Pjesëmarrje e ulët në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

533
Sigal

Në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, deri në mesditë, është vënë re një pjesëmarrje relativisht e ulët e votuesve. Deri në orë 13.00, në 75.57% të vendvotimeve kanë dalë në votime 20.45% të votuesve apo gjithësej 284 942 votues. Sipas Alsat-M, komunat me pjesëmarrje më të madhe kanë qenë Vevçani 29.54%, Demir Kapi 32.75 %, Negotina 29.02 %, ndërsa me më pak pjesëmarrje kanë qenë Likova 5.43%, Vrapçishti 7.50% dhe Zhelinë me 6.62 %.
Në Studeniçan nuk është votuar në një qendër votimi.

Ndërkaq, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Shkup, mohoi problemet me gabimet gjuhësore në fletëvotime. “Nuk ka fletëvotime me gabime gjuhësore, ato që janë shpërndarë nëpër rrjete sociale kanë qenë në shpalljen e listës zgjedhore ku ka pasur gabim drejtshkrimor, i cili është rregulluar menjëherë. Pasi të përfundojë raundi i parë do të shqyrtojmë të gjitha ankesat”, ka deklaruar zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani.

Në garë për kreun e ri të shtetit maqedonas janë tre kandidatë, mes të cilëve edhe një shqiptar. Partia e Zoran Zaev në pushtet garon me kandidatin, Stevo Pendarovski, i cili e ka fokusuar fushatën e tij tek integrimi europian. Kundërshtarët e Pendarovskit, kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska-Davkova dhe Blerim Reka, përfaqësuesi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut kanë paraqitur po ashtu agjenda shumë ambicioze.

Sipas medieve fqinje asnjë prej tre kandidatëve nuk pritet të marrë më shumë se 50% të votave dhe më shumë gjasa pritet të ketë një raund të dytë votimesh për të zgjedhur kreun e ri të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Në rast se do të shkohet në raundin e dytë, ato janë përcaktuar se do të mbahen dy javë më pas, më datë 5 maj. Që nga shpallja e pavarësisë këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale, por të parat zgjedhje që mbahen me emrin e ri, Maqedonia e Veriut.

Kutitë e votimit janë hapur në orët e para të mëngjesit në të gjithë vendin sipas programit të përcaktuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në ora 19:00. Në Maqedoninë e Veriut të drejtën e votës e kanë 1.808.131 qytetarë.