Pingpong politik me deputetët e inkriminuar. Kukan: Politika të pastrohet

544
Fatkeqësisht mazhoranca mbrëmë votoi me shumicë votash, që çështja e mandatit të deputetit Mark Frroku, i cili është më shumë se 6 muaj i paraburgosur, të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për t’u interpretuar neni 71 i Kushtetutës, pika 2 gërma “d”, ku thotë, që deputetit i hiqet mandati kur mungon pa arsye, më shumë se 6 muaj në Kuvend.

Absurditet: A është arsye burgimi i një deputeti?

Pingpongu i debatit politik në Kuvend, ishte midis deputetëve të shumicës dhe opozitës, nëse burgimi i deputetit Frroku mund të cilësohet “me arsye” për mungesën më shumë se 6 muaj në Kuvend. Gjykata e Lartë deri tani ka rrëzuar 3 herë kërkesën e Frrokut, për të marrë pjesë në Kuvend, kështu, që si mund të cilësohet “me arsye” mungesa e deputetit Frroku në Kuvend, derisa është i burgosur, me akuza mjaft të rënda për vrasje dhe trafikim në një vend të BE, siç është Belgjika, por edhe me akuza të prokurorisë shqiptare për pastrim parash. Derisa Frroku është i burgosur me të tilla akuza të rënda penale, kurrsesi nuk mund të interpretohet Kushtetuta se deputeti mungon në Kuvend me arsye. A mund të përfaqësohen në Kuvend zgjedhësit e tij me një deputet që është në burg me akuzat më të rënda të Kodit Penal? Sigurisht, që një person i tillë, nuk ka sesi të përfaqësojë zgjedhësit akoma në Kuvend, edhe pse Gjykata ende nuk ka dhënë vendimin e formës së prerë. Sepse në fund të fundit, përfaqësimi i popullit në Parlament është edhe përfaqësim moral, mbi të gjitha. Moralin ky deputet e ka humbur, derisa mbi të rëndojnë akuza të rënda për vrasje dhe trafikim të qenieve të gjalla. Partnerët ndërkombëtarë, BE dhe SHBA kanë këmbëngulur që politika shqiptare të pastrohet nga deputetët e inkriminuar, ndaj gjithsesi është e pafalshme, absurde, është pingpong politik, që Kuvendi, njëkohësisht të dërgojë në Kushtetutë mandatin e Frrokut të burgosur më shumë se 6 muaj, për interpretim të Kushtetutës, kur duhej automatikisht, t’ia hiqte mandatin sa më parë. 

Kukan: Klasa politike shqiptare të jetë më e përgjegjshme

Eurodeputeti Kukan dje nga Kongresi i PPE edhe një herë, duke marrë shkak nga votimi i Kuvendit Shqiptar, për mandatin e Frrokut, i bëri apel klasës politike që të dëftohet më e përgjegjshme për dekriminalizimin, të pastrohet nga deputetët e inkriminuar, sepse pa dekriminalizim nuk do të ketë hapje të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Eurodeputeti Kukan, ndër të tjera, tha: “Jemi informuar së fundmi edhe për çështjen e mandatit të zotit Frroku. Ka si gjithnjë përpjekje për të gjetur justifikime për ngadalësimin e procesit. Kjo vërtet është e keqe. Nëse çështja e dekriminalizimit zgjidhet do të jetë në të mirë të qeverisë, së opozitës, të të gjithë politikës shqiptare. Kjo pasi, nëse ky problem vazhdon, atëherë ne do gjendemi vazhdimisht para rasteve të politikanëve me të dhëna kriminale. Duhet t’i jepet fund një herë e mirë. Politika shqiptare duhet të pastrohet. Nëse zgjidhet çështja e dekriminalizimin dhe reforma e drejtësisë, atëherë kjo do të jetë vërtet një hap përpara për Shqipërinë dhe atëherë ambiciet e Shqipërisë mund të jenë të larta dhe asnjë nuk do të bëhet pengesë në këtë rast.”- deklaroi Kukan.“Duam shumë që Shqipëria të ketë një datë për hapjen e negociatave, por së pari duhet zgjidhur çështja e dekriminalizimit. Fatkeqësisht, ju keni gjithnjë nevojë për mbështetjen nga jashtë. Është koha që klasa politike në Shqipëri të tregohet më e përgjegjshme.” kështu deklaron eurodeputeti Eduard Kukan
Sipas tij, nëse çështja e dekriminalizimit zgjidhet do të jetë në të mirë të qeverisë, së opozitës, dhe të gjithë politikës shqiptare. Shqipëria mund të ecë përpara vetëm nëse zgjidhet dekriminalizimi, por jo në mënyrë të pjesshme, por tërësore dhe sistematike. Është shumë e rëndësishme që Gjermania mbështet përmbylljen e çështjes së dekriminalizimit. Kam dëgjuar për disa hapa lidhur me reformën e drejtësisë. Janë nisur propozimet në Komisionin e Venecias. Nëse zgjidhet çështja e dekriminalizimin dhe reforma e drejtësisë, atëherë kjo do të jetë vërtet një hap përpara për Shqipërinë dhe atëherë ambiciet e Shqipërisë mund të jenë të larta dhe asnjë nuk do të bëhet pengesë në këtë rast.
Sigal