Petrit Vasili: Puthja që nuk solli Drejtësinë e re

426
Sigal

3 vite nga votimi me 140 vota të ndryshimeve Kushtetuese të Reformës në Drejtësi, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka publikuar në facebook një analizë, ku përmend pikat më të rëndësishme të kapjes së Drejtësisë nga kryeministri Edi Rama. Nga ana tjetër, Vasili ka risjellë në vëmendje “puthjen” mes ish-ambasadorit të SHBA-së, Donald Lu me ish-ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin, të cilët sipas nënkryetarit të LSI-së, nuk solli ëndrrën europiane.

“Puthja e 21-22 korrikut dhe humbja edhe asaj pak drejtësie, që kishim! Në mesnatën e 21-22 korrikut të 2016 ndodhi një puthje memorabile mes ambasadores Vllahutin dhe ambasadorit Lu për të kremtuar votimin me 140 vota të ndryshimeve Kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Te gjithë pas kësaj puthjeje,  imagjinuan se një ëndërr po bëhej realitet dhe se drejtësia, që kishim parë e admiruar në filma Hollwvudianë dhe Europiane do të ishte një realitet tashmë edhe ndër ne.

Në ndryshimet e miratuara në 21-22 korrik, të bekuara edhe nga kjo puthje kuptimplotë, kishte data dhe afate të shkruara me një saktësi, të paparë, ndaj edhe ne të gjithë  patëm iluzionin se e kishim në pëllëmbën e dorës drejtësinë e re, e cila do të ndërtohej fët e fët, sepse Kushtetuta e re e sapo miratuar nuk linte shteg nga të lëvizje.

Por pas kësaj puthjeje, as drejtësia re nuk lindi, por humbën edhe ate pak drejtësi që kishim. Të gjitha afatet e shkruara në Kushtetutë u shkelën dhe nëpërkëmbën shumë më keq se në drejtësinë e mëparshme. Të gjitha detyrimet e vëna në Kushtetute në 21-22 korrik nga strikte, të prera e rigide, u bënë si llastik që e hapte qeveria, pa kushtetutë e ligj, sa i do qejfi për ta kapur totalisht drejtësinë, shumë më keq se më parë.

Prokurorin e përgjithshëm, e shpikën të përkohshëm, kundër kushtetutës dhe nga kërkesa e Komisionit të Venecias për të mos e zgjedhur as me tre të pestat për të evituar kapjen, e grabiti Edi Rama dhe qeveria me 69 vota dhe pa veting, shumë më keq se më parë. Humbëm Gjykatën Kushtetuese, që kishte dhënë më parë dhjetra vendime kundër të gjitha qeverive të majta e të djathta, më keq se më parë. Kemi sot Gjykata si e Durresit, që jep dy vendime të kundërta për të njejtën çeshtje për votimet e 30 qershorit, gjë qe s’ndodhte kurrë më parë, pra më keq se më parë.”-shkruan Vasili.

Kemi prokurori që as hap, as heton por vetëm mbyll çeshtje të korrupsionit gjigand dhe krimit zgjedhor, kur së paku dikur edhe hapeshin e hetoheshin ca çeshtje edhe këtu më keq se më parë. Kishim Gjykatë të Lartë qeësot pas tre vjetësh as kemi as nuk e dimë kur do ta kemi dhe 35 mijë çeshtje sa, një mal, që rrinë e presin e ku njerëzve s’do tu dalë as jeta për të marrë drejtësi, pra me keq se më parë.

Kemi KLGJ dhe KLP të mbushura me njerëz pa integritet të kontestuar edhe nga ndërkombëtarët vetë që do të ndërtokan drejtësinë e re sipas reformës edhe këtu më keq se më parë. Tre vjet pa sistem drejtësie sidhe kapja totale nga qeveria edhe e atyre pak organeve që janë ngritur, janë një zhgënjim shumë i madh tek qytetarët, të cilët besuan dhe ëndërruan tek drejtësia e re, e barabartë për të gjithë dhe mbi çdo gjë të pakapur nga qeveria. Koha nuk pret, duhet vënë gishti në plagë sepse shteti i së drejtës është kapur totalisht dhe duhet shpëtuar sot. Qytetarët i besuan puthjes së 21-22 korrikut, por zhgënjimi i tyre pasi humbën edhe ate pak drejtësi që kishin, kërkon sot që ndërkombëtarët ti japin shuplaka dhe jo lëvdata qeverisë për kapjen skandaloze të drejtësisë gjoja të re, këtë presin qytetarët nga ata.