“Policë me nivel të ulët arsimor Do ndryshojë sistemi i edukimit”

435
Sigal

TIRANE– Efektivët e Policisë së Shtetit do të kualifikohen me një edukim të plotë policor dhe jo sipas sistemit të vjetër. Këtë e ka shprehur kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të punës së Ministrisë së Brendshme në 300 ditë qeverisje. Kreu i qeverisë tha se do të ngrihet një universitet për policinë dhe sigurinë në mënyrë që kuadrot e policisë të jenë të përgatitur, pasi aktualisht Policia e Shtetit sipas kryeministrit ka një nivel të ulët arsimor. “Kemi policinë me nivel të ulët arsimor. Niveli i policisë ishte i ulët. Kuadrot e policisë sonë nuk mund të kualifikohen me sistemin hibrid që ka qenë në fuqi deri më sot. Duhet të përgatisim gjeneratën tjetër përmes një edukimi të plotë policor. Nuk është kjo një çështje kursesh as 3 apo 6-mujore. Çfarë mund të presim ne nga një polici plepash. Do të ngremë Universitetin e Policisë dhe Sigurisë”, tha kryeministri Rama.

300 ditëshi, Tahiri: Luftë kulturës së korrupsionit ndaj policisë
Ministria e Brendshme prezanton punën e bërë nga ky dikaster në 300 ditë qeverisje. Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është ndalur tek arritjet e deritanishme të institucionit që ai drejton, si dhe tek sfidat në ditët e ardhshme. Ministri Tahiri theksoi se do të thellohet lufta kundër kulturës së korrupsionin ndaj policisë. Sipas ministrit janë bërë kallëzime ndaj punonjësve të policisë për abuzim me detyrën. “Në 300 ditë kemi bërë ç’ishte e mundur që qytetarët të na besojnë më shumë. U morën masa disiplinore për më shumë se 700 punonjës. Po kështu hodhëm hapat me ligjin e SHKB. Kemi rritur transparencën në policinë e Shtetit. Në 300 ditë publiku fitoi më shumë besim te policia. Do të luftojmë kriminalitetin e fshehur”, tha ministri Tahiri.

Didi: Gjetëm një polici me borxhe të akumuluara
Sipas kreut të Policisë së Shtetit Artan Didi pavarësisht situatës së rënduar në të cilin u gjend ky institucion për shkak të borxheve të akumuluara, situata u përmirësua. Didi tha se në këto 300 ditë qeverisje është rritur besimi i qytetarëve tek policia. Duke përmendur arritjet e kësaj periudhe, Didi u ndal edhe tek operacioni antikanabis i policisë në Lazarat. “E gjetëm Policinë e Shtetit në një situatë të vështirë për shkak të borxheve të akumuluara. 300 ditë më parë policia ishte në agoni. Qytetarët nuk kishin besim tek policia. Sistemi i gradave në polici ishte ngritur mbi një sistem nepotik. Por ne vijuam përmirësimin e këtij institucioni. Arritje për ne ishte operacioni antikanabis në Lazarat. Kultivimi i kanabisit ishte në masa historike, e shtrirë në gjithë Shqipërinë”, tha Artan Didi.