Petrit Vasili: Rilindja vjedh Parlamentin, sikurse dhe Teatrin

502
Sigal

Intervista e Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili për Ora Neës.

  1. Vasili, në seancën parlamentare të së enjtes do të votohet me shumë gjasa, nga mazhoranca, pasi opozita duket se do bojkotojë sërish, Ligji i Teatrit. Kjo ka shkaktuar debate edhe në Komisione. LSI i qëndron kundërshtive të saj dhe a do të jetë e pranishme në seancën parlamentare?

Jo thjesht dhe vetëm LSI, por opozita si një bllok i tërë ka një qëndrim të qartë, pa ekuivokë lidhur me çështjen e teatrit. Së pari, e tërë çështja e teatrit që nga fillimi gjer në fund, që nga momenti i rrëmbimit të teatrit dhe i pronës publike  dhe në të gjitha etapat ku kjo vjedhje ka kaluar, qoftë në përbuzjen e pushtetit dhe rrëmbimin e kompetencave nga kryetari i baskisë së Tiranës, qoftë në shkelje të Kushtetutës, qoftë në shkelje të të gjithë rregullave me të cilat trajtohet prona publike, përpos edhe idesë monstruoze për të shpartalluar në mënyrë përfundimtare Tiranën, e cila është tashmë një qytet i shkatërruar, pasi është zaptuar qendra, i është deformuar. Tirana ka pasur probleme me trafikun, sot po përballet me një trafik nga më të vështirit dhe më penalizuesit për qytetarët. Pra, në tërësinë e tij dhe me finalizimin në këtë Komisionin e famshëm të Veprimtarive Prodhuese u konsumua një shkelje kushtetuese totale. E ka vënë përfundimisht vendin përpara situatës së zhbërjes së Parlamentit, pasi Parlamenti, një Komision i caktuar Parlamentar, me urdhër politik sigurisht nga kryeministri dhe mazhoranca, ka vendosur të çojë në sallë ligjin më të paligjshëm në botë që të vejë të ndryshojë, të miratojë dekretin e Presidentit dhe të bëjë disa ndryshime ligjit. Dekreti i Presidentit është që një ligj i caktuar të kthehet mbrapsht në sallë, përsëri në komisionet parlamentare dhe të fillojë puna për ndryshimet e tij sipas shumë vërejtjeve që Presidenti ka bërë në momentin që nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese në vend, pasi sigurisht mund të kishim dhe kemi rezerva shumë të mëdha dhe do duhej t’i drejtoheshim Gjykatës Kushtetuese, por kjo mazhoranca për të qenë e qetë dhe e paatakueshme ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Pra, në qoftë se janë dakord, ligji kthehet për ripunim në Parlament, merr kohën e tij si ligj i zakonshëm dhe vjen përsëri në sallën e Parlamentit pas një kohë të caktuar me ndryshimet përkatëse në qoftë se kanë reflektuar. Këta ç’duan të bëjnë në mënyrën më antikushtetuese në botë? Në vend të miratojnë dekretin, pra të thonë po ose jo, pra ti përgjigjen kësaj kërkese të Presidentit për ta kthyer ose jo ligjin, thonë: ne gjejmë sebep për ta ndryshuar. Këta e kanë humbur të drejtën për ta ndryshuar, sepse e kanë paraqitur ligjin, e kanë votuar dhe kanë mbaruar punë me këtë ligj në sallën e Parlamentit dhe e kanë çuar Presidentit për firmë.

Këto kundërshtimet dhe argumentet tuaja përse nuk i paraqisni në Kuvend?

I kemi paraqitur në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, i cili ishte instanca parlamentare. Sepse Parlamenti funksionon me rregulla, nuk është një tollovi të pacipësh që shkelin Kushtetutën, pasi ne jemi në një vend i cili synon të zbatojë ligjet. Evropa ku ne duam të shkojmë për të zbatuar ligjet, në qindra vjet i ka zbatuar ato qoftë edhe duke gjymtuar njerëzit, boll të bëjë të kuptojë që ligji është i paprekshëm dhe i barabartë për të tërë. Ne thamë që kjo është një nga gjërat me antikushtetuese. Për më shumë, i jemi drejtuar me shkrim kryetarit të Kuvendit që mos ndërmarrë hapin e shpërbërjes së Parlamentit, pasi futja e një ligji të tillë, pra e një deformimi kushtetues të një dekreti t tillë do të thotë zhbërje parlamenti. Pra, që Parlamenti nuk është më institucioni që vepron me kushtetutë, rregullore dhe ligj.

A bini dhe ju dakord me termin e z. Basha që e cilësoi ‘Akt grusht shteti’?

Është saktësisht një grusht shteti dhe këtë e kemi pohuar. Personalisht e kam komunikuar edhe në një komunikim në Facebook ku kam thënë që këtu po konsumohet një moment i zhbërjes së Republikës Parlamentare, pasi në momentin që parlamenti zhbëhet, republika parlamentare bie. Dhe i kam përsëritur edhe njëherë ftesën për të ndalur këtë shembje të parlamentit kryetarit të Kuvendit. Që së paku nga ana procedurale të përmbajnë atë babëzinë e tyre për ta miratuar sa më parë. Sepse ka një babëzi të paparë për ta votuar sa më parë për të rrëmbyer atë teatrin atje, se janë nja 200 milion atje që t’i ndajmë shpejt e shpejt, në mos i paçin marrë paradhënie këto para. Pra, duke shkatërruar ligjet në njërën anë, duke rrëmbyer pronën publike, duke shkatërruar ligjet në njërën anë, duke rrëmbyer pronën publike dhe duke dhënë mesazhin përfundimtar, dhe këtu do ta mbyll përgjigjen time, që në këtë vend nuk sundon ligji por sundon hajdutëria qeveritare.

Prisni reflektim nga mazhoranca? Sot ka pasur edhe një thirrje nga opozita drejtuar deputetëve pikërisht për këtë ligj…

Ne në radhë të parë i bëjmë të qartë popullit shqiptar se çfarë po bën kjo mazhorancë. Detyra jonë është ta demaskojmë nga e para deri tek e fundit. Për çfarë arsye? Ky nuk është interesi i ngushtë i opozitës. Ky është meraku i çdo shqiptari, i cili do të kuptojë që përfundimisht nuk do të ketë ligj, por do të ketë që ai që është i preferuari apo shërbëtori i partisë, mund t’i mbrohet ndonjë punë. Ligji s’ka më asnjë rëndësi. Ndërsa ata që janë njerëz të zakonshëm, unë apo ju, që do të shkojmë në zyrat e shtetit ku duhet të marrim shërbimet e zakonshme duke menduar që ka një ligj të cilin e përmbushim, ne sigurisht do jemi të pa privilegjuar, të poshtëruar dhe të përbuzur. Pra ky është raporti me ligjin. Raporti me ligjin çfarë do të thotë? Ja kam kujtuar dhe Gramoz Ruçit sot në thirrjen publike që i bëra. Gramoz Ruçi nuk është kryetar i Parlamentit të Partisë Socialiste, është kryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Pra në sallën e parlamentit janë të gjithë përfaqësuesit e popullit, të Rilindjes, të LSI-së, të PD-së dhe të gjithë partive të tjera. Dhe rregullat e parlamentit janë të njëjta dhe të barabarta për të gjithë. Zërat në parlament një nga një janë të barabartë për të gjithë. E vetmja diferencë që kemi është numri i votave, por jo privilegjet ndaj ligjit. S’ka asnjë privilegj asnjë deputet, qoftë ky i mazhorancës apo i opozitës.

Ku do të jetë opozita nesër Zoti Vasili? Do të vazhdoni me takimet në rrethe?

Sigurisht do të jetë në një qytet tjetër simbol të krimit, simbol të trafiqeve për fat të keq, simbol të korrupsionit të madh qeveritar dhe simbol të sundimit të kriminelëve, që është Vlora. Për fat të keq nga një qytet që do duhej të ishte, një nga mrekullitë e Mesdheut, ka qenë shumë e bukur dhe shumë e mirë Vlora edhe para viteve ’90. Për fat të keq sot ka marrë atë damkë që nuk i ka takuar kurrë një populli dhe një qyteti e cili e ka udhëhequr mendimin më të mirë patriotik dhe filozofik të vendit.

Nuk është pak e rëndë të thuhet që ka kaq terror dhe kriminalitet në të gjitha qytetet që po vizitoni dhe po zhvilloni takime së fundmi?

Nuk e them unë. E thonë të gjitha raportet e ndërkombëtarëve. E thonë të gjitha faktet që janë pafund. E thonë trafiqet. E thonë tonelatat pa fund që nisen, trafikantë pa fund që janë atje deri përfshirë edhe vëllanë e ish ministrit që është emblematike, që skam çfarë i bëj komente më.

Dhe çfarë synon opozita me këtë takim? Cili është qëllimi? Doni të përcillni ndonjë mesazh më afër qytetarëve?

T’iu bëj një pyetje shumë të thjeshtë. Në kuptimin jo juve por një pyetje retorike. Ku mund të jemi? Duhet të rrimë në Parlamentin ku vidhet Teatri apo duhet të jemi atje ku qytetarët janë të shqetësuar? Ne ishim në Shkodër, ju e dini që pak orë pasi ne u larguam, shkuan forcat e policisë në Shkodër. Çfarë të bëjmë t’iu themi qytetarëve që jeni vetëm? Jeni në dorë të këtyre banditëve të qeverisë? Ti themi popullit që tashmë jeni në dorë të Zotit, këta do t’ju vjedhin kur të duan, do t’ju fusin në burg kur të duan. Ishte bërë një status shumë interesant nga një bloger shqiptar që një i dënuar për drogë i famshëm i Xibrakës u dënua me 2-3 vjet, kurse një që kishte vjedhur 150 mijë lek energji elektrike ishte dënuar me 5 vjet. Ky nuk është shtet apo jo? Nuk mund të jetë shtet ky. Ky shtet i cili trafikantët i nxjerr dhe i vë dhe në krye të vendit. Edhe kriminelët e së djeshmes i vë që të qeverisin dhe të kërcënojnë strukturat.

Janë pranuar tashmë problematikat me sistemin e drejtësisë. Po reformohet…

Cili sistem? Sistemi i drejtësisë po reformohet? Ne nuk kemi sistem drejtësie. Nëse ju mendoni që ka sistem drejtësie atëherë po ju pyes unë juve, Besmira Palushi ku do shkojë të ankohet për pronën e saj meqë gjykata e lartë, Gjykata Kushtetuese që janë instancat që e drejtojnë nuk ka? Kjo është pyetja, për qytetaren jo për gazetaren. Ju nuk keni asnjë mundësi. Ku do shkojë për paligjshmëritë e mëdha që po konsumohen në mes të vendit, jo thjesht opozita, një grup, shoqëria civile. Drejtësia e re që po lindte duhet të ndërtontë qeverisjen e saj që ishte KLGJ që do të zëvendësonte KLD që keni dëgjuar, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë ku shkojnë ankesat e gjithë qytetarëve. Ne qytetarët nuk kemi ku të ankohemi. Autoritetin nuk e ka ministria e drejtësisë po e ka inspektori. Inspektor nuk kemi, KLGJ,KLP nuk kemi, Byro Kombëtare të Hetimit nuk kemi, SPAK, nuk kemi. Nuk kemi asnjë institucion.

Po përse jemi në këtë ngërç z.Vasili?

Pasi për të kapur reformën të gjitha afatet kushtetuese ranë. Pasi në 21-22 korrik miratuam një reformë konsensuale që do të thoshte detyrime të përbashkëta. Dhe do vazhdonim po në te njëjtën mënyrë për të miratuar të gjitha ligjet e tjera që zbërthenin reformën. Ju e dini shumë mirë që të gjitha ligjet e tjera u miratuan në mënyrë të njëanshme.

I vetmi ligj i miratuar me konsensus është ligji për byronë e hetimit SPAK i cili dhe ai është i bllokuar. Për çfarë arsye? Sepse për të vonuar, për të kapur institucionet mazhoranca bllokoi ngritjen e tyre. Po jap një shembull që ta kuptojnë qytetarët dhe kolegët e tu gazetarë. Këshilli i emërimeve në drejtësi i cili do seleksiononte kandidatët për KLP dhe KLGj, u hodh shorti dhe u zgjodh. Tani mazhoranca bashkë me këtë komisionin e shpartalluar të ligjeve, këtë turpin e parlamentit shqiptar tha: nuk mundet kurrsesi këta të vazhdojnë punët e tyre pa bërë Vettingun. Ndërkohe Kushtetuta e vendit thoshte që Prokurori i Përgjithshëm kushdo qoftë që do të zgjidhet patjetër duhet të zgjidhet me Vetting. Ju e dini që Kryeprokurorja e Përgjithshme e bëri Vettingun pas 8 muajsh. Pra Kryeprokurorja e Përgjithshme që e zgjodhën vetë se e kishin merak, që e zgjodhën dhe atë në mënyrë antikushtetuese mund të funksiononte megjithëse ishte në një pozicion shumë delikat, edhe pa Vetting. Kurse për ta bllokuar Këshillin e Emërimeve sepse sipas tyre nuk kishte atë përbërjen që u pëlqente atyre e bllokuan dhe e lanë drejtësinë pa institucione. Pra ka vetëm një fajtor që sot nuk kemi ngritje të organeve të sistemit të drejtësisë. Dhe lënien e Shqiptarisë pa kokë drejtuese. Fajtori i vetëm është mazhoranca e udhëhequr nga kryeministri i vendit.

Ju thoni që ky proces është në ngërç, megjithatë paralelisht me këtë proces opozita kërkon edhe Vettingun në politikë. Ju vetë jeni pjesë e grupit  të punës me konkretisht për dekriminalizimin e plotë përmes Vettingut të politikanëve të lidhur me krimin. Si do të bëhet Vettingu i politikës z. Vasili?

Po ju bëj unë një pyetje. U bë Vettingu i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve? Sepse janë njerëz publik apo jo. Po ne ramë dakord që të bëhet Vettingun pa asnjë  problem madje LSI ndihmoi me votat e saj me ndërgjegje të plotë që të kemi pastrim edhe për policin më të fundit të trafikut. Ç’është ky shqetësim kaq i madh për vettingun e politikanëve?

Nuk është shqetësim, por po i kërkoni edhe mazhorancës për të cilën po thoni se po pengon, por votat duhen edhe nga mazhoranca për ta votuar…

Në rast se mazhoranca që ka bërtitur, sepse edhe ju nga mazhoranca e keni mësuar termin vetting, se keni mësuar nga ndonjë tjetër se mazhoranca ka bërtitur shumë për këtë, vetting-u, vetting-u do shpëtojë Shqipërinë…

Edhe opozitës i shërbeu kjo, sepse e huazoi vettingun për të bërë vetting politik…

Nuk është fare e vërtetë kjo! Mazhoranca bërtiti fort, kjo ka qenë një ide e opozitës, PD-së dikur si ide e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, aq shumë sa e pandehën qytetarët  vettingun si një instrument çudibërës, që s’kishte të bënte vetëm me drejtësinë, por kishte të bënte edhe me zhbllokimin e tubave të ujit, hidrauliket, nuk e kuptuan më. Vettingu ishte mrekullia.

Pra mazhoranca ishte e adhuruar pas vettingut, por jo vettingut që kishte të bënte për veten e tyre. Së bashku ramë dakort më 21-22 korrik që të bëhej vettingu te gjyqtarët dhe prokurorët.

Por çfarë do të bëjë më konkretisht ky vetting? Çfarë do të vetojë? Vetëm politikanët apo edhe familjet e tyre?

Në radhë të parë duhet të biem dakord që të ketë një vetting të politikës. Duhet ta miratojmë me Kushtetutë këtë gjë. Me vettingun përkatës, ashtu siç bëmë me atë të prokurorëve dhe gjykatësve, sepse ju e dini që më 21-22 korrik nuk kemi votuar ligjin e vettingut, kemi votuar ndryshimet kushtetuese, që i hapëm rrugët dhe më tutje pas 6-7 muajsh u votua me hapjen e sesionit me 21-22 korrik, u miratua dhe në tetor miratuam vettingun. I kërkojmë mazhorancës, në qoftë se ka vetëdije për ta pastruar Shqipërinë.

Në radhë të parë duhet të pastrohen ata që marrin vendimet më lart, nga politikanët se po pastrojmë ata që janë nën politikën, ne po pranojmë që peshku të jetë i qelbur nga koka, por s’ka rëndësi. Rëndësi ka që të pastrojmë bishtin e peshkut.

Kështu i bie. Politikani të mos vetohet, por të vetohet polici i trafikut rrugor. Atëherë nëse biem dakord, së bashku me këtë për ta përmbledhur, gjetën instrumenta për dekriminalizimin që nxori 333 zyrtarë të lartë nga zyra deputetë, kryetarë bashkish. Ka mekanizëm edhe për këtë! Por përpara se të flasim për mekanizmin, të flasim nëse jemi dakord për ndërtimin e vettingut të politikës, po apo jo? Kjo është në tryezën e Parlamentit, le ti thonë po.

Këta për të kaluar riazhurnimin e parave, për buxhetet shtesë, i kalojnë me procedurë të shpejtuar, i votojnë brenda natës.

Vettingu e kthen opozitën në Parlament?

Ç’lidhje ka vettingu me kthimin e opozitës? Opozita nuk e ka bojkotuar Parlamentin ka një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Nuk ka shpallur bojkot. Ka thënë për çështje të caktuara do të jemi në sallë, për atë që nuk do jemi do të jemi pranë qytetarëve. Ky është qëllim politik, demokratik, korrekt dhe që i përgjigjet situatës në terren.

Në mënyrë përfundimtare po them përsëri, nuk mund të rrijë opozita në Parlament dhe të bëjë lloqe, ndërkohë që bizneseve u venë javë për javë kriminelët dhe u vënë gjoba, dhe pot ë mos ishte për paratë që paguajnë, u rrëmbejnë edhe ushqimet nga raftet.

Kështu që në këtë situatë të pushtuar nga krimi, sigurisht që është i kushtëzuar për të kuptuar që këtu ka një anomali politike që po gërryen çdo ditë e më shumë Parlamentin, që ka rrëmbyer qeverinë për qafe dhe ka korrupsion. Tani para pak çastesh kishit raportin e DASH, që thoshte që Shqipëria po gërryhet nga korrupsioni, ndërkohë që na ka future po ky raport në listën e zezë të pastrimit të parave.