Pitella-Metës: Vlerësoj zgjedhjen President dhe rolin konstruktiv për dialog

61
Presidenti i Grupit Socialdemokrat në Parlamentin Evropian z. Gianni Pitella i ka dërguar sot një letër urimi Ilir Metës me rastin e zgjedhjes në postin e Presidentit të Republikës. Në letër, Pitella vlerëson rolin e Metës për përpjekjet për dialog konstruktiv midis partive politike.

Letra e plotë:
Nuk dua të humbas rastin t’ju uroj ngrohtësisht me rastin e zgjedhjes tuaj në postin e Presidentit të Republikës nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ne ndjehemi krenarë që ju, një anëtar i familjes së madhe social-demokrate, do t’ju kemi në krye të shtetit shqiptar.
Mund të mbështeteni gjithnjë në bashkëpunimin tonë besnik dhe në përkrahjen e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, veçanërisht në përpjekjet tuaja për të siguruar dialog konstruktiv mes partive politike dhe për të promovuar bashkëjetesën e paqtë në Shqipëri, si dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Vlerat dhe parimet evropiane që ne ndajmë bashkërisht, si dhe besimi i ndërtuar në vite mes nesh, do të jenë baza e këtij bashkëpunimi.

Ju uroj çdo sukses personal gjatë mandatit tuaj dhe ripërsëris dëshirën time për të mirëpritur vendin tuaj, Shqipërinë, në familjen e madhe Evropiane sa më shpejt që të jetë e mundur.

Gianni Pittella
President i Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve
Parlamenti Evropian