Sigal

Intervista e kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili për News 24

Sapo ka rinisur protesta e studentëve, por duket sikur ka një rënie të përmasave. Pse sipas jush?

Nuk e kam parë asnjëherë protestën e studentëve, nga ndekja sigurisht shumë e vëmendshme dhe shumë e kujdesshme që i kam bërë, duke bërë numrin, duke bërë apelin e njerëzve apo të tjera koncepte si këto. Protesta e studentëve është madhorë për mesazhin që përçon dhe për atë që ka vënë në dukje. Ka vënë në dukje si asnjëherë tjetër, ndoshta me një fuqi shumë më të madhe se politika vetë, çfarë regjimi për fat të keq injorant, qeveris në Shqipëri dhe injorancën më shumë se çdo gjë tjetër e ka vënë në dukje kjo lëvizje. Dhe sa egërsisht e trajton botën universitare, sesa i pavëmendshëm është ky regjim ndaj të rinjve dhe i pamëshirshëm ndaj tyre. Pasi ky lloj regjimi i trajton  kaq egër të rinjtë u ofron vetëm një alternative, të largohen nga vendi. Pra sëmundjet gërryese të kësaj klike që qeveris vendin, kjo protestë i nxori të gjitha në dritë. Dhe çdo ditë që protesta zhvillohet vazhdon i nxjerr një llum të vazhdueshëm që ka akumuluar kjo klikë, në këto 5-6 vjet që ka në krye të vendit. Ky mesazh vazhdon të jetë gjithmonë e më i fortë, të amplifikohet gjithmonë e më shumë dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë po dallojnë, në mënyrë të qartë pse jo në mënyrë të paanshme, pasi gjithmonë kritikat që vijnë  nga anë të caktuar të opozitës, ka dhe një lloj paragjykimi. Në këtë rast nuk mund të ketë asnjë lloj paragjykimi. Përballë kësaj situatë, shikojnë një kryeministër, frikshmërisht injorant dhe të paditur, njëkohësisht dhe shumë të egër për të ruajtur karrigen e tij. Por që sfidohet nga një brez i madh i Shqipërisë, të cilët duan Shqipërinë edhe veten e tyre shumë më tepër dhe nuk ndalen cilido qoftë kryeministri.

LSI ka përkrahur publikisht këtë protestë, por a do ti bashkoheni?

Përkrahja publike ka qenë një përkrahje  e natyrshme e cila ka ardhur, për shkak se LSI qartësisht ka qenë një parti që është vendosur që në ditën e parë të themelimit të saj, në një raport të  veçantë me të rinjtë. Kjo nuk është se unë jam këtu dhe dua ti jap një vlerë partisë që unë militoj dhe përfaqësoj, pra një vlerë artificiale. Qasja e LSI për rininë ka qenë evidente. Ka qenë diferenca që ajo ka bërë me të tjerët dhe natyrshëm e ka mbështet fort dhe po të bënte të kundërtën do ishte jashtë vetvetes. Të rinjtë në LSI kanë ecur përpara, kanë bërë karrierë politike. Ka plot të rinj të tjerët të cilët mbështesin LSI, nuk bëjnë ndonjë karrierë politike por gjejnë veten e tyre të realizuar në të. Misioni ynë nuk është thjesht të kemi miq, militantë apo të tjera, por të dinë që të rinjtë kanë në politikë një zë të tyre. Dhe duke i  mbështetur jemi me ta. Është normalë që nuk mund të jenë drejtuesit kryesor të LSI atje në protestë, por fryma, gjithçka që po bëjmë, kjo që po bëj unë këtu është mbështetje e jashtëzakonshme. Sigurisht duhet të jënë fëmijët tanë, nipërit, mbesat tona, të gjithë ata të rinj që e ndiejnë veten të trysnuar nga një obskurantizëm feudal dhe mesjetar që Shqipërisë i ka pllakosur në vitet më te papërshtatshme të jetës së saj. Që në vitin 2018 të kishim një obskurantizëm dhe një inkuizicion të padijes në krye të shtetit, kjo është që Shqipëria pati fatin e keq të përballet me këtë gjë.

Në fakt ditët e fundit edhe Kryetarja e LSI-së, ka patur takime në rrethe, me studentë në rrethe ku ka Universitete. Çfarë kanë synuar këto takime?

Së pari kanë synuar të përcjellin një mesazh që fatet e Shqipërisë janë shumë më të rëndësishme, sesa fatet e një individi, një partie politike apo një grupi individësh. Shqipëria ndodhet në një emergjencë kombëtarë të karakterit politik, ekonomik dhe shoqëror. Është politik se thashë qeveriset nga një klikë. Është ekonomik pasi është një varfëri të cilën e keni evidentuar më mirë se ne politikanët, ju si  media duke qenë pranë mijëra qytetarëve të varfër. Dhe  është e karakterit shoqëror pasi mijëra të rinj dhe jo vetëm dhe mosha të pjekura, të moshuar ndihen të pashpresë. Dhe shumica e atyre që thotë populli, kanë këmbë dhe duar e shikojnë të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. Do ta them për të 7 apo 8-ën  herë, disa herë e kam thënë dhe në studion tuaj, që Shqipëria ka një nga indekset më tragjike që mund të ekzistojë. Dhe do ti lutesha të gjithë medieve dhe gazetarëve të prononcoheshin dhe ata në llogaritë e tyre në Faebook, Tëitter , çfarë kemi. Kemi emigracionin  më të madh në Europë për të miturit. 7 deri në 14 vjeç. Ju e shikoni në raportime sesi mijëra të mitur nuk dihet se ku janë. Janë rrugëve të Europës. Janë pre e trafikut të organeve, pre për tu shndërruar në baby killer, në vrasës të vegjël, në spaçatorë dhe shpërndarës droge. Pra në pjesët me të errëta të malavitjes. Fëmijët e Shqipërisë ndodhen atje. Pra të kesh emigracionin më të lartë të moshës 7 me 14 vjeç e të thuash që kjo ndodh kudo në botë, siç thotë kjo fatkeqësi që kemi për kryeministër është gjëja më dramatike. Ju lutem ma kini në konsideratë, edhe teleshikues, por edhe ju. Këtë jua them jo si politikan, po ua them si prind. Mendoni të kemi fëmijë të mitur 8, 11, 12 vjeç, numrat i keni raportuar ju dhe kolegë të mediave të tjera, kushedi sa fëmijë të zhdukur. Dhe kjo ka ardhur pikërisht nga ky dëshpërim i thellë shoqëror që përbën dhe komponentin e tretë që unë thashë që ishte së bashku me pjesën ekonomike dhe politike, në krizën në të cilën është thelluar vendi.

Po protesta juaj, protesta e opozitës, kur do të rinisë?

Protesta e opozitës, mesa unë ju mirëkuptoj, ka të bëjë me protestë të madhe në shesh, pasi mungon dhe është plotësisht e gatshme të shpërthejë nga çasti në çast. Sigurisht është ndërtuar një raport i caktuar dhe i kujdesshëm për t’i lënë të gjithë hapësirën e caktuar protestuesve studentë, të cilët kanë sjellë një frymë të re dhe një sensibilitet të ri. Por njerëzit po protestojnë në mënyrë të përditshme. Për çfarë arsye? Banorët e Astirit të mbështetur nga opozita janë atje dhe e kanë mbështetjen tonë. Në çdo komunikim, jo vetëm ne, por edhe kolegë të Partisë Demokratike, denoncojnë fakte rrëqethëse. Po të mos kishte qenë opozita, jo qytetarët por dhe ju si gazetarë, disa fakte të rëndësishme nuk do ishin. Kanë buruar dhe nga media juaj, një nga emisionet e mirënjohur të medias suaj pikërisht Të Paekspozuarit ka vënë në dukje disa fakte, të cilat ne i kemi marrë dhe rimarrë dhe jemi thelluar në to.

Dhe sot shqiptarët dinë që kanë një qeverisje që mund të vjedhi 40 milion euro brenda 24 orëve. Që kanë një qeverisje që është e gatshme të bashkëpunojë me ata që falsifikojnë dokumentat amerikane. Që shikojnë se e kanë km e rrugës 22 milion. Që dinë që mbi 3 miliard euro të tyre nuk e dinë se ku janë. Që km apo cm i rrugës është më i kushtueshëm sesa floriri. Dhe njëkohësisht dinë plot e plot shpërdorime të pushtetit, me koncesione, me një korrupsion nga më galopantët. E gjithë kjo është një protestë e vazhdueshme, e përditshme, sistematike, e cila sigurisht do të ketë edhe atë kulm për të cilën ishte fillesa e pyetjes tuaj, i cili është një kulm i pashmangshëm, i natyrshëm. Pasi një qeverisje që është e shurdhër, është e marrë pas pushtetit dhe që është gati të bëjë çdo gjë për të mbajtur pushtetin, sigurisht që do përballet me një reagim shumë të rreptë dhe të ashpër, që të largohet dhe t’i hapë rrugë zhvillimit të vendit. Jo thjesht t’i hapë rrugën opozitës.

Por është një qeverisje që është bërë shkëmb për mirëqenien e qytetarëve dhe për shpresën e tyre. Pjell varfëri dhe rrënon shpresën, nuk ke pre rri më si qeverisje.

A keni një plan me Partinë Demokratike për këto protesta?

Sigurisht, ju e keni parë që ka një sinkron politik, qoftë në veprim qoftë në ide, qoftë në shfaqjen publike apo bashkë ndarjen e sfidave. Është një sinkron i natyrshëm për 2 parti të cilat formojnë një front opozitar, i cili është tashmë front pasi në opozitë me këtë qeveri janë studentët, janë partitë politike, në opozitë janë banorët e Astirit, janë banorët e Shkozës, janë naftëtarët që dalin. Pra ajo ide që opozita kishte jo thjesht për të krijuar një bashkëpunim politik dy apo pesë partiak, por për të krijuar frontin. Koha i dha plotësisht të drejtë dhe ky front tashmë është i gjithi në sytë tuaja.

Unë kam parë që ju detyroheni shpesh të ndani ekranin tuaj në 4 pjesë, për të pasqyruar dhjetëra protesta që ndodhin njëherazi në të gjithë vendin. Dikush do të thotë a dëgjon qeveria. Për ne ka rëndësi që qytetarët të ndërgjegjësohen. Pastaj kur qytetarët të marrin vendimin, kjo qeveri do të duket aq e vogël dhe aq e parëndësishme sa ju nuk e imagjinoni dot.

Kemi hyrë në vitin elektoral. A është gati Lëvizja Socialiste për Integrim për këto zgjedhje? Dhe si do hyjë në këto zgjedhje?

Nuk ka qenë asnjëherë  që në ditën e parë të themelimit tonë, ndonëse jemi krijuar në kushte shumë të vështira, jemi krijuar në kushtet e një armiqësie të fortë politike. Shpeshherë ju e dini dhe ju vetë e keni përdorur këtë shprehje që na kanë përdorur si një sandviç në mes për të na shtypur, nuk ja kanë dalë. Nuk ja kanë dalë. Nuk ja kanë dalë për shkak të atyre njerëzve që janë në LSI dhe për shkak të asaj që LSI ka mbrojtur. Pasi LSI ka mbrojtur gjithmonë çështje parimore, asnjëherë nuk ka qenë një çështje e vogël, çështje individi apo hall i një individi. Kemi mbrojtur Kushtetutën e vendit kur u zhbë në 2008. Kemi mbrojtur zgjedhjet e lira ku kemi bërë dhe grevë urie. Kemi mbrojtur stabilitetin e vendit, ku bëmë koalicion me Partinë Demokratike, e cila mundësoi liberalizimin e vizave që është një arritje e pashembullt e shqiptarëve. Çdo shqiptar me një pasaportë në xhep ka fituar lirinë e tij të lëvizë në Evropë, kemi mbështetur pa asnjë paragjykim çdo gjë që ka ardhur që ka qenë e mirë për vendin. Në qoftë se  ka patur një qëndrim vërtetë mendjembyllur e trushkulur të Partisë Socialiste, kemi përshëndetur rrugën e kombit atëherë kur u zhvillua si një aks, i cili lidhte Kosovën me Shqipërinë.

Pra qasje parimore e LSI-së dhe njerëzit e saj shumë të bindur për të besuar në projektet e LSI-së e ka bërë që të përgatitet për zgjedhjet për ne të jenë të lehta dhe të natyrshme. Kështu që edhe këto zgjedhje për ne nuk janë asnjë problem. Për ne problem madhor është sot, në momentin që unë flas me ju një qeverisje që rrënon vendin çdo ditë, vendi po humbet miliarda. Kjo qeverise po arrin të gënjejë dhe arrin të thotë borxhi është 63% siç thonë, ndërkohë që borxhi është 83%. Dhe në shpatullat e mia e të tuaj e të gjithë rezulton një piramidë e re financiare, e cila do na shtypë shpatullat dhe këta kanë llogaritur, ta dini të jeni të bindur për këtë që ju them se ka prej tyre personazhe që kanë eksperienca në të shkuarën që të bëjnë gati të largohen me vrap me ato thasët e mbushur me para dhe hallin e madh dhe taksiratin t’ua lejë shqiptarëve.

Dhe ne jemi këtu pikërisht për të ndaluar këtë, përgatitja për zgjedhjet e radhës është një gjë e natyrshme, është në dimensionin tonë ndaj dhe emri ynë nuk pa për të ndryshuar asnjëherë dhe do të quhet gjithmonë Lëvizje.

E natyrshme, por si do të hyjë. Ju pyeta edhe pak më parë, do të hyni në koalicion me Partinë Demokratike apo ka kandidatët e saj si Lëvizje?

Po ne kemi një front opozitar, e cili do reflektojë këtë mënyrë të funksionimit të tij dhe në zgjedhje sepse sigurisht që përballë kemi një kundërshtarë, nuk do ta quaja armik se nuk është në diskursin tonë pasi kjo qeverisje është armike e qytetarëve për ne është një kundërshtar politik, po për qytetarët është një armik dhe sigurisht të gjithë Kryetarët që kanë një armik përballë do t’i kundërvihen të gjithë se bashku. Këtu nuk besoj se ka mundësi tjetër komunikimi sepse nuk mendoj që asnjë votë e një qytetari të mençur nuk duhet të shkojë që të mbështesë një klikë hajdutësh.

Janë folur në fakt për disa kandidatë nga opozita për Tiranën edhe për zotin Manjani, si qëndron e vërteta?

Nuk dua të merrem me emra të përvetçëm, ua thash jo se kam ndonjë merak apo kam ndonjë vetëfrenim në këtë çështje, por ju shikoni në mënyrë të përditshme, ndërkohë që ne flasim së bashku pak minuta më parë studentët kanë qenë atje, auditorët kanë qenë bosh, kemi një kryeministër në kufijtë e matufepjes që vazhdon e flet për tarifa ndërkohë që shansin që të shpenzonte për të evituar, eliminuar mizerjen se ku jetojnë studentët, laboratorët që nuk ekzistojnë, fakultetet që nuk kanë ndërtesa, fakultete që nuk kanë libra, flitet për gjëra bazike për të cilat po ju them janë më të rënda paradoksalisht se sa edhe kushtet e studentëve në dhjetor të vitit 90, ku së paku nuk ishin 6 vetë në një dhomë, apo të kishin 200 vetë 4 tualete, apo mos të kishin librat bazë. Në atë kohë një regjim për tu harruar, që është quajtur me të drejtëdiktatorial i kishin të siguruara disa gjëra bazike që ishin edhe më të avancuara se sa kjo kohë, paradoksalisht duhet përjetuar një situatë të re, ku për shkak të një qeverisje të tillë ja ku jemi, dhe kjo kërkon këtë përgjigje para të gjithëve dhe sigurisht momenti i zgjedhjeve i cili ka edhe pjesën e vet të rëndësishme edhe pjesën rutinore, del mjaft kohë për të diskutuar sepse kjo emergjencë është tek pragu i derës.

Flasim pak për ndryshimet në qeveri, si i keni parë?

Ndryshimet në qeveri, me thënë të drejtën kam bërë një komunikim timin sepse miqtë të mijë nga media më pyesnin edhe thashë që të mos keqkuptohemi se një media thotë mund të ma kishe dhënë mua këtë deklaratë dhe më mirë thashë po e ndaj me të gjithë miqtë, por edhe me median e cila ka pasur dashamirësinë ta reflektojë dhe kam komentuar pikërisht këtë gjë që ju e keni vënë re që propozimet e kryeministrit në ministritë kyçe të vendit, siç e shikoni në Ministrinë e Ekonomisë, Energjetikës dhe Infrastrukturës, dhe atë të Brendshme ka propozuar njerëz anonim dhe injorantë dhe bëra pyetjen pse e bën Edi Rama këtë gjë.

U përpoqa shumë të gjeja një përcaktim timin dhe nuk ja arrita dot, pasi kishte një përcaktim, një frazë të Xhovani Falkones, nuk po bëj komente kur them Xhovani Falkone sepse edhe shqiptari i fundit e di, një burrë që dha jetën në luftën kundër mafias dhe e thoshte qartë: Sa herë që një qeverisje është rrëmbyer nga mafia ajo vendos në poste kyçe injorantët dhe anonimët. Pra, unë një diagnozë më të mirë se Xhovani Falkone nuk vendos dot, pra kemi një qeverisje që është bërë njësh me krimin dhe këtë e kemi evidentuar dhe sigurisht që edhe produkti më i mirë që kjo mafia në pushtet të eci është të ketë anonim dhe injorantë me të cilët kryeministri bën si do.

Dhe në fund fare ka dhe një gjë interesantë që i duhet kujtuar këtyre zotnive, që në fund fare tu lërë përgjegjësitë atyre dhe të iki, në mënyrë që ata të jenë ata që do të shkojnë në burg, kurse ky i zhveshur së paku nga këto përgjegjësitë burokratike, pra atë që bën një mafioz i vërtetë, kështu që kemi një zgjedhje mafioze, për disa mafiozë të tjerë të një niveli më të vogël, italianët i thonë kuçoli, janë këta këlyshët e vegjël.

Ndërkohë nga Presidenti Meta ende nuk po e firmos dekretin për shkarkimin e ministrit Bushati?

Kam vetëm një koment në lidhje me këtë çështje, pasi Presidenti ka pasur mundësinë ta shterojë këtë çështje pikërisht në grupin tuaj mediatik, mbrëmë në emisionin e kolegut tuaj Adi Krasta. Që të bësh detyrën në raport me Kushtetutën në saktësi, është misioni më pozitiv që Presidenti po i jep vendit si mesazh, pasi shthurja institucionale, falja e institucioneve, kompromise të paprincipta dhe papërgjegjshmëria shtetërore e gjejmë kudo në këtë qeverisje dhe nuk kemi nevojë për të.

Kurse zbatimi me korrektesë, verifikimi një më një dhe përgjegjësim për ata të cilët qeverisin vendin, është një detyrë të cilën Presidenti po e kryen me një seriozitet maksimal, ashtu sikurse është edhe në natyrën e tij si një politikan dhe si një burrë shteti. Këtu nuk shikoj asgjë të jashtëzakonshme, me ç’pashë në disa portale, të cilat kishin vënë pjesë të intervistave të këtij kandidatit që kanë sjellë për ministër të Jashtëm. Ishin shumë shqetësuese me thënë të drejtën. Vura re që ky kandidat, aspirant për ministër të Jashtëm kishte analogjia, si shkëmbime të territoreve, kufi Serbi-Kosovë, ka të njëjtat problematika si kufiri Greqi-Shqipëri dhe këtu problemi komplikohet shumë dhe sigurisht Presidenti bën mirë që është i kujdesshëm, pasi fatet e diskutimeve, debateve në lidhje me çështjen e integrimit, duhen të jenë në dorën e njerëzve shumë të përgjegjshëm.

E gjej si një mesazh shumë të mirë që përgjegjshmëria dhe kushtetutshmëria kanë një shtëpi në Shqipëri që është Presidenti i Republikës, ku ato respektohen.

Si e keni parë figurën e ministrit të ri?

Për deklaratat shqetësuese të këtij ministri lidhur me kufinjtë, unë e kam parë me seriozitet shumë të madh dhe për mua janë qëllime të papajtueshme antikombëtare, antishqiptare që i shërbejnë pjesës më të zezë që e ka urryer Shqipërinë në shekuj, jo në vite. Kjo është pjesa serioze.

Këtu te pala shqiptare po luhet një tragjikomedi. Pjesën tragjike e shpjegova pak më parë. Pjesa komike kush është? Dëgjova pak më parë që Kryeministri ishte ngazëllyer që ky djalë paska lexuar libra. Të them të drejtën besoj se të gjithë ju jeni ndjerë shumë të ofenduar që meqenëse kryeministri nuk lexon më libra, lexon vetëm këto të koncesioneve, që numërojnë se sa para fitojnë, ngazëllehet se dikush lexon libra. Ju keni parë që ai ka një gjuhë të varfër, të drunjtë, vulgare, shpeshherë primitive, që varfëria në lexim e prodhon këtë gjë, ngazëllehet dhe kriteri kryesor është që të kemi një njëri që ka lexuar libra. Pse? Sepse ju kam thënë, kryeministrin unë e kam përcaktuar një shkollëpak. Me argumentimin që dha, që ishte ngazëllyer që kishte lexuar libra, jam i bindur që nuk e kam tepruar hiç që e kam quajtur shkollëpak, se shkollëpak është.