Pezantohet Visar Zhiti, Topalli: Nishani ta dekretojë ambasador

518
Sigal

TIRANE – Komisioni parlamentar i Punëve të Jashtme zhvillon seancë dëgjimore me tre kandidatët për ambasador, Visar Zhiti në Vatikan, Fatos Reka në Maqedoni dhe Bardhyl Ganaj në Izrael.
 
I pari që ka prezantuar veten para deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ishte Visa Zhiti, i cili ka marrë pëlqimin e të gjithë anëtarëve të Komisionit.
 
Topalli: Mozhoranca nuk u konsultua, por Nishani të bëjë përjashtim  për Zhitin, ta dekretojë
Deputetja demokrate Jozefina Topalli ndërsa shprehu vlerësim për kandidaturën e Visar Zhitit tha se presidenti Nishani duhet ta dekretojë këtë propozim. Ajo shtoi se në rastin e Zhitit, kreu i shtetit duhet të bëjë një përjashtim, pavarësisht se mazhoranca nuk është konsultuar më parë më të për emrat e kandidatëve që do të kryesojnë selitë tona diplomatike në botë.
 
“Presidenti duhet ta votojë Zhitin ambasador në Vatikan. Duhet të ketë përjashtim, pavarësisht se mazhoranca nuk është konsultuar. Do të doja të falënderoja zotin Zhiti për pranimin e kësaj detyre në Vatikan. Ai është një apostull shqiptar. Jemi krenar për emrin e Visar Zhitit, si njeri i fjalës shpirtërore. Të falënderoj dhe jemi krenar për ju”, u shpreh Topalli para deputetëve dhe kandidatit për ambasador në Vatikan.

Blushi: Emri i Zhitit u kthye ne politik, Presidenti ta kaloje kete pengese!
Deputeti socialist Ben Blushi tha se Visar Zhiti u paragjykua nga Presidenti Nishani për arsye politike.
 
 “Presidenti duhet ta kalojë këtë pengesë. Eshtë dita të mbrojmë Republikën dhe laicitetin e shtetit. Emri i Zhitit u kthye në politik dhe prandaj ky komision duhet t’i japë mbështetje të plotë. Jo vetëm për atë që përfaqëson, por edhe për të mbrojtur shtetin laik në Shqipëri”, theksoi Blushi.
 
Kisha kunder Zhitit, Blushi: Feja nuk eshte kriter, nuk do cojme prift ne Vatikan!
Blushi u tregua kritik ndaj qëndrimit që Kisha mbajti për emrin e Visar Zhiti në krye të ambasadës në Vatikan. Ai theksoi se feja nuk është aspak kriter për zgjedhjen e ambasadorit, e në këtë rast bëri thirrje që të lihen mënjanë paragjykimet dhe anëtarët e komisionit të Jashtëm të votojnë në favor të Zhitit.
 
“Kam parë në media që është paragjykuar për një gjë që nuk mund të gjykohet për shkak të fesë. Feja nuk është kriter dhe kisha ka bërë padrejtësi. Kisha nuk mund të na imponojë të zgjedhim një prift për ambasador. Këtë mund ta bëjë me punonjësit e vet. Laiciteti është i vlefshëm dhe i domosdoshëm dhe nuk duhet ta cënojë njeri, dhe as përfaqësues të kishës. T’i japim mbështetje absolute Zhitit jo vetëm si ambasador por për të mbrojtur themelet e shtetit”, tha Blushi. 

Dade: Zhiti diplomat karriere, kam bindje se Nishani do e dekretojë
Deputetja socialiste Arta Dade gjithashtu vlerësoi karrierën diplomatike të kandidatit për ambasador në Vatikan. Në kushtet kur presidenti Nishani ka deklaruar se qeveria nuk është konsultuar më parë me kreun e shtetit për emrat e ambasadorëve, Dade nga ana tjetër shprehu bindjen se emri i Zhitit do të dekretohet nga Presidenti.
 
“Visar Zhiti është njeri i letrave që në jetën e tij pasqyrohet historia e Shqipërisë. Dhe me fisnikërinë e tij ka kapërcyer dhimbjet e regjimit dhe fatit. Zhiti është diplomat karriere dhe jam e bindur që presidenti Nishani do e dekretojë këtë kandidaturë të fuqishme”, u shpreh Dade.
 
Qirko: Zhiti, një nga figurat më të shkëlqyera që kemi
Sekretari i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko tha se të tre kandidaturat janë personalitete me kontribut të njohur kombëtar dhe ndërkombëtar. Ndërsa veçanërisht për Visar Zhitin tha se është një diplomat i shkëlqyer. “Zhiti është një nga figurat më të shkëlqyera që kemi, ka shërbyer në Romë dhe ka qenë një ambasador mjaft aktiv me artikuj në Itali, por edhe fitues i 8 çmimeve ndërkombëtare në Itali”, theksoi Qirko.
 
Zhiti: Një detyrë shpirtërore në një moment të vështirë për mua
I propozuari i qeverisë për postin e ambasadorit në Vatikan, tha se kjo detyrë, e cilësuar prej tij si “shpirtërore”, u pranua në një moment të vështirë në jetën e tij, ku vetëm një muaj më parë djali i humbi jetën në një aksident me motor.

“Në një moment të vështirë pranova këtë detyrë shpirtërore sepse bota ka nevoje për shpirtin jo vetëm për materien. Tokën tonë e kanë shkelur dy Papa, Vojtila që ndikoi në përmbysjen e regjimit komunist dhe po kështu u përsërit një vizitë e një pape, ajo e Françeskut. Ai zgjodhi Shqipërinë që është emblema e harmonisë fetare, është më shumë se tolerancë. Ne nuk e ndalojmë por e mbështesim njëri-tjetrin pavarësisht fesë, por edhe si një vend martirësh”, u shpreh Zhiti.
 
Zhiti: Do të bëj çmos për vendosjen në Romë të shtatores së Nënë Terezës dhe Gjergj Fishtës
Kandidati për ambasador në Vatikan tha se nëse merr këtë detyrë do të këmbëngulë në vendosjen e shtatores së “Nënë Terezës” në Romë, dhe po ashtu edhe të statujës së Gjergj Fishtës.
 
“I takon Shqipërisë që të realizojë vënien e statujës së Nënë Terezëz në Vatikan dhe ne duhet ta vendosim. Unë e kam ngritur dhe më parë këtë. Unë marrë përsipër që shtatorja e Nënë Terezës do të vihet në Romë. Por gjithashtu do përpiqem të vendos dhe statujën e Gjergj Fishtës, Homeri i fundit i Ballkanit”, u shpreh para deputetëve Visar Zhiti.
 
Zhiti: Thirrje Vatikanit për pelegrinazhe hyjnore në vendin tonë
Ai shtoi se do t’i bëjë thirrje Vatikani për pelegrinazhe hyjnore në vendin tonë.
 
“Ne në Shqipëri kemi tempuj dhe duhet që t’i kthejmë në vend pelegrinazhi”, tha Zhiti. 

Namik Dokle: Visar Zhiti është një zgjedhje ndër më të mirat që ka bërë qeveria shqiptare. Kjo zgjedhje është në përputhje të plotë me ligjet shqiptare.