcaktuara në këtë VKM, rezulton se çmimi për punonjës është 71.243 lekë, ndjeshëm më i lartë se ai i një punonjësi të kompanie private.

Kapitali i regjistruar i kësaj shoqërie është 10.000.000 lekë dhe është shlyer tërësisht.

Në datat 7/6/2019 dhe 3/7/2019 kjo shoqëri, në cilësinë e autoritetit kontraktor, ka shpallur dy procedura prokurimi, përkatësisht me objekt “blerje motorr” dhe “blerje uniforma” (anuluar). Vlerat e fondit limit janë përkatësisht 41,9 mln lekë dhe 35 mln lekë (të vjetër).

Për të dy objektet në fjalë, burimi i financimit, sipas shpalljes është vetëfinancimi. Duke pasur parasysh që kjo shoqëri disponon vetëm kapitalin e regjistruar dhe ky i fundit, në bazë të legjislacionit për shoqëri tregtare, është i paprekshëm, si garancia minimale e kreditorëve, pyetja që shtrohet është se me cilat fonde do të prokurohen këto objekte, me vlerë totale 77 mln lekë (të vjetër). Rrjedhimisht, në mënyrë të arsyeshme ngrihet dyshimi se do të kemi të bëjmë me ndihmë shtetërore, gjë që bie ndesh me një sërë ndalesash (MSA, legjislacion i brendshëm).

Problematikat:

-Vendimi bie ndesh me rregullat e prokurimit publik, pasi përjashton nga procedurat e prokurimit publik te gjitha kontratat që shoqëria do të lidhë me të gjitha entitetet publike për ofrimin e shërbimit të rujatjes dhe sigurisë.

Duke iu referuar pikës 10 të VKM kontratat do të lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërmjet shoqërisë Illyrian Guard sh.a dhe entitetit publik përkatës, pa zhvilluar asnjë procedurë konkurruese. Qëllimisht nga hartuesit e VKM nuk është vendosur si bazë ligjore për nxjerrjen e saj, ligji I prokurimit publik, duke tentuar të anashkalohet ligji nëpërmjet dispozitave të një akti nënligjor, siç është VKM-ja.

– Konkurrenca: Tarifat e përcaktuara me udhëzimin e sipërtreguar janë më të larta se tarifat të cilat dalin nga nje procedurë konkurruese dhe bazuar edhe në normat për kostimin e këtyre shërbimeve.

Për më tepër vendosja e tarifave nga ministria e financës dhe e brendshme është në kundërshtim me bazën ligjore që rregullon veprimtarinë e çdo entiteti ekonomik në formën e shoqerisë aksionare (sh.a), pavarësisht pronësisë private apo publike të saj.

Pra, tarifat vendosen nga tregu nëpërmjet konkurrimit në tregun e lirë dhe jo përcaktimi i tyre nga strukturat shtetërore.

Vendimi shtrembëron konkurrencën, duke favorizuar nje subjekt të krijuar me kapital shtetëror dhe duke i krijuar atij kushtet që të veprojë si ofrues eskluziv shërbimesh për të gjitha strukturat shtetërore.

– Krijimi i një subjekti me kapital shtetëror dhe dhënia këtij subjekti i të gjitha kontratave të ruajtjes dhe sigurisë publike të institucioneve publike, përbën ndihmë shtetërore.

Kjo ndihmë do të duhet të jepet edhe në vazhdimësi për këtë subjekt, pasi duke ju referuar kapitalit te regjistruar prej 10 mln lekë, duket qartë që ky kapital nuk mund të mbulojë absolutisht nevojat e nje kompanie, e cila do të ketë përmasa të tilla për të filluar veprimtarinë e saj. Kjo konfirmohet psh. me prokurimin e objekteve të sipërtreguar nga ana e kësaj kompanie. Me cilat fonde kjo kompani blen këto objekte (motorrë, unifotma), duke qenë se disponon vetëm kapitalin e regjistruar?!

Gjithashtu, duke pasur parasysh numrin e përafërt të institucioneve shtetërore që ruhen me këtë shërbim rujatje si dhe duke u bazuar në numrin e kontratave të lidhura brenda vitit nga entitetet shtetërore, të cilat botohen në buletinin e prokurimit publik, shoqëria Illyrian Guard sh.a brenda vitit 2020 duhet të ketë një personel prej të paktën 10000 punonjësish.

Për një shoqëri të përmasave të tilla, një shifër e përafërt e investimeve të nevojshme vetëm ne makineri e pajisje përpara fillimit të veprimtarisë (sallë operative, automjete, motorrë, uniforma, armë, sisteme vëzhgimi, sisteme komunikimi, etj.) sipas parashikimeve ligjore të do të ishte të paktën 2 milion euro. Ndaj, në këto kushte, përveç kapitalit të regjistruar, shoqëria vete nuk ka asnjë aset për të vendosur si kolateral për t’ju drejtuar sistemit bankar privat për fonde.

Do të jetë shteti që do të financojë përsëri këtë shoqëri me likuiditete të tjera.

Në këto kushte jemi përpara një ndihme shtetërore të mirëfilltë, duke pasur parasysh organizimin në formën e sh.a të këtij entiteti ekonomik.

– Nga ana tjetër vendimi është në kundërshtim me Ligjin nr 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, pasi ofrimi i shërbimeve në fushën e rendit dhe sigurisë publike është eskluzivitet i Policisë së Shtetit (shih objektin e veprimtarisë së Illyrian Guard sh.a sipas VKM) dhe nuk mund të delegohet tek një entitet ekonomik (qoftë edhe me kapital shtetëror) nëpërmjet një VKM.

– Problematika e një natyre tjetër është se kjo skemë përfaqëson rrezikun e krijimit të një policie politike të kamufluar me petkun e një shoqërie aksionere.

Siç u përmend më sipër, kemi të bëjmë me një entitet, i cili, nëse do të bëhet operativ, brenda nje afati disa mujor do të ketë të paktën 10000 punonjës. Këta do të ishin në shërbim të fushatave politike, duke pasur parasysh keqpërdorimin që qeveria e Ramës i ka bërë strukturave të Policisë së Shtetit dhe shtrirjen territoriale kapilare që do të ketë zhvillimi i veprimtarisë i kësaj shoqërie.

– Nga ana tjetër, nisur nga rruga e ndjekur në nivel normues dhe ekzekutiv nga qeveria e rilindjes, nuk përjashtohet mundësia që kjo skemë të ketë për qëllim dhënien me PPP të këtij shërbimi.

Illiryan Guard mund t’i kalojë aksionet e saj në emër të kompanive të tjera të “rilindjes”, në mënyrë të veçantë atyre kompanive që kanë fituar tenderat dhe koncesionet për ruajtjen e godinave fizike. Kësisoj kompani si Ndreu Security, Gjici etj mund të jenë nesër kompanitë që do të kenë aksione në këtë kompani. Për rrjedhojë do të fitojnë mundësinë për të ruajtur objektete qeveritare si dhe të ardhurat nga këto institucione (që, siç cituam më sipër, do të detyrohen ligjërisht) në xhepin e tyre.

Pra, Qeveria dukshëm ka krijuar mundësinë të përdorë funksionet e saj për të ndërhyrë në treg në favor të një grupi klientësh pranë saj. IG do të ishte thjesht forma dhe metoda se si ajo të centralizojë me koncesionet dhe tenderat e ruajtjes fizike, ndërkohë që me këtë skemë produkti është një një polici paralele, në sensin një policie personale të qeverisë, që i dhuron tendera klientëve të saj dhe deformon vullnetin e zgjedhësit.’