Polemika/ Kisha Katolike kundër ministreve të Ramës: Nuk duhet të flisni për abortin dhe martesën gay

549
Sigal

Një polemikë ka lindur mes Kishës Katolike dhe ministreve të qeverisë Rama, të cilat i dërguan një letër parlamentit hollandez, ku e përgëzonin dhe lavdëronin këtë vend që ka legalizuar abortin dhe martesat gay.

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Mons. George Frendo, ka reaguar për këtë letër dhe shprehet se ministret nuk duhet të flasin në emër të shqiptarëve dhe të lavdërojnë legalizimin e abortit dhe martesave gay. Por në fakt duket se Arqipeshkvi nuk ka informacionin e duhur, pasi aborti në Shqipëri është legalizuar në vitin 1995, si një e drejtë themelore e çdo gruaje dhe në 5 vitet e fundit në Shqipëri ka patur rreth 29 mijë aborte.

Ndërsa lidhur me martesat gay, qeveria shqiptare nuk ka një qëndrim publik nëse e mbështet legalizimin e tyre, ndaj është i çuditshëm fakti se ministret kanë lavdëruar Hollandën për këtë çështje.

Komenti i Arqipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit: 

Janë tetë ministre gra që u janë drejtuar deputetëve të Parlamentit Holandez me një letër. Në këtë letër shkruajnë se janë ‘nëna dhe bija, gra që luftojnë për familjet tona dhe për kombin tonë’.

Më poshtë shkruajnë: ‘Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Hollandën’. E pse? Sepse ‘ju ishit ndër të parët në botë që keni legalizuar abortin’ dhe ‘keni qenë vendi i parë në botë që keni legalizuar martesën e së njëjtës gjini në 2001’.

Disa komente. ‘Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Holandën’. Vërtetë, janë deputete, janë ministre. Por kush u dha të drejtën të flasin në emrin e të gjithë shqiptarëve? Janë ‘nëna’. Atëherë pritet se e vlerësojnë jetën njerëzore. Si pra guxojnë ta lavdërojnë Holandën sepse kjo ka legalizuar vrasjen e jetës njerëzore të ngjizur në kraharorin e shumë nënave? Janë ‘bija’, dhe, supozojmë (pasi janë edhe nëna), të martuara. Sigurisht, kanë lindur fëmijë jo nga një grua tjetër, por nga një burrë. Dhe thanë se ‘luftojnë për familjet’ – imagjinojmë se e përkufizojnë familjen si bashkësi që përfshin burrin dhe gruan bashkë me fëmijët e tyre. Këto fjalë janë krejt në kundërshtim me pohimin e tyre, ku kanë miratuar qëndrimin e Holandës që ka legalizuar martesën e së njëjtës gjini.

Ta legalizosh abortin dhe martesën gay a është shenjë e një shoqërie të emancipuar? A është shenjë përparimi?

Të dashur Ministre, ju lutem: familja shqiptare është dalluar si një bërthamë shumë e bashkuar dhe të qëndrueshme. Mbrojeni jetën njerëzore, mbrojeni familjen shqiptare! Tashmë ka shumë faktorë që po sulmojnë familjet tona sot. Është detyra juaj, si përfaqësuese të popullit tonë dhe ministre, t’i mbroni vlerat e vërteta për një Shqipëri më të mirë!