Policët, 30 ditë afat për deklarimin e pasurisë dhe lidhjeve personale

817
Rreth 13 mijë punonjës të Policisë së Shtetit do të kenë 30 afat për të deklaruar pasurinë, aftësitë profesionale dhe të dhënat për kontrollin e figurës. Më hyrjen në fuqi të ligjit të vetingut për policinë më 5 prill, do të jetë vetëm 1 muaj në dispozicion të uniformave blu për të “rrëfyer” veten dhe të afërmit. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi më 20 mars ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme” dhe me botimin e tij në Fletoren Zyrtare në të njëjtën ditë do të nevojiten 15 ditë deri në hyrjen në fuqi. Objekt i vlerësimit të pasurisë është deklarimi dhe kontrolli i pasurive, i ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre, i përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat privatë për punonjësin dhe për personat e lidhur me të. Punonjësi i policisë duhet të deklarojë çdo pasuri, të luajtshme apo të paluajtshme, të fituar, poseduar, përdorur apo tjetërsuar që nga data e fillimit të marrëdhënies së punës në institucionin përkatës, pavarësisht datës së emërimit në pozicionin dhe/ose gradën që mban, deri në ditën e plotësimit të formularit të deklarimit të pasurisë. Ky deklarim fillon ditën e parë të marrëdhënies së punës. Punonjësi plotëson deklaratën e pasurisë brenda 30 ditëve, nga hyrja në fuqi e ligjit, dhe e dorëzon në njësinë e burimeve njerëzore të institucionit ku punon. Gjithashtu, objekti i vlerësimit të aftësive profesionale është vlerësimi i nivelit të arsimimit dhe trajnimit në përputhje me gradën dhe/ose pozicionin, respektimit të rregullave të etikës, si dhe i përmbushjes së detyrave nga punonjësi, në përputhje me këtë ligj dhe me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Periudha e vlerësimit për aftësitë profesionale, për efekt të këtij ligji, përfshin periudhën që nga data e emërimit të punonjësit në gradën dhe/ose pozicionin që mban, por jo më shumë se 7 vjet. Objekti i kontrollit të figurës është verifikimi i deklarimeve të punonjësit dhe i të dhënave të tjera, me qëllim verifikimin e vërtetësisë dhe besueshmërisë së deklarimeve, si dhe identifikimi i atyre që janë të përfshirë apo kanë kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në veprimtari kriminale. Në fazën e parë të procesit të vetingut do të kontrollohen rreth 300 oficerë të lartë të policisë dhe më pas procesi do të shtrihet në hallkat e tjera të uniformave blu.
Sigal