Plani për infrastrukturën, Veliaj: Përfundimi i Unazës së Tiranës zgjidh trafikun e rënduar

432
Kandidati i të majtëve për Tiranën Erion Veliaj ka prezantuar projektin për infrastrukturën, i shoqëruar nga Këshilltari i Kyeministrit për territorin Artan Shkreli, në një kantier ndërtimi në qendër të Tiranës.
Veliaj ka shprehur vlerësimin për vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila pezulloi ndërtimet te parku i liqenit.
Ai e ka quajtur këtë fitoren e parë të qytetarëve të Tiranës dhe të një politike që i bie gjërave në kokë, me vepra e jo me fjalë ndryshe nga SHQUP-i.
“Bashkia e Lulit ishte palë me ndërtuesin. Nëse do ketë gjyq tjetër, Bashkia jonë nesër do jetë palë me qytetarin. Detyra e politikës është të marrë vendime të drejta. Ne morrëm një vendim të drejtë kur i denoncuam ndërtuesit te diga e liqenit.”, ka thënë Veliaj
Duke iu referuar shkatërrimit të infrastrukturës së Tiranës, Veliaj ka deklaruar se kandidati i të djathëve për Tiranën, Halim Kosova, nuk mund të premtojë hapësira publike e trotuare të reja, pasi ai vetë ka ndërtuar një ndërtesë pesë katëshe pa leje.
“Dikush që banon në bllok dhe ndërton një pallat pesëkatësh pa leje, vjen e kërkon vota? Po ne e kemi një shembull të keq që po ikën, nuk na duhet një tjetër njeri që ndërton pa leje dhe që ka një lagje me standarde afrikane.Halimi tha do bëjmë 300.000 m katror trotuare të reja. Po pse nuk i bëni sot? Halimi premton, kur nuk rregullon dot lagjien e tij, kur ndërton klinika pa leje. E vunë në sekondin e fundit për të humbur Tiranën”, është shprehur Veliaj.
Veliaj ka prezantuar problemet konkrete në infrastrukturën e Tiranës dhe propozimet e tij konkrete për zgjidhjen e tyre.
Ai ka theksuar se 86 hapësira me këndë lojërash të amortizuara, 871 rrugë në Tiranë janë të amortizuara, 114 rrugë ku mungon totalisht ndriçimi, duke u zotuar për zgjidhje të tyre brënda 300 ditëve.
Veliaj tha se problemet janë identifikuar nga një grup urbanistësh të rinj dhe po përmes konstatimeve dhe statistikave do të punohet për rehabilitimin infrastrukturor të Tiranës.
Ai ka premtuar se Bulevardi i ri i Tiranës do të ketë një park qendror, në vend të betonizimit dhe se përfundimi i Unazës së Tiranës do të sjellë zgjidhje të trafikut të rënduar në Tiranë.  
Sigal