Petrit Vasili: Rritja e taksave nuk rrit nivelin e të ardhurave, por rëndon shqiptarët

620
Sigal

Intervista/ Flet kryetari i Grupit
Parlamentar të LSI

Taksa e Rrugës së Kombit

 Petrit Vasili: Rritja e taksave nuk rrit
nivelin e të ardhurave, por rëndon shqiptarët

 Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes
Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili, i ftuar në rubrikën “Opinion” në
‘News24’, ka folur për vendimin e qeverisë për të vendosur taksë prej 5 eurosh
për makinat që kalojnë në ‘Rrugën e Kombit’. Vasili tha se për këtë rrugë
shqiptarët po paguajnë ende borxhin që është marrë për ndërtimin e saj, ndërsa
taksa shtesë është shpenzim për qytetarët, që nuk kanë të njëjtin nivel të
ardhurash me qytetarët e BE. Ai tha se Kryeministri i adhuron koncesionet. I
pyetur edhe për vendosjen e taksës së pronës që pritet të hyjë në fuqi më 1
prill, Vasili u shpreh se politika e rritjes së taksave nuk rrit nivelin e të
ardhurave, por rëndon shqiptarët.
“Këto
janë taksa që rëndojnë shqiptarët. Ne kërkuan edhe heqjen e taksës për shtëpinë
e parë. Këto politika nuk i kanë shtuar të ardhurat, por kanë mbingarkuar popullin.
Të humburit janë të varfrit dhe të shëndoshët janë oligarkët. Bota ka kthyer
sytë te politika e taksave të ulëta. Niveli i lartë i taksave është çnjerëzore.
Në 5 vite nuk ka asnjë vepër të madhe që të mbahet mend dhe për çfarë shërbeu
ky lak në fyt ndaj qytetarëve”, tha Vasili. Sa i takon pyetjes se edhe
ministrat e LSI kanë nënshkruar 53 kontrata koncesionare kur ishin në pushtet,
Vasili u shpreh se ato kanë qenë vullnet i qeverisë ‘Rama’.

 Në 2016 është firmosur pro taksës, pra
keni qenë në koalicion me PS?

Në qoftë se doni koncesioni në fjalë,
është një vendim i Këshillit të Ministrave të Qeverisë së Shqipërisë. Çdo
vendim i ministrave të Shqipërisë për ta ditur të gjithë, edhe ata që përhapin
këto tymnaja, është një vendim, i cili çmohet politikisht, bëhet pjesë e
Këshillit të Ministrave, miratohet vetëm me vullnetin e Kryeministrit.
Mbledhjen e Këshillit të Ministrave, vendimet e qeverisë i udhëheq Kryeministri
i vendit. Asnjë ministër i çfarëdolloj partie nuk mund të imponojë dot vullnetin,
bindjen e tij. Madje, qeveria shqiptare është ajo që i jep direktivat përkatëse
ministrive që ka në varëse. Është kryeministri që i imponon politikat këtu për
të ecur këtu dhe në atë rrugë. Dhe ne pikërisht për këtë arsye kemi kërkuar
edhe transparencë të plotë për koncesionet. Qeveria shqiptare ka miratuar dhe
mjaft koncesione edhe me anëtarë të Këshillit të Ministrave, anëtar të qeverisë
që kanë qenë kundra saj pasi vullneti kolektiv i qeverisë dhe i kryeministrit
është ai që dominon dhe ecën përpara. Pra autoritetin, përgjegjësinë politike
për çdo vendim të këtij niveli e ka kryeministri. Kryeministri kur nuk do të
marrë përsipër përgjegjësi, ia jep kompetencat plotësisht një ministrie të
caktuar dhe nuk e përfshin Këshillin e Ministrave në vendimmarrje. Në rastin
konkret të çdo koncesioni të miratuar në shtetin shqiptar duke pasur politikë,
bindje, qasje, filozofi vetëm koncesionet qeveria shqiptare ka marrë përsipër
ti miratojë ajo të gjitha. Madje, aq më shumë nuk ka dashur të ketë pjesë as
parlamentin në këtë transparencë ndaj dhe ka bllokuar dhe projektligjin e
LSI-së prej dy vjetësh dhe nuk e miraton. Dhe as nuk merr në shqyrtim. Dhe kjo
është mënyra se si është vendosur në raport me koncesionet Kryeministri dhe
qeveria. Kryeministri i adhuron koncesionet. Dhe për këtë rast përgjegjësitë
politike dhe publike do t’i marrë përsipër nuk mund t’i shmangi. Pasi qeveria,
Kryeministri thoshte, është një skuadër, të cilin e printe ai. Dhe ju e dini
kur nuk i ka pëlqyer opinionet e ministrave ka insistuar t’i largojë dhe mos
t’i ketë pjesë të skuadrës së tij.

 Flasim pak për situatën në Shkodër, si
po e menaxhon qeveria sipas jush?

Unë kam marrë vet pjesë në menaxhimin e
situatave të përmbytjeve shumë të rënda në vitet 2010-2011. Por ju keni një
fakt publik, Kryeministri merr qeverinë dhe e shpie nëpër Shqipëri, e keni parë
mbledhjet e qeverisë në Elbasan, në Korçë, në Vlorë. Qeveria nuk u ngrit
njëherë e tëra të shkonte në Shkodër. Sot e kësaj dite nuk ka shkelur
Kryeministri. Kjo është vëmendja e qeverisë. Njerëz nga Forcat e Armatosura
sigurisht janë për tu përshëndetur. Pse jo, fjalët më të mira meritojnë kushdo
që militon atje. Por janë pa drejtim. Shtabet e Emergjencës, të cilat ku
qeveria duhet të ishte fikse derisa situata të zbutej përfundimisht dhe të
paktën pasojat të minimizoheshin, duhet të ishte atje. Ne kemi një
Kryeministër, për të cilin Shkodra është më larg se Australia. Nuk shkon dot
nga Tirana në Shkodër. Kur do shkojë? Kur të dalë dielli? Kur të ikin ujërat?
Që të thotë sa mirë e menaxhuam situatën, atë që menaxhoi perëndia? Kjo është e
vërteta. Ju nuk keni një lajm që qeveria nuk ka shkelur në Shkodër. Na është
bërë si estradë që shkon nëpër rrethe çdo fundjavë, por Shkodra ishte dita e
hallit dhe atje nuk vete dot.

 Çfarë kontributi mund të japë opozita
për Shkodrën?

 Opozita mund të japë kontribut, duke i
tërhequr fort veshin qeverisë, ta bëjë që të marrë përgjegjësitë e saj dhe të
shkojë atje. Se të gjithë instrumentet, të gjithë vendimmarrjet, gjithë
zinxhirin e komandimit, e qeveris qeveria me të gjithë instrumentet e saj.
Opozita ka vullnetin, dëshirën e mirë, ka detyrën t’i tërheqë vëmendjen.
Opozita nuk ka as infrastrukturë, nuk ka as mjete transporti, nuk ka asgjë.
Sigurisht me çfarë kemi në dorë, në plan individual ne bëjmë gjithçka. Por në
plan institucional, të gjitha instrumentet i ka qeveria. Ky Kryeministër, kur
ishte në opozitë në 2010-2011, mbante fjalime pafund, ku bubullonte: vendi pa
qeverisje, përmbytja. Ndërkohë që gjithë qeverisja ka qenë atje. Dhe përmbytjet
kanë qenë të nivelit dy herë më të lartë se sa këto. Kur nuk pati asnjë humbje
jete. Madje, u ruajtën që të mos kishte asnjë humbje koke bagëtie. E mbaj mend
mirë se çfarë menaxhimi u bë në atë kohë. Dhe ky bubullonte. Po sot ku është?
Shkodra nuk ekziston, është një kontinent tjetër për të.