Pojana: LSI, zgjidhje konkrete për të ardhmen e vendit, të rinjtë

674
Sigal

Nënkryetari i LSI-së, Klevi Pojana ishte i ftuar ditën e sotme në një intervistë për televizionin Ora News, ku foli për aktualitetin politik, për situatën e të rinjve sot në Shqipëri, si dhe çështjen e reformës zgjedhore.

Pojana u ndal gjerësisht në problematikën e largimit të shqiptarëve nga vendi duke i vendosur një theks të veçantë largimit të të rinjve. Ai u shpreh se të rinjtë janë vitaliteti i një kombi dhe se çdo ditë në gjithe vendin shihet një dëshirë e frikshme nga ana e tyre për tu larguar nga vendi.

“Unë dua të fokusohem më tepër tek të rinjtë, tek ajo që përbën vitalitetin e një kombi. Tek ajo që përbën të ardhmen e një kombi dhe realisht nga komunikimi i ditë për ditshëm më të rinjtë. Jo vetëm në Tiranë por në të gjithë vendin shikohet një dëshirë e frikshme për tu larguar nga vendi. Shikohet një mungesë shprese. Shikohet një mundësi e munguar për ta në mënyrë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Sigurisht, faktor kryesor mbetet papunësia. Mbetet klima e keqe e biznesit për një të ri i cili dëshiron të hapë një biznes. Mbeten kushtet e vështira të edukimit dhe të arsimimit në Shqipëri, ku të rinjtë përballen me tarifa shumë të larta dhe më një cilësi të dobët të arsimimit. Kjo përbën edhe arsyet madhore pse të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre diku gjetkë. Kryesisht në Europë apo vendet perëndimore, ku për hir së të vërtetës shumë të rinj janë larguar kohët e fundit dhe kanë krijuar atje të ardhmen e tyre, duke u shkolluar por edhe duke u punësuar në të tilla vende. Kështu që jemi përballë një krize të madhe, një krize e cila kërkohet me patjetër që të investohet dhe të angazhohet i gjithë faktori politik dhe jo vetëm, në mënyrë që të rinjve ti krijohet një klimë, një mjedis për të ndërtuar këtu të ardhmen e tyre, për të parë këtu ëndrrat e tyre”,- tha Pojana

Njëherazi Anëtari i Kryesisë së LSI-së, u shpreh se për Lëvizjen Socialiste për Integrim mbështetja e të rinjve ka qenë një motiv shumë i madh për tu angazhuar politikisht.
“Kjo ndoshta përbën edhe arsyen kryesore pse LSI ndër vite ka pasur dhe rritje. Ka pasur dhe një motiv shumë të madh për tu angazhuar politikisht. Sepse ka qenë një parti e cila identitetin e saj e ka krijuar si një parti që mbështet të rinjtë, mbështet të ardhmen e vendit. Këtë e ka treguar jo vetëm më angazhimin në të gjithë zërat e ligjvënies në Parlament, por sigurisht e ka treguar edhe në përfaqësimin e të rinjve, si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror. LSI aktualisht ka dalë me disa propozime për të rinjtë. Ka dalë me disa propozime për sa i përket zgjidhjes që duhet dhënë për sistemin arsimor dhe në mënyrë që shteti ti përgjigjet kërkesave për mirë edukim. Sigurisht që plani i LSI ka qenë i qartë. Edukim për punësim ka qenë një plan i cili realisht ka kërkuar një energji të jashtëzakonshme, por kjo energji nuk mjafton vetëm të jetë teorike, duhet të kthehet në praktikë.”-tha ndër të tjera Pojana