Pipero: Ju tregoj sfidat e sotme të Infektologjisë Shqiptare

829
Sigal

Flet Prof.Asc.Dr.Pëllumb Pipero: Prof.Dr.Dh.Kraja, infektolog i përmasave europiane. Virozat dhe e vërteta e pagesave fiktive të specializantëve

“Prof. Kraja jo vetëm që është një infektolog i shkëlqyer, por dhe një menaxher i kujdesshëm, që respekton së pari ligjin dhe rregulloren dhe mandej dëshirat dhe kërkesat e kolegëve”. Kështu është shprehur në një intervistë për “Telegraf” Prof.Asc.Dr.Pëllumb Pipero, përsa i përket denoncimit për pagesë jo ligjore të një specializanteje, botuar para disa ditësh në gazetën tonë. “Me sa di unë specializantes, në momentin që ka thyer afatet ligjore, i është ndërprerë pagesa nga titullari”, është shprehur Pipero.  Sëmundjet infektive të verës, të cilat shpesh ngatërrohen me gripin, shenjat dhe kujdesi për trajtimin e tyre, kushtet e vështira të shërbimit të Infektivit dhe sfidat e mjekëve tanë përbëjnë boshtin e kësaj interviste me mjekun infeksionist Pëllumb Pipero.

Pyetje: Prof. Pipero cilat janë disa nga sëmundjet e stinës ndaj të cilave duhet të bëjmë kujdes?

Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për mundësinë që më jepni të komunikoj me lexuesin tuaj dhe më gjerë, pasi sikundër e kam theksuar disa herë për ne mjekët, ju, media, jeni ndoshta e vetmja dritare përmes të cilës ne mund të komunikojmë shumë shpejt dhe drejtpërdrejt me qytetarët. Shumë sëmundje infektive nuk presin, nuk të japin kohë të marrësh masa preventive të organizuara nga lart, nëse nuk komunikon shpejt me qytetarët, të cilët duhet të dinë si të mbrohen vetë, por dhe si të mbrojnë të tjerët.

Së dyti, dua të nënvizoj se në kushtet e ndryshimeve drastike të klimës, të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të zvogëlimit virtual të botës, gjeografia e përhapjes të sëmundjeve infektive dhe të infektimit prej tyre është zgjeruar në mënyrë rrënjësore. Ndaj duhet shtuar kujdesi sidomos kur udhëtojmë brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht në vende endemike ose epidemike të sëmundjeve infektive. Aktualisht, ne po përjetojmë një stinë të nxehtë dhe me shumë lagështi, e cila krahas problemeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga dielli, konsumimin e ujit të bollshëm dhe të sigurt dhe të ushqimeve të përpunuara mirë para konsumimit dhe të ruajtura në frigorifer, mundëson qarkullimin dhe infektimin nga një sërë enterovirusesh, përgjegjës për një sërë sëmundjesh nga të lehta deri të rënda dhe shumë të rënda, ndonjëherë edhe vdekjeprurëse.

 Pyetje: Ç’janë këto enteroviroza, si shfaqen dhe si të mbrohemi prej tyre?

Enterovirozat janë një grup sëmundjesh infektive të shkaktuara nga disa viruse, më shumë se 75 lloje, të familjes Enteroviruse, përgjegjës për shkaktimin e shumë sëmundjeve infektive nga të lehta deri shumë të rënda, nga një infektim që mund të kalojë pa shenja klinike fare dhe kështu e kalojnë infektimin me këto viruse rreth 90% e popullatës që bie në kontakt me to, në sëmundje grip ngjasuese e deri në sëmundje të rënda si encefalite, miokardite e deri në sëmundje paralizuese dhe invalidizues për tërë jetën. Njerëzit infektohen përmes kontaktit të afërt me të sëmurë, spërklat e pështymës gjatë teshtitjes, përmes konsumimit të ujit apo ushqimeve të ndotura me fekalet e të sëmurëve si dhe nga kontakti me mjete apo veshje të përdorura nga të sëmurët. Klinikisht mund të fillojë me shenjat e gripit, por të një gripi “pranveror”, sepse grip nuk ka në këtë stinë dhe njerëzit shpesh thonë “më ka zënë gripi në behar”, sepse sëmundja fillon me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, dobësi trupore, anoreksi, përgjumje, dhe më pas dominon klinika e organit apo grup organeve të prekura. Kështu, nëse virusi ka tropizëm, pëlqen rrugët e sipërme te frymëmarrjes, sëmundja mund të manifestohet me një anginë të ngjashme me atë bakterore, por që në rastin konkret duhet diferencuar dhe nuk duhet mjekuar me antibiotikë. Mjekët e familjes gabojnë nëse nuk kërkojnë antibiogramë dhe nëse mjekojnë pa antibiogramë. Po kështu mund të kemi bronkite ose trakeobronkite, sëmundje dispeptike në fëmijët dhe gastroenterite tek të rriturit, miokardite dhe encefalite deri në paraliza. Mjaft e shprehur këtë vit ka qenë edhe sëmundja e gojë-duar-këmbëve e cila manifestohet me temperaturë të lartë, dhimbje të forta të qiellzës dhe element makulo-papulozë në gojë, duar dhe këmbë. Dua të sqaroj se për sëmundjet e shkaktuara nga enteroviruset nuk ka një mjekim efikas etiologjik, në përgjithësi ato vetëshërohen dhe në rastet e rënda mjekimi është ndihmues sipas rastit. Ajo që vlen të theksohet janë masat parandaluese, higjienë personale, larje e duarve sa më shpesh me ujë dhe sapun, shmangja e kontakteve të afërta me të sëmurët dhe këshillimi nga mjeku nëse temperatura zgjat më shumë se 2-3 ditë. Këtë vit ka pasur gjithashtu dhe shpërthime epidemike, me vatra të kufizuara, të varicelës, por që kanë kaluar pa pasoja shëndetësore.

Profesor cilat janë sfidat e sotme të infektologjisë shqiptare?

Unë besoj se e gjithë shoqëria shqiptare është para sfidave të mëdha, integrimi europian është padyshim sfida dhe ëndrra jonë e madhe. Mjekësia shqiptare është para sfidave të mëdha, një reformë gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale që synon një mbulim shëndetësor universal të arritshëm, të barabartë dhe madje të sigurt për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse mund të paguajnë apo jo. Infektologjia shqiptare, dua ta nënvizoj këtë, është sfidantja më e madhe e kohës, veçanërisht, në kushtet e vendit tonë. E gjithë bota është sot përballë sëmundjeve të “vjetra” dhe të reja infektive, gjithnjë e më të rrezikshme për shëndetin, e viruseve, bakterieve dhe mikroorganizmave të tjerë  gjithnjë e më dinakë, gjithnjë e më rezistentë ndaj mjekimeve, por dhe e medikamenteve, antibiotikë e antiviralë që bëhen gjithnjë e më të pafuqishëm për të luftuar viruset dhe bakteret. Ndaj sot çdo ditë mendohet e punohet shumë më shumë për parandalimin, për mbrojtjen prej tyre. Mjekët tanë infektologë e infeksionistë dhe personeli shëndetësor i shërbimit të sëmundjeve infektive në gjithë vendin po përballet me sëmundje që i kishim harruar, si malaria; po përballet me sëmundje vdekjeprurëse si ethja hemoragjike, që nuk po kursen as jetë mjekësh në vendet e tjera dhe po i përballon ato me sukses, edhe pse nuk na mjaftojnë ambientet e nevojshme për të sëmurët. Mjediset e infektivit janë okupuar vite më parë nga dy shërbime të tjera dhe ne jemi të detyruar të mbajmë në një dhomë dy apo tre të sëmurë që vetëm bashkë nuk duhet të rrinë. Na duhet të theksojmë se shpesh kemi vështirësi, nuk na përgjigjet dot laboratori në kohë për diagnozën etiologjike, çka vështirëson mjekimin efektiv dhe të shpejtë të sëmurit. Mjekët dhe personeli ynë mjekon ethen hemoragjike, por dhe sëmundje të tjera shumë ngjitëse, pa veshje të posaçme, por asnjë nuk ka refuzuar t’u shërbejë të sëmurëve dhe madje i kanë mjekuar e shëruar ata. Dua të theksoj këtu se nën drejtimin e Prof. Dr. Dh. Krajës, një infektolog i përmasave europiane pa dyshim, ne po ringremë shkollën e infektologjisë shqiptare, për të cilën nuk mjafton vetëm eksperienca jonë, por duhen shkëmbyer edhe eksperienca te huaja, të kolegëve tanë europianë dhe më gjerë dhe për këtë duhet ndërhyrja urgjente e shtetit për të dërguar mjekë të rinj për kualifikime afatshkurtra dhe afatgjata jashtë vendit. Pranë shërbimit të Infektivit, nën lidershipin e Prof. Krajës,  sot janë ngritur disa kabinete bashkëkohore, si kabineti i sëmundjeve tropikale, emergjente dhe riemergjente, kabineti HIV/AIDS, poli i tetanozit, hepatiteve virale, zoonozave etj.. Por infektivi dhe infektologjia nuk mund të bëhet vetëm nga infektologët dhe infeksionistët, nuk mjafton vetëm një Kraja, një Harxhi, një Como, nja Kalo, një Shkurti apo një Pilaca. Madje nuk mjafton edhe mbështetja e pakursyer që i ka dhënë drejtoresha e re e QSUT-së, të cilën dua ta falënderoj. Infektivi dhe infektologjia shqiptare do vëmendjen dhe mbështetjen e qeverisë për t’u bërë  bashkëkohore.

Doktor, ju folët me superlativa për Prof. Krajën, para disa ditësh në gazetën tonë është botuar një informacion për një pagesë jo ligjore të një specializanteje. Çfarë mund të na thoni ju?

Theksoj se nuk kam dijeni për artikullin tuaj, nuk e kam lexuar. Në dijeninë time çdo specializant ka të drejtë të transferojë kreditet e gjashtë muajve a më shume, në një institucion të miratuar jashtë vendit, me dijeninë e institucionit përkatës dhe shefit të shërbimit. Me sa di unë specializantes, në momentin që ka thyer afatet ligjore, i është ndërprerë pagesa nga titullari.  Prof. Kraja jo vetëm që është një infektolog i shkëlqyer, por dhe një menaxher i kujdesshëm, që respekton së pari ligjin dhe rregulloren dhe mandej dëshirat dhe kërkesat e kolegëve, qofshin këta edhe specializantë me kërkesa specifike, natyrisht.