Plehrat vijnë shumë shpejt në Parlamentin Shqiptar

484
Rezultati i 25 Qershorit i hapi rrugën importit të plehrave në parlament.
Asgjë nuk e pengon më Edi Ramën të kalojë ligjin që mbeti peng i votës së LSI në legjislaturën e kaluar. Dhe socialistët nuk janë menduar dy herë. 
Në programin e punimeve të Kuvendit, të periudhës 18 shtator-13 tetor 2017, një nga ligjet që do të kthehen për t’u votuar është edhe ai i “menaxhimit të integruar të mbetjeve”. 
Rama tentoi t’a kalonte këtë ligj edhe tetorin e kaluar, por pa sukses. Në vazhdën e protestave të opozitës dhe revoltës së ambientalistëve, e vetmja pengesë për kryeministrin atëherë ishin votat e aleatëve të LSI-së.
Rrëzimi i vendimit të parë që mori qeveria “Rama 1”, nuk ishte i lehtë për socialistët. Deklaratat e forta kur ishin në opozitë, se e vetmja arsye që vende si Shqipëria të importonin plehra, ishte kapja e qeverisë nga mafia, iu kthyen kundër në fund të mandatit 4-vjeçar.
Shpjegimi i socialistëve ishte se ligji i Berishës për importin e plehrave ishte i ndryshëm nga ai që kishte hartuar Rilindja.
Çfarë shkruante Rama në Twitter, në vitin 2011:
“Të thuash dua plehra nga jashtë është tradhëtia më e madhe kombëtare në kushtet kur vendi ka 1 milionë ton plehra rrugëve…”
Por ky debat shkoi edhe më tej, kur qeveria pretendoi se një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në BE ishte ligji për importin e plehrave. Bashkimi Europian e hodhi poshtë këtë pretendim.
Raporti i progresit i Komisionit Evropian theksonte se zbatimi i këtij ligji kërkonte që Shqipëria të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, institucionet dhe një sistem për monitorimin kontrollues dhe raportimin e lëvizjes së plehrave.
Mesazhi i Bashkimit Europian ishte i qartë, Shqipëria nuk ishte gati për të ndërmarrë këtë iniciativë.
Avokati kryesor i ligjit, Eduard Shalsi i quajti ambjentalistët ‘qaramanë’ dhe deputetët opozitarë ‘intrigantë dhe spekulantë’ dhe që e përdornin këtë çështje për përfitimet e tyre të ngushta personale. Eduart Shalsi është emëruar sërish nga PS në krye të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese që kaloi ligjin për votim.
Pas bllokimit që i bëri LSI, socialistët e arkivuan këtë çështje, duke e shmangur nga programi qeverisë apo nga diskutimet në fushatë. 
Ndryshe nga atëherë, në mandatin e dytë Edi Rama numëron lehtësisht 78 vota në parlament, të mjaftueshme për të kaluar çdo ligj./ Lapsi.al
Sigal

Rezultate imazhesh për trash landfill