Platforma anti-korrupsion, PD: Edi Rama ndëshkon denoncuesit

455
Sigal

TIRANE – Një ditë pasi qeveria lançoi platformën kombëtarë online kundër korrupsionit, Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama është ai vetë që e mbron korrupsionin dhe që ndëshkon personat që denoncojnë shkeljet.
 
Në një deklaratë nga selia blu, koordinatorja për mediat Grida Duma risolli një rast të denoncuar më parë nga opozita në Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Sipas PD-së një punonjëse e ministrisë u shkarkua nga puna pasi denoncoi, sipas tyre, një tender fiktiv. Sipas Dumës, me këtë veprim janë shkelur dy linje, “ligji për nëpunësin civil dhe ligji që nxit denoncimin e korrupsionit dhe ofron mbrojtje për denoncuesit, për të shkarkuar nga puna nëpunësen, e për të mbrojtur korrupsionin e Erion Veliajt”.
 
Deklarata e plotë e Grida Dumë
Platforma on-line për anti- korrupsionin e Edi Ramës ndoshta vlen për të shtuar shpenzimet e qeverisë por jo për të luftuar korrupsionin.
Shqiptarët e kuptojnë se cdo të thotë të luftohet korrupsioni me internet e rrjete virtuale, kur kryeministri heq nga puna pikërisht ata që e denoncojnë korrupsionin.
Edi Rama kishte në dorë,në  24 qershor, një ankesë konkrete, nga një punonjëse me përvojë e administrates që ai drejton, për një rast korruptiv që po bëhej nga Ministria e Erion Veliajt.

Luiza Gjonaj i drejtohet Edi Ramës ku i thotë se ka shkelje të rënda të ligjit në lidhje me një tender fiktiv, për blerjen e një malli që tashmë ekzistonte, dhe për më tepër firma EAG, e mirënjohur për publikun si kompania e vëllati të ministrit që fiton të gjithë tenderat, ishte shpallur ndërkohë fituese.

Cfarë bëri Edi Rama me këtë rast. Asgjë. Ankesa u arkivua, rasti abuziv i përvetësimit të fondeve publike u konsumua deri në fund. Korrupsioni nuk u ndal.
Në gusht, Edi Rama merr një tjetër letër nga Gjonaj. Ajo i shkruan kryeministrit, se pas denoncimit që ka bërë, po merr kërcënime dhe presione nga njerëzit e Erion Veliajt.
Cfarë bëri Edi Rama me ankesën e dytë. Asgjë. Nuk bëri asgjë sepse kryeministri kishte marrë në mbrojtje korrupsionin, dhe sigurisht nuk mund të mbronte denoncuesen e korrupsionit. Kishte bërë zgjedhjen e kundërt me atë që propagandon.

Dhe më në fund, në 24 dhjetor, nëpunësja që guxoi të denonconte korrupsionin, u largua nga puna.
Në kundërshtim me ligjin për nëpunësin civil, në kundërshtim me ligjin që ofron mbrojtje për ata që denoncojnë korrupsionin, Gjonaj u shkarkua nga puna.
Dy ligje u shkelen, ligji për nëpunësin civil, dhe ligji që nxit denoncimin e korrupsionit dhe ofron mbrojtje për denoncuesit, për të shkarkuar nga puna nëpunësen, e për të mbrojtur korrupsionin e Erion Veliajt.

Kjo është e vërteta e korrupsionit në vend.

Kur duhen masa konkrete, Edi Rama mbron korrupsionin dhe nxjerr në rrugë denoncuesit e tij. Ky është mesazhi për të gjithë. Nëse denonconi korrupsionin, do ta keni Edi Ramën nga pas derisa të hakmerret ndaj jush.