Petrit Vasili: Qeveri e zezë,që kërkon të shkulë bashkë me teatrin edhe zemrën historike dhe kulturore të Tiranës

543
Sigal

Fjala në Kuvend e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili

Sigurisht që jemi besoj në një nga ditët më të errëta të këtij Parlamenti, pasi minimumi që do të kishim bërë sot, po të ishim në një situatë normale dhe po të kishim mbretërimin e arsyes dhe jo të çmendurisë, do të ishim të gjithë së bashku dhe shumë të lumtur do kishim miratuar një projekt për një teatër dinjitoz. Pikërisht aty ku ai ndodhet, por të ri, të rindërtuar, madhështor, I cili jetonte dhe bashkëjetonte më së miri me një qendër historike, e cila nuk daton në vitin 2013, kur fillon e qeverisë si kryeministër, por I cili është pjesë e historisë që kemi detyrim dhe ta trashëgojmë, ta respektojmë, por edhe ta përmirësojmë sa të jetë e mundur më shumë, pa I humbur asnjë çast as identitetin asaj, por mbi të gjitha pa humbur identitetin e vetes. Jemi pikërisht në një situatë nga më të këqijat, nga më paradoksalet, pasi ne duhet të mbrojmë një teatër të cilin në ditë të vështira pushtimi, pushtuesit menduan ta ngrenë. Pushtuesit blenë me franga ari tokën për të pasur një teatër dhe tani një pushtim I ri, më I keq, më I zi se sa çdo pushtim përpiqet ta zhbëjë. Dhe përpara kësaj gjëje, është e tmerrshme se si mundet që një pushtim I ri të degradojë e të jetë nën nivelin e një pushtuesi, I cili na e la këtë teatër. Jemi sot këtu, sigurisht, jo thjesht për ta mbrojtur atë. Praktikisht në lojë është identiteti ynë, ndërsa në krahun tjetër është dëshira e shfrenuar për ta decerebruar artin. Për ta zhbërë në konsistencën e tij, për të dhënë të kuptojë që arti është pa vlerë, sepse fatet e tij I ka në dorë qeveria. Dihet fare mirë që as arti dhe as artistët nuk kanë qenë në dorë të qeverisë, dhe qeveritë janë harruar ose në rastin më të mirë, si në rastin e kësaj qeverie kanë mbetur atje në memorie si pjesë të zeza të kujtesës kombëtare të një vendi, ndërsa artistët kanë jetuar gjatë. Ne kemi pasur fatin e zi, besoj sot, të dëgjojmë, dikush tha; kemi konsultuar artistë dhe artistë në pension. Po unë idiotësi të tillë më të madhe në botë nuk kam dëgjuar. Ka artistë në pension?! Shkon arti në pension?! Vetëm ca të çmendur që mërziten nga fjala e tyre mund ti konsiderojnë dhe në pension. Pra I vënë edhe limit, edhe moshë artit. Ndërkohë që harrojnë, se injoranca kur çmendet çfarë nuk bën, harrojnë që shumë artistë e kanë dhënë jetën e tyre në skenë, e kanë dhënë në teatrin e tyre, megjithatë do bashkëjetojmë dhe me këtë, nuk kemi çfarë të bëjmë. Në fund të fundit, edhe kjo një mënyrë jetese është. Njëherazi po në sallë diskutuam që nuk kemi çfarë të bëjmë, është një hall I madh, nuk kemi lekë, jemi shumë të varfër, nuk kemi asnjë kokërr leku fare fare, prandaj do pranojmë çdo lloj poshtërimi, çdo lloj kulle, mbase po të dojë privati mund të kishte një projekt që të kishte banjo të mëdha publike në katin e parë, dhe ne do lumtëroheshin që na e bën dhe atë, sepse lekë ne nuk kemi fare. Nuk ekziston leku gjëkundi. Shifrat nuk na e thonë kët gjë, dhe kushdo nga kolegët që I bën shërbim kësaj teze, kësaj teorie, kësaj alibie më mirë ti themi, vihet në një pozicion qesharak, dhe të shëmtuar, por edhe në pozicionin e inkuizitorit dhe zhbërësit të vetvetes dhe të aksit tonë kulturor. E them këtë sepse shifrat janë kundër tyre, pasi shifrat janë publike, as nuk I shpik opozita, as nuk I sajon opozita, por janë aty.Vetëm në 3 vjet, 2015,2016,2017, vetëm për shpenzime luksi, vila qeveritare, zyra transferime, fasada, janë harxhuar plot 140 milionë euro. Nuk dëgjova ndonjë nga këta që e prezantuan të më thotë që ky teatri i ri me gjithë këto pazaret që ne japim kaq, marrim kaq, na jep kaq dhe ne do ti japim aq, nuk më tha njër që bënte 140 milonë euro ky Teatër. Pra paratë janë, plot aty kanë qenë paratë, por para sigurisht për një teatër që nuk është thjesht teatër por është një zemër e kulturës shqiptare . Po për vendndodhjen që ka është dhe zemra e kryeqytetit shqiptar dhe duke qenë zemra e kryeqytetit shqiptar është dhe zemra e Shqipërisë. Këta nuk e kanë problem tua shkulin zemrën sepse para për të bërë zyrat nga e para, me nder dhe tualete zyrash nga e para por dhe riparim fasada e të gjitha ka por për Teatrin nuk ka. Gjithmonë mbarohen, gjithmonë janë të pamjaftueshme, mjafton që edhe sokak qytetesh ti bëjmë nga 4 herë apo 7 herë por prapë para për Teatrin nuk ka, nuk gjenden. Këto janë alibi dhe të neveritshme dhe të poshtra në mënyrën e tyre të të sajuarit pasi qëllimi është vetëm një. Që të shuajmë dhe të asgjesojmë atë që është identiteti kulturor edhe i ditës dhe i momentit dhe i të shkuarës dhe i së ardhmes. Dhe qeveritë mos të kenë një besim që quhet besimi kulturor por të kenë atë që quhet besimi qeveritar. Feja e re e shqiptarëve duhet të jetë qeveria. Gjëja ku ata presin dhurata të jetë qeveria. Taksat ato para që janë nëpër duar, buxhete nuk janë të shqiptarëve janë të qeverisë dhe ajo i rrëmben në atë moment i kthen në dhuratë për ta. Dhe të gjithë njerëzit presin në sokake nëpër rrugë, nëpër zyra kudo presin dhuratën e rradhës që qeveria do u japë. Dhe këtë rast qeveria u merr tokën e tyre. Toka nuk është e qeverisë, është tokë e të gjithë shqiptarëve të cilët ja japin për administrim qeverisë por jo që ta vjedhë dhe grabisë qeveria. Dhe në emër të kësaj gjëje kjo pronë shpërdorohet, shpartallohet dhe jepet përpara shqiptarëve bashkëjetesa e një kompleksi historik dhe kulturor siç është kompleksi i ministrive, i trashëguar që është pjesë e po këtij kompleksi të madh, që do të bashkëjetojnë me kullat e reja pa asnjë kuptim, pa asnjë vlerë, të cilët  e zhbëjnë krejtësisht themelin e Tiranës që kemi trashëguar dhe që kishim detyrim ta mbronim dhe ta mbanim. Flas për ata që kanë një minimum identiteti kulturor dhe qytetar. Por ata janë shumë të lumtur që duke e zhbërë dhe duke e shkulur edhe këtë zemër të Tiranës, të kryeqytetit thashë dhe gjithë vendit, jemi të qetë se kemi vënë aty, damkën, thundrrën dhe vulën e qeverisë. Sigurisht që qeveritë kanë një fat të keq. Ato më të shëmtuarat dhe ato të cilat bëjnë gabimet më të rënda janë ato që mbahen mend po për keq. Historia na tregon që për dhjetëra perandorë që Roma e lashtë pati, njëri më i lavdishëm se tjetri, njëri më ngadhënjimtar se tjetri, për fat të keq të të gjithëve mbahet mend vetëm Neroni. Dhe të tillë mendje të çmendur e ka pasur historia. Është gjynah që po ripërsëritet në vendin tonë në kohë të papërshtatshme. Neroni ju e dini ishte më i zoti sesa Neka. I binte lirës më mirë se të tjerët. Ishte arkitekt më i madh se të gjithë të tjerët dhe e dogji Romën. Pra ishte muzikanti më i madh, filozofi më i madh, arkitekti më i madh dhe dogji Romën, e shkatërroi. Ishte edhe inçestual në planin personal. Edhe kjo ishte një gjë e rëndë. Pse duhet që ne të riprodhojmë në kohët tona, në Shqipërinë e cila ka halle prapë, një qeverisje të kohëve të Neronit. Po ka një garanci do mbahen mend, patjetër që do mbahen mend. Do mbahen mend si Neroni. Ai dogji Romën këta i shkulën zemrën kryeqytetit. Ai pati incest politik, qoftë me kundërshtarët qoftë në familjen e tij, ne këmi incest kundra artit, kundra kulturës. Kujt i bëri mirë? Cili nga ata që ka një moshë të caktuar është i qetë sot që fëmijët e tyre kanë mundësi që të gjejnë një aks kulturor, një bazë të kulturës të tillë? Ka të qetë? Janë të qetë për fëmijët e tyre? Apo janë më të qetë që magazina e barabartë me një magazinë nga ato të fruta zarzavateve që kemi atje në autostradë është tashmë teatri turbina. Po të kishin pasur ndonjë çik mend, do të kishin qenë të zgjuar që atë laborator ku ka qenë ajo ta ringrinin prapë. Le të ishte laborator i ideologjisë, le të kishte një gramë shkencë më shumë të ideologjisë. Sepse kemi nevojë, kemi përplasje vazhdimisht me fatkeqësi natyrore që lidhen me veprat e tij energjitike. Jo jo po ajo nuk mund të ringrihet sepse është vepër shkencore, sheknca është armiku ynë. Pra atë e kemi shkatërruar. Dhe mbi të kemi ngritur atë hiç gjënë. Kemi ngritur atë mjedisin hiç shkencën, hiç artin, një gjë qetësisht multikulturore dhe fare mirë në atë lloj teatri mund të akomodohen edhe zarzavatet edhe qepët edhe patatet. Pasi varet se çfarë ke në mendje. Kur ke të këtillë tollovi zarzavatesh, zarzavate do çosh edhe atje. Përfundimisht sot nuk votohet thjeshtë dhe vetëm me atë që quhet vendosje politike. Nuk ka lidhje me vendosjen politike fare. Ka lidhje me vendosjen e cila do të jetë një vendosje siprin. Dhe në rradhë të parë e mbi të gjitha një vendosje mbi ndërgjegjen shoqërore të gjithë secilit. Në qoftë se kjo ndërgjegje rrënohet e s’të thotë gjë, në qoftë se bën kompromis me një ndërgjegje të bërë pis sigurisht mund të votohet me qetësi të madhe. Por fatin të gjitha këto votime e kanë shumë të errët edhe shumë të zi. Faleminderit.