Platforma online e qytetarëve, si do të denoncohen zyrtarët dhe si do të mbrohen nga shpifjet

582
Kryeministri Edi Rama prezantoi dje platformën online të bashkëqeverisjes me qytetarët, ku jepet ndër të tjera, e drejta e denonconimit të abuzimeve të qeveritarëve. Por, Rama ka marrë masat dhe ka paralajmëruar qytetarët se do të duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që denoncojnë.
“Çdo person që do të regjistrohet për të qënë pjesë e këtij procesi dhe për t’i dhënë vetes statusin e anëtarit, apo anëtares së koalicionit, – tha Rama, – do të mbajë përgjegjësinë e vet për atë që shkruan, në kuptimin që do t’i dalë për zot edhe çdo denoncimi për sjellje abuzive, për sjellje korruptive, për ngjarje, apo informacione shqetësuese që do t’i ndajë me ne. Do t’i dalë për zot, do të thotë që pas këtij ekrani është përgatitur dhe do të qëndrojë një grup i tërë njerëzish që do të ndjekin në kohë reale çdo opinion, kërkesë, ankesë dhe do të bëjnë verifikimin në një afat të përcaktuar të të gjitha atyre ankesave që lidhen me persona, me zyra, ose institucione të caktuara.
Në këtë proces verifikimi, çdo person që do të denoncojë do të jetë pjesë aktive, për të goditur sëbashku një shfaqje korruptive, për të ndëshkuar sëbashku një sjellje abuzive, për të punuar sëbashku që një zyrë e caktuar të ndryshojë qasje, në rastet kur vërtetohet se denoncimi është i saktë. Pra, edhe kjo rezervë nuk qëndron.
Më e rëndësishmja është që në këtë vend ku tradicionalisht, historikisht, njerëzit janë mësuar me fjalën “mik” dhe ku, edhe kur kanë të drejtë, edhe kur e kanë pothuajse, apo e kanë të sigurt që do ta marrin atë që u takon, rëndom kërkojnë një mik dhe fusin një mik, ne duam që ky të jetë miku më i madh, më i fortë dhe me aksesin më të shpejtë për këdo.”
Sigal