Plas debati në komisione, LSI sherr me PS, deputetja e PD: Ju s’jeni burra

630
Statuti i minatorëve i propozuar nga LSI-ja ka shkaktuar debate dhe fyerje mes LSI-së dhe PS-së në Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale.
Deputetët e LSI-së, Petrit Vasili dhe Përparim Spahiu, që e propozuan ligjin, i janë kundërvënë deputetes së PS, Elisa Spiropali, që e refuzonte draftin e tyre me argumentin se kishte rezerva dhe e politizoi problemin. 
Nuk mungoi as deputetja e PD, Grida Duma, të debatonte me kolegët socialistë, duke i akuzuar se “ju s’jeni burra”. Nga ana e tyre këta të fundit, duke e anashkaluar faktin se nuk e mbajtën premtimin për t’u bërë me status, naftëtarët, replikuan thjesht mbi shprehjen popullore.
“Qeveria në 2013 , – tha Spahiu i LSI, – premtoi se brenda 6 muajve do të miratonte statusin e minatorëve po kanë kaluar 5 vite dhe qeveria nuk e ka bërë. Madje sot po rrëzon edhe draftin e propozuar që u vjen në ndihmë shtresës më të përvuajtur minatorëve. Qeveria i ka cilësuar si prioritet minatorët po nuk po i trajton si të tillë.
“Nisma, – shtoi Vasili, – është depozituar që në kohën kur ishim me ju në qeveri, pra qeveria kishte konfigurim tjetër. Është një evazivitet i qeverisë që nuk shprehet qartë. Jemi të vonuar për këtë status. Drafti i plotë ka një faturë financiare të mirë përcaktuar që vlerësohet në 15 milion euro. Ndërsa qeveria kthen përgjigje se “kemi rezerva”.
Por, Spiropali ia hodhi poshtë: “që në krye të herës kemi treguar gatishmërinë. Flisni për protestën e minatorëve po në atë protestë nuk kishte asnjë minator, ajo ishte një protestë politike për disa halle politikanësh. Ministria e Drejtësisë e cilëson draftin antikushtetues, kaq mjafton.”
Vasili ia priti: ” Kjo që po thoni është përdorim privat i Këshillit të Ministrave.”
Spiropali reagoi : “Ju keni pika të qarta që qeveria me VKM saktëson se ku është antikushtetushmëria. Ne si maxhorancë nuk miratojmë një ligj të çalë antikushtetues.”
Përparim Spahiu tha: “Ju si qeveri bëni politikë me ligjet. Miratuat ligjin për naftëtarët morët 10 deputetë dhe i latë naftëtarët rrugës. Ndërsa për minatorët asgjë, të presim vitin tjetër ligjin e qeverisë. Mos u mërzisni se në protestë do t’i keni edhe minatorët.
Grida Duma shtoi: “Qeveria për turp. Qeveria me VKM po u thotë minatorëve që drafti ka kosto financiare dhe nuk e miratojmë. Ju nuk jeni as burra. Ju shkoni te minatorët për fushatë. Votojeni dhe e plotësojmë ligjin rrugës.”
Sigal