Plagosja e policit nga Ilir Paja në 2008, si e komentoi Edi Rama dhe Sali Berisha

655
Më 6 mars 2008 Ilir Paja i shumëkërkuar për disa vepra penale plagosi një efektiv të policisë kriminale, gjatë aksionit për kapjen e tij. Ishte koha kur Edi Rama ishte kreu i PS-së.
Rama shprehu hidhërimin e tij të thellë për ngjarjen e rëndë në qytetin e Tiranës, ku një agjent i uniformave blu u plagos në krye të detyrës gjatë një operacioni policor. Ai dënonte maksimalisht këtë fenomen negativ, si dhe në të njëjtën kohë shprehte mbështetjen e plotë për familjen e agjentit të plagosur.
“Respekti ndaj forcave policore duhet rritur, ndërkohë që kushdo guxon të prekë punonjësit e rendit duhet të përballet me dënimin maksimal”. Edhe në deklaratën e tij, bërë për të ngushëlluar familjarët e viktimave që humbën jetën në Liqenin e Farkës, Rama përmendi edhe ngjarjen e ndodhur në Tiranë, ku u plagos polici dhe tha se kjo vjen nga mungesa e sigurisë në vend. Në orët e vona të pasdites, kreu i PS-së vizitoi në spital agjentin e policisë. Pasi bisedoi me mjekët dhe familjarët e agjentit të plagosur, Rama u shpreh se “është momenti për të reflektuar për çka politika duhet të bëjë më shumë, duhet të bëjë më mirë, duhet të bëjë më të drejtë, në mënyrë që asnjë qytetar të mos ndihet i kërcënuar, i pasigurt dhe i dobët”. Sipas Ramës, kur një polic goditet, e gjithë shoqëria është më e kërcënuar.
Ndërsa Sali Berisha atëherë kryeministër pasi vizitoi në spital agjentin e plagosur të policisë në krye të detyrës do shprehej: “Asgjë nuk mund të përkulë apo të tejkalojë guximin, trimërinë dhe vullnetin e hekurt të policisë shqiptare për të luftuar me zero tolerancë krimin”.
“Ligji, do t’i japë përgjigjen përfundimtare këtij problemi”. Për të vizituar agjentin e plagosur në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” ka qenë edhe Bujar Nishani, atë kohë Ministër i Brendshëm.
Sigal