Plani i PD-së: Bllokim total në Kavajë më 7 maj

536
Basha: Rama ofroi 500 mijë euro për të joshur një parti opozitare
Kreu demokrat thotë, se 7 maji do të jetë “data e atakut kardiak total të republikës së vjetër”. Thirrje për të mos paguar asnjë taksë pas 18 qershorit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi dje kryeministrin Rama se ka tentuar të “blejë” një nga partitë opozitare për t’u regjistruar në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Duke falënderuar 27 aleatët e PD-së, Basha tha se ata “kanë qëndruar të bashkuar e të vendosur në betejën qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Sipas Bashës, të shtunën në mbrëmje u luajt pazari i fundit i republikës së vjetër. “Ky Pazar, tregon edhe një herë para shqiptarëve, se sa poshtë ka rënë demokracia shqiptare. Se si është zëvendësuar mundësia e qytetarëve për të diktuar me votë qeverisjen e vendit, se si është zëvendësuar mundësia e qytetarëve për të vendosur me votë, nga një kupolë kriminale dhe e korruptuar e cila është pasuar mbi gjakun, djersën dhe taksat e shqiptarëve”, tha Basha. Kreu demokrat shtoi, se “një grusht partish të pushtetit, anëtare të pazarit të peshkut që është qelbur nga koka, dhe një grusht parazitësh, të cilët janë paguar me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit për të bërë fasadën e kupolës kriminale te republikës së vjetër, nxituan, në shkelje totale të ligjit elektoral, të paraqisnin listat e turpit pranë KQZ-së”.
“Në shkelje të Kodit Zgjedhor, KQZ, kjo vegël e pavlerë e republikës së vjetër që synon të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, i pranoi me 24 orë vonesë, në thyerje të Kodit zgjedhor, listat e turpit, të pazarit të peshkut, të Edi Ramës, të Ilir Metës, të Shpëtim Idrizit, dhe të një tufe mercenarësh të kësaj tresheje grabitqare të republikës së vjetër”, tha Basha. Sipas tij, 500 mijë euro iu ofrua vetëm një kryetari partie, për t’u shkëputur nga opozita. “Për t’u shkëputur nga ky vendim popullor, nga ky bashkim popullor, e për t’iu bashkuar pazarit të ndyrë, komplotit politik të republikës së vjetër. Qindra mijëra euro të tjera, iu ofruan kandidatëve të tjerë potencialë të partive aleate”, tha Basha, duke shtuar se partitë opozitare nuk e pranuan këtë. Kryetari i opozitës tha, se arsyeja kryesore e refuzimit të sekserëve të ndyrë të republikës së vjetër, ishte fare e thjeshtë. “Këto para, nuk janë paratë e tyre, këto janë paratë e shqiptarëve të papunë, këto janë paratë e pensionistëve që mezi ia dalin të paguajnë faturat me pensionet e tyre të mjera, këto janë paratë e pacientëve shqiptarë që nuk marrin as ilaçet as trajtimin e duhur, sepse i vjedh Edi Rama me Ilir Beqajn”, shtoi Basha. Sipas tij, këto janë paratë e nxjerra me zor nga xhepat e mjerë të nënave dhe baballarëve që paguajnë tarifat e rritura të universitetit, këto janë paratë e subvencioneve të munguara për fermerët. 
Gjithashtu, Basha sulmoi edhe drejtuesit e dy partive që kanë deklaruar pjesëmarrjen në zgjedhje, Bamir Topin e FRD-së dhe Ben Blushin e LIBRA-s.”Në tregun e ndyrë të politikës së vjetër, vend ka për gjithçka, përveçse virtytit. Sepse nga ana tjetër, ben blushër, bamir topër e të tjerë me shokë, jo vetëm kanë gëlltitur lugën e çorbës së prishur, por janë kthyer në parti-organizata të institucioneve publike”, tha Basha. Ai shtoi se Fryma e Re Demokratike është në fakt OSHEE-ja, e cila ka dhënë firmat e një partie që nuk ka asnjë anëtar dhe një kryetar me kohë të pjesshme. “Ben Blushi apo siç do të njihet tani e tutje si Sali Rexhepi, është alibia, fasada e një pseudo opozite, makiazh për surratin e pamakiazhueshëm, të shëmtuar të republikës së vjetër, që është në gjunjë dhe po bëhet gati të japë shpirt”, u shpreh Basha.
Kavaja dhe revolta për taksat
Kryedemokrati Basha u shpreh se data 7 maj do të jetë “data e atakut kardiak total të republikës së vjetër”. “Më 7 maj, në kryeqytetin e lirisë dhe të demokracisë, në Kavajën e fisnikërisë dhe të burrave dhe të grave trime, që u ngritën të parët – askush nuk e harron, të gjithë iu jemi mirënjohës – Kavaja është në këmbë, Kavaja është e vendosur. Por ndryshe nga 11 korriku i vitit 1990, që është shkruar me germa të arta në historinë e demokracisë, më 7 maj Kavaja nuk do të jetë vetëm, e gjithë Shqipëria do të jetë në Kavajë dhe me Kavajën. E gjithë Shqipëria do të jetë në Kavajë dhe me Kavajën dhe të bashkuar do t’i japim grushtin vdekjeprurës republikës së vjetër”, nënvizoi Basha, duke paralajmëruar një protestë masive ditën e zgjedhjeve për kreun e bashkisë. Sipas tij, qindra mijë shqiptarë të ndershëm, që do të bashkohen në Kavajë me datën 7 maj, në një bashkim gjigant dhe të paparë ne 27 vite pluralizëm, së bashku me mijëra banorë të Kavajës dhe në ballë me rininë e Kavajës, do të pamundësojnë zgjedhjet farsë, votimin farsë të diktuar nga krimi. “Do të pamundësojmë rikthimin de juro dhe de facto të Kavajës në duart e Elvis Rroshit, që Kavaja e shporri me ligjin e dekriminalizimit, me ndihmën e qëndresës sonë të bashkuar, dhe së bashku me 7 maj, ne do t’i japim republikës së vjetër goditjen finale. Të vendosur dhe në paqe totale asnjë lule dhe asnjë fije bari nuk do të preket”, tha Basha. Ai tha, se “asnjë qytetar i vetëm i Kavajës nuk do detyrohet nga krimi, nga droga dhe republika e qeverisë së vjetër në një proces fasadë, në një farsë elektorale, sepse një proces të tillë nuk do të ketë, në 7 Maj në Kavajë, dhe as në 18 Qershor në Shqipëri”.

Gjithashtu, Basha tha se, “nëse republika e vjetër nuk tërhiqet nga plani dhe projekti për të asgjësuar pluralizmin, për ta zëvendësuar atë me pluralizmin fasadë dhe për të vazhduar demokracinë fasadë, parlamentin fasadë që do të pjellë ekonominë fasadë, me papunësi, mjerim dhe vuajtje pas asaj fasade, nëse kjo ndodh, atëherë me 18 Qershor, në mesnate, Kushtetuta dhe ligjet e republikës së vjetër për Republikën e Re do të jenë të pavlefshme, do të jenë nul dhe void, dhe me 19 Qershor asnjë qytetar i lirë shqiptar, që e ndjen veten pjesë të Republikës së Re, nuk duhet të paguajë asnjë taksë dhe nuk do t’i bindet asnjë ligji të republikës së vjetër”. “Bashkë me qytetarët e lirë ne do të shfrytëzojmë këtë kohë për të nisur krijimin e korpusit institucional ligjor dhe kushtetues të Republikës së Re, bazuar në parimet themeluese të SHBA dhe vendeve demokratike evropiane që do të jenë Kushtetuta dhe ligjet e vetme të vlefshme për qytetarët e Republikës së re”, u shpreh Basha.
Sigal