Pjetër jetri: “Më 23 Qershor, Mirdita do të vishet me ngjyrën e kuqe të socialistëve”

478
Sigal

INTERVISTA/ Flet kreu i PS-së, në Mirditë, Pjetër Pjetri: “Askush nuk ka monopolin e të qenurit deputet”

Dega e PS-së, në Mirditë është optimiste për fitore të padiskutueshme në zgjedhjet e 23 Qershorit”. Kështu u shpreh dje, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, kreu kësaj partie në qytetin verilindor, Pjetër Pjetri. Duke folur për përgatitjet zgjedhore, ai tha se, “të gjitha strukturat e Partisë Socialiste në Mirditë, janë kthyer në struktura elektorale dhe do të vazhdohet të punohet, deri në ditën e zgjedhjeve, që të mos i ndahet kontaktit fizik, me zgjedhësit”. Pavarësisht, se kujt partie i takojnë dhe për kë do të votojnë, kjo do të bëjë që të eliminojnë çdo defekt në dublim të listave, apo njerëz, të cilët janë harruar të çregjistrohen nga gjendja civile, personat që kanë ndërruar jetë, ose njerëz të veçantë që janë harruar për t’u regjistruar.

Si e vlerësoni situatën politike?

-Klima politike në tërësi dhe në veçanti për mirditorët është shumë e rënduar, në planin e situatës në të cilën Ne do të ndodhemi, si në planin ekonomik dhe në atë  social, por ajo që është tepër e favorshme për perspektivën dhe fitoren e Partisë Socialiste e të majtës në përgjithësi në 23 Qershor. Kjo qeveri është në ditët e saj më të zeza, që mund të ketë qenë ndonjëherë çka bën një siguri për largimin e kësaj qeverie nga drejtimi i pushtetit. Përpara çdo shqiptari ajo rezulton e dështuar, e korruptuar dhe e inkriminuar, ku pushtetarët janë njësh me krimin, ku po e shohim çdo ditë në vrasjen e oficerëve të policisë dhe të shefave të komisariatit, e cila ndihet e pa aftë totalisht për të përballuar krimin, me një papunësi dhe varfëri të tejskajshme. Kjo është një qeveri siç thotë populli “të vret natën dhe të qan ditën”

Si po shfrytëzohen nga Partia Socialiste hapësirat e mbetura, deri në ditën e zgjedhjeve?

-Partia Socialiste ka bërë dhe vazhdon të bëjë një opozitë shembullore, shumë konstruktive dhe dinjitoze, duke qenë përpara një qeverie që është më unikalja në botë për nga respekti ndaj opozitës dhe të zgjedhurve të saj në tërësi. Por Partia Socialiste krahas opozitarizmit po punon dhe për një fitore bindëse në këto zgjedhje. Të gjitha strukturat e Partisë Socialiste për 3 muaj rresht po punojnë për projektin “Për një Voto më Shumë”. Gjatë kësaj kohe është realizuar konsensusi politik, me një përgjegjësi shumë të lartë, duke kontaktuar me çdo votues si për regjistrimin e emrave të tyre, por dhe të personave të tjerë të njohur prej tyre, duke verifikuar dhe adresat e banimit të përhershëm të çdo votuesi. Jo vetëm kaq, por dhe të emigrantëve me adresa të sakta. Nga të dhënat e testimet e bëra del se çdo gjë po i afrohet realitetit çka do të japë rezultate në fitore.

Cilat janë planet e Partisë Socialiste për Asamblenë?

Të gjitha strukturat e Partisë Socialiste në Mirditë, janë kthyer në struktura elektorale dhe po punohet e do vazhdojë të punohet, deri në ditën e zgjedhjeve, që të mos i ndahet kontaktit fizik, me zgjedhësit. Pavarësisht, se kujt partie i takojnë dhe për kë do votojnë, kjo do të bëjë që të eliminojnë çdo defekt në dublim  të listave, apo njerëz, të cilët janë harruar të çregjistrohen nga gjendja civile, personat që kanë ndërruar jetë, ose njerëz të veçantë që janë harruar për t’u regjistruar.

Cila është platforma juaj për zgjedhjet e Qershorit?

-Sot platformën e Partisë Socialiste e ka në dorë të shkruar çdo shqiptar, Ju besoj, se e ndoqët Konferencën Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, që u mbajt me 22 – 23 shkurt, 2013. Ajo ishte modeli nga më të veçantat që ka bërë ndonjëherë, Partia Socialiste dhe kryetari i saj, Edi Rama, për një organizim spektakolar që do zgjasë. Dhe për një fitore të sigurt. Në këtë konferencë, nën drejtimin e Edi Ramës, u paraqit deri në detaj çdo pikë e programit të Partisë Socialiste e Shqipërisë, për zgjedhjet e 23 Qershorit. Ajo është drejtpërdrejt, “non -stop”, në media për të gjithë shqiptarët. Unë besoj që është tepër që të trajtoj më shumë se sa kaq. Një gjë është  e sigurt, se në të është edhe program për Mirditën, në të gjitha fushat e jetës dhe kryesisht, në mënyrë të veçantë, për zhvillimin e fshatit, që sot ndjehet më i braktisur nga qeveria në ikje. Mjaft, është abuzuar në mungesën e këtij programi të Partisë Socialiste, nga pushtetarët e sotëm. Tani të gjithë shqiptarët e kanë një program të Partisë Socialiste dhe do ta votojnë masivisht, që fshati të kthehet në traditën e saj.

Cilat janë kriteret për përzgjedhjen e kandidaturës për deputet?

-Kriteret janë të përcaktuar mirë në statusin e partisë, e cila e ka mjaft të qarta se duhet të ketë eksperiencë punë e përvojë, të ketë kontribute dhe të ketë objektivat e tij, për një fitore bindëse të Partisë Socialiste, për një qeverisje në të mirë të populli. Është e neveritshme mbi abuzimet e paskrupullta që po bëhen në këtë pikë, nga jo dashamirës të Partisë Socialiste. Së pari, Partia Socialiste nuk do ketë një deputet, por 140 mandate dhe ne këtë kërkojmë që fitorja të jetë, nga i pari, deri tek i fundit në listë. Së dyti, PS-ja ka figura të tilla me integritet, që përmbushet brenda dhe jashtë saj, jo për një numër kaq të kufizuar, por shumë më shumë se kaq, por rregullat e lojës këto janë. Së treti, të punohet për fitoren, sepse funksionimi i deputetit, nuk është një vendpune, ai është burim i hapjes së 300 mijë vendeve të punës, brenda mandatit të tij. Së katërti, më thoni, për cilin individ të prezantuar deri më tani, zgjedhësit e majtë kanë vërejtje dhe kontestime. Së pesti, axhenda e Partisë Socialiste dhe fitorja është shumë më e gjerë se sa përzgjedhja e një kandidati!

Në qoftë se, ju do të merrni pushtetin, si do të trajtohet qeveria vendore?

-Administrata aktuale nuk ka qenë asnjëherë, një administratë aktive dhe profesionale, por ka qenë tërësisht militante.  Çdo  veprim që do bëhet ndaj të gjitha institucioneve në rrethin e Mirditës, do t’i nënshtrohen testimit personal dhe çdo vend pune, do të zihet vetëm nga profesioni dhe zotësia. Që do të triumfojë meritokracia. Sot në Mirditë është totalisht, e kuptueshme se pjesëmarrja në punë është bërë jashtë çdo vlerësimi real, duke përdorur shokun dhe mikun, duke lënë mënjanë njerëzit, me diplomë, të aftë e të zotë, nga ana profesionale, çka kjo nuk do të ndodhë më pas 23 Qershorit, kur Partia Socialiste të marrë pushtetin.

A do ketë takim kokë me kokë me elektoratin dhe ku janë bastionet tuaja?

 -Asnjëherë Partia Socialiste nuk do dalë nga tradita e saj në takimet kokë më kokë, si rezultati më i mirë i zgjedhjeve. Partia në Mirditë nuk punon më me bastione, pasi 2/3 e Mirditës njihen se tashmë, janë të majtë dhe vota është e sigurt për Partinë Socialiste.

 A jeni të sigurt në fitoren e Partisë Socialiste?

Jo vetëm unë, por të gjithë shqiptarët jemi të sigurt në fitoren e Partisë Socialiste dhe së majtës së bashkuar.

Këtu keni parasysh dhe LSI-në?

Flas për Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe Edi Ramën, nuk flas për LSI – në, mendoj që këtë problem ta lëmë për një herë tjetër.