Po punohet për riintegrimin e të burgosurve

482
Sigal

Shqipëri–Britani, marrëveshje për transferimin e të burgosurve

Zv/ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi dhe Ministri Britanik i Burgjeve, Crispin Blunt, nënshkruan në Londër një marrëveshje për transferimin e detyrueshëm të të burgosurve (CPTA), sipas të cilës, të burgosurit shqiptarë do të transferohen me detyrim nga Britania për të përfunduar dënimin e tyre në Shqipëri, bënë të ditur burime nga ambasada Britanike në Tiranë. Kjo është marrëveshja e parë dypalëshe, që Ministria e Drejtësisë Britanike ka nënshkruar me një vend, i cili ka një numër të madh qytetarësh në burgje në Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht janë rreth 180 të burgosur shqiptarë në burgjet në Mbretërinë e Bashkuar, prej të cilëve mbi 100 mund të jenë të ligjshëm për transferim nën këtë marrëveshje. Marrëveshja, gjithashtu, parashikon se edhe qytetarët britanikë, të cilët janë vuajtës të dënimit në Shqipëri, mund të transferohen me detyrim në Britani. Marrëveshja për transferimin e të burgosurve, CPTA, do të duhet të ratifikohet nga parlamenti shqiptar, gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar dhe pastaj të dërgohet në Parlamentin Britanik. Ndërkohë, Shërbimi Kombëtar Britanik për Menaxhimin e të Dënuarve është duke identifikuar të burgosurit shqiptarë, të cilët plotësojnë kriteret për t’u transferuar, në përgatitje për të dërguar dosjet e tyre tek Agjencia Britanike e Kufirit. Ministri Britanik për Burgjet, Crispin Blunt, u shpreh se “ne tashmë jemi duke lëvizur mijëra kriminelë të huaj në fund të dënimit të tyre, ose sipas marrëveshjeve të transferimit, për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në vendet e tyre. Ne besojmë se kudo që të jetë e mundur, të burgosurit e huaj duhet të kryejnë dënimin në vendin e tyre. Jo vetëm se kjo do të kursente para, për Mbretërinë e Bashkuar, por, gjithashtu, do të thotë se këta të burgosur do të jenë më afër familjes dhe miqve”. Kjo sipas tij, “ndihmon për të mbështetur rehabilitimin social të të burgosurve dhe riintegrimin në shoqëri. Transferta do të ndihmojë edhe vendin e tyre për të marrë masat e duhura për mbrojtjen e tyre publike, pas lirimit”.