Plagjiatura e Ministres së Shëndetësisë/ Lëvizja për Universitet ka zbuluar plagjiaturën e ministres nga studiuesi afrikan. Manastirliu: Kjo është shpifje

869
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Zbulohet plagjiatura e Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Kërkohet dorëheqja e saj e menjëhershme

Reagimi i ministres: Doktoratura ime është realizuar, bazuar në Rregulloret e FSHN, të miratuara nga Ministria e Arsimit

Plagjiatura në sistemin arsimor, është kopjimi i ideve dhe punimeve akademike të një personi, me qëllim për t’i prezantuar ato si punë origjinale. Si e tillë, plagjiatura, apo kopja, është një shkelje mjaft e rëndë dhe një sjellje që ka çuar në dorëheqjen e ministrave apo zyrtarëve të lartë në shumë vende të botës. Plagjiaturë konsiderohet kopjimi jo vetëm i tekstit por edhe i ideve të një personi. Por duket se “Rilindësit”, kanë një marrëdhënie mjaft të ngushtë me plagjiaturën. Denoncimi i parë që bëri bujë në media, erdhi nga Taulant Muka, i cili zbuloi se ish-zëvendësministri i arsimit, Ervin Demo, kishte kopjuar punën e dikujt tjetër duke e paraqitur atë si punim të tijin. Ky punim i kopjuar i Demos, kishte në fakt dy autorë. Dhe bashkëautorja e tij, ishte deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti. Demo dha dorëheqjen, në tentativë për të fikur skandalin. Ndërsa Gjylameti nuk u prononcua asnjëherë lidhur më ketë skandal. Ajo vijon të jetë deputete e Partisë Socialiste dhe ka një pushtet të konsiderueshëm në këtë parti.

Lëvizja për Universitetin denoncon plagjiaturën e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu

Lëvizja për Universitetin, ka denoncuar, plagjiaturën e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Siç tregojnë pasazhet e publikuara, Manastirliu ka kopjuar nga puna e shkencore e një diplomanti në Afrikën e Jugut, Fannie Mnisi. “Lëvizja Për Universitetin po i kthen sytë nga doktoratura e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut.. Ka gënjyer sepse atë punë, siç tregojnë fotot më poshtë, në kapitujt hyrës e ka kopjuar thuajse në çdo germë nga puna shkencore e diplomantit për master shkencor nga Republika e Afrikës së Jugut, Fannie Mnisi. Herë pas here në tekst duket se është zëvendësuar emri i lokalitetit Albert Luthuli me emrin e Tiranës. Në vend të punës shkencore me dinjitet, mashtrim dhe turp! Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Ogerta Manastirliut nga posti i Ministres së Shëndetësisë.

Reagimi i Ministra Ogerta Manastirliu

Doktoratura ime është realizuar, bazuar në Rregulloret e FSHN, të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Edhe pse për të kuptuar falsitetin e akuzës, do të mjaftonte fakti që akuzuesit i referohen vetëm 4-5 citimeve nga një material shkencor prej 96 faqesh – të shkëputura këto nga pjesa teorike e materialit, dhe jo ajo eksperimentale shkencore – prapëseprapë kam kërkuar vlerësimin dhe analizën e profesorëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Në fakt, punimi im, ashtu si çdo doktoraturë tjetër, në pjesën teorike ka jo vetëm këto, por edhe të tjera referenca (të përmendura në 4 faqe citime në fund të punimit), të cilat lidhen me temën e mbetjeve urbane në landfill-e. Diferencën në këto studime e bën ndryshimi në analizat kimike të objektit konkret të studimit dhe analizimi i këtyre rezultateve, të cilat vërtetojnë origjinalitetin e punimit.

Ministrja nuk përmend plagjiaturën

Në reagimin e saj ministrja e Shëndetësisë nuk përmend punën shkencore të diplomantit në Afrikën e Jugut, Fannie Mnisi, nëse e ka kopjuar, por edhe as e mohon. Asnjë nga profesorët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës nuk mohon se doktoratura e ministres nuk është plagjiaturë. Natyrisht, plagjiatura nuk cenon aspak as autoritetin shkencor të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, as edhe profesorët.