Petrit Vasili: “Rikthimi i eshtrave të Zogut, veprim pozitiv për krijimin e standardit historik”

438
Sigal

INTERVISTA/ Petrit Vasili: “Vetëm integrimi do të na sigurojë bashkëjetesën me Europën e zhvilluar”

Petrit Vasili, nënkryetari i LSI-së, por edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, në intervistën për “Telegraf”, sqaron se festimi i 28 Nëntorit, në Vlorë e pastaj në Tiranë, do të jetë zbatimi i një protokolli korrekt. Ndërsa rikthimin e eshtrave të Zogut, zoti Vasili e cilëson një veprim pozitiv për krijimin e standardeve të mirë historike e shoqërore. LSI-ja, sipas zotit Vasili është kundër heqjes së emrit dhe bustit të Avni Rustemit, pasi ai shesh është larë me gjakun e tij.

– Zoti Vasili 100- vjetori i Pavarësisë, më shumë po kthehet në një polemikë politike Maxhorancë-Opozitë, sesa një festë e përbashkët kombëtare. Cili është qëndrimi juaj për festimin në kryeqytet të 28 Nëntorit dhe jo në Vlorë, bashkërisht të gjithë?

– Sipas protokollit të përcaktuar qartë festa do të festohet në Vlorë dhe më pas do të vazhdojë në Tiranë këtu nuk ka asnjë paqartësi dhe është zbatuar një protokoll korrekt.

– Kritikën e Kryetarit të PS-së për dekorin e përgatitur nga Bashkia për festimin e 28 Nëntorit, ju e quani politike?

– Vlerësimet e z.Rama për dekorin kanë qenë estetike.

– Rehabilitimi i figurës së Zogut në këtë 100-vjetor, duke lënë në heshtje vlerësimin e personaliteteve që kontribuuan në Pavarësinë e Shqipërisë, sikurse Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, është një normalitet politiko-historik?

– Nuk mendoj se asnjë figurë historike është lënë në heshtje, porse duhet vënë në dukje se në qoftë se për figurat e tjera historia, por edhe shteti dhe opinioni publik kanë folur gjatë si dhe kanë shkruar shumë dhe me objektivitetin dhe pozitivitetin e duhur. Përsa i takon Zogut, për arsye politike, ka pasur subjektivizëm në vlerësime dhe ky ka qenë një moment që ka mundësuar një vlerësim sa më objektiv të tij, të zhveshur nga ndikimet e dikurshme politike, me përjashtim të ndonjë  teprimi emocional të paevitueshëm në të tilla raste, aq më tepër kur ky moment përkonte edhe me kthimin e eshtrave të tij, të cilin do ta quaja një veprim pozitiv dhe krijimin e një standardi të mirë historik politik dhe shoqëror.

– Cili është qëndrimi politik i LSI-së, lidhur me 100-vjetorin e Pavarësisë, por edhe me LANÇL, derisa edhe 17 Nëntori i 1944-s, nuk u përkujtua as nga PS-ja dhe as nga LSI-ja?

– LSI-ja ka një vlerësim shumë të lartë dhe të palëkundur për LANÇ-in, nuk do të na mjaftojë jeta për vlerësuar e përulur me respekt përpara sakrificës së partizanëve të rënë, por edhe të bashkëluftëtarëve që jetojnë dhe janë dëshmi të gjalla të një lufte partizane, që e radhiti Shqipërinë në mënyrë dinjitoze me fituesit e mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore përkundrejt koalicionit humbës nazifashist. Edhe në 17 Nëntor u përsërit i njëjti vlerësim dhe unë vetë, në cilësinë e zv/kryetarit të LSI-së, e përkujtuam këtë datë në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, duke respektuar pafundësisht të rënët, por edhe luftën e prindërve tanë, si pjesëtarë të brigadave partizane, ku edhe babai im ka qenë partizan i Brigadës së Gjashtë, brigadë që mban titullin “Hero i Popullit”.

– Nesër Këshilli Bashkiak i Tiranës do të diskutojë heqjen e emrit “Avni Rustemi” dhe bustit të tij, ndërkohë që, 1 javë më parë me madhështi u bë riatdhesimi i eshtrave të Zogut. Të heqësh bustin e Avni Rustemit nga sheshi, a nuk është cenim i historisë dhe këshilltarët e LSI-së, çfarë qëndrimi do të mbajnë?

– Uroj që të jetë një keqkuptim propozimi për heqjen e emrit të nderuar të Avni Rustemit. LSI-ja e vlerëson lart figurën e Avni Rustemit dhe nuk mund të përkrahë ide të tilla konfliktuale. Ai shesh është larë me gjakun e Avni Rustemit dhe nuk mund të ketë emër tjetër dhe ai është gdhendur me këtë emër në memorien historike të qytetarëve të Tiranës dhe kjo memorie nuk mund të zhbëhet dot.

– Mos vallë marrja ose jo e statusit kandidat dhe  integrimi përdoret nga PD-ja dhe PS-ja për kapital politik, duke patur në sfond edhe zgjedhjet e 2013-s?

– Përcaktimi i z.Meta është dhe thelbi i çështjes, pra në asnjë rast nuk mund të prevalojë një problem si Fieri, shtrirja e të cilit ka një lokalizim të caktuar politik me një problem të një rëndësie kombëtare të patjetërsueshme siç është integrimi, i cili ka lidhje me të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

– Keni përshtypjen që PD-ja dhe PS-ja janë po kaq të preokupuara, sa LSI-ja  për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE?

– Për LSI-në është dhe do të mbetet kredo politike integrimi, ajo ka lindur bazuar në këtë kredo dhe ajo do të mbetet një dimension vital i saj i saj. LSI-ja ka bindjen e plotë se integrimi është një dimension, për të cilin duhet punuar pareshtur dhe vetëm ai do të mund të sigurojë atë zhvillim dhe bashkëjetesë me Europën e zhvilluar, për të cilin kemi aq nevojë dhe që na ka munguar aq fort.

– Ditë më parë, zoti Ylli Manjani është shprehur që Kryeprokurorja duhet të shkarkohet, për moskryerjen e detyrës. Ky është edhe qëndrimi i LSI-së?

– LSI-ja do të kryejë detyrimet e saj politike kur në parlamentin e Shqipërisë të paraqitet për diskutim kandidatura për prokuror të ri proces ky që udhëhiqet nga Presidenti i Republikës.

– Ju faleminderit!