Petrit Vasili: Rama pati policinë na mbyti me drogë, po të kishte qeverinë i vetëm Shqipëria do ishte në greminë

470
Një debat i ashpër ka nisur mes kryeministrit Edi Rama dhe LSI-së. Ai vazhdon prej ditësh të flasë në çdo takim elektoral për LSI-në si partia që sipas tij ka prishur ekuilibrat e pushtetit dhe ka bërë të mundur që gjerat të mos ecin ashtu si duhet. Ndërkohë nuk kanë qenë të pakta edhe reagimet nga kampi i LSI-së. Kryetari i kësaj partie, Petrit Vasili i është përgjigjur gjatë ditës së djeshme Edi Ramës, i cili gjatë mitingjeve elektorale në Roskovec, Mallakastër apo dhe nga “Komunikimi Javor” insistoi për vota drejt PS-së në mënyrë që të qeverisë e vetme pas 25 qershorit. Vasili ka thënë përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, se Rama pati policinë në dorë dhe e mbyti vendin me drogë. Vasili ka shtuar, se Rama po të kishte qeverinë gjërat do të kishin shkuar edhe më keq për vendin.”Rama i do gjërat që t’i ketë vetëm. E pati policinë të gjithën vetëm dhe e përmbyti Shqipërinë me drogë. Po ta kishte vetëm të gjithë qeverinë, do ta hidhte Shqipërinë në greminë”, u shpreh Vasili. Ditët e fundit tonet e fushatës elektorale kanë ardhur në rritje, ndërsa ato që bien në sy janë përplasjet në distancë mes PS dhe LSI-së, por nuk mungojnë as thumbimet e Lulzim Bashës në drejtim të ish-aleatit të demokratëve. Edi Rama kërkon votë kundër partive të vogla në 25 qershor, për t’i dhënë fund, sipas tij, ndarjes së pushtetit në tepsi si dhe shantazheve e presioneve të partive të vogla për poste në administratë në këmbim të votave për reformat. Ndërsa nga ana tjetër, LSI akuzon Ramën se është ai përgjegjës për dështimin e qeverisë në disa sektorë.
Sigal