Petrit Vasili me liderët socialistë të Ballkanit në PE: Lëmë mënjanë interesat partiake, të përqendrohemi tek axhenda europiane

452
Sigal

Kryetari i Grupit
Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili mori pjesë në Forumin e Liderëve
Socialistë të Ballkanit Perëndimor organizuar prej Grupit Parlamentar të
Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian.

Forumi u drejtua
nga Zv. Presidenti i Grupit të Socialistë dhe Demokratëve dhe Raporter për
Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, z. Knut Fleckenstein me pjesëmarrje nga
përfaqësues të partive të majta dhe grupeve parlamentare të Ballkanit
Perëndimor.

Z. Vasili, i cili
shoqërohej në këtë aktivitet nga Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, z. Ralf
Gjoni, mbajti një fjalë gjatë forumit, ku theksoi LSI-ja beson në mbështetjen e
grupit parlamentar social-demokrat për avancimin e axhendës së reformave për të
siguruar rezultate konkrete për qytetarët shqiptarë dhe në përshpejtimin e
procesit të integrimit evropian.

“Ne jemi të
ndërgjegjshëm se kjo nuk ka qenë gjithmonë e mundur, duke patur parasysh se
konfliktet e brendshme politike e kanë bërë edhe më të vështirë punën e
avokatëve dhe miqve tanë më të mirë këtu në Bruksel, në mënyrë të veçantë
brenda familjes social-demokrate. Kësisoj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes
Socialiste për Integrim, të cilin unë drejtoj në Kuvendin e Shqipërisë, është i
angazhuar në disa shtylla strategjike për të cilat ne besojmë se i shërbejnë
integrimit europian dhe shkojnë në një linjë me vlerat tona
social-demokratike”, – tha Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, ndërsa
shprehu bindjen se angazhimi konstruktiv me të gjithë palët politike në
Kuvendin e Shqipërisë kur bëhet fjalë për prioritetet europiane, duhet të jetë
një detyrim kombëtar, jo një strategji partiake politike.

“Kjo do të thotë
se kur është çështja për miratimin e reformave madhore dhe plotësimin e
detyrimeve ndaj BE-së, ne duhet të lëmë mënjanë interesat partiake dhe të
përqendrohemi në avancimin e axhendës sonë europiane. Në filozofinë tonë të të
menduarit, ne besojmë se ka një kohë për partitë politike dhe një tjetër për
integrimin. Këto të dyja nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën! Dialogun politik,
që është një pritshmëri e natyrshme e Brukselit, ne gjithashtu e shohim si një
detyrim për zbatimin e ligjeve dhe reformave që kalojmë në Shqipëri. Kjo më çon
tek pika ime e dytë – ajo e implementimit të reformave konkrete, jo në letër
por në praktikë”, – deklaroi ndër të tjera z. Vasili në fjalën e tij.

 

Fjala e plotë e
Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI, z. Petrit Vasili

 

Të dashur miq, të
nderuar kolegë!

Më lejoni, që në
emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Shqipërisë, t’ju falënderoj për
përpjekjet e juaja të vazhdueshme për zgjerimin e BE-së dhe në mënyrë të
veçantë për përpjekjet tuaja të palodhura në mbështetje të integrimit të
vendeve të Ballkanit.

Si pjesëtarë
aktivë të koalicionit qeverisës social-demokrat të Shqipërisë, ne besojmë në
mbështetjen tuaj për avancimin e axhendës sonë të reformave, jo vetëm për të
siguruar rezultate të prekshme dhe konkrete për qytetarët tanë, por gjithashtu
për t’ju dhënë, ju këtu në Bruksel dhe vendeve anëtare, argumente të forta për
të mbështetur përshpejtimin e procesit tonë të integrimit.

Ne jemi të
ndërgjegjshëm se kjo nuk ka qenë gjithmonë e mundur, duke patur parasysh se
konfliktet e brendshme politike e kanë bërë edhe më të vështirë punën e
avokatëve dhe miqve tanë më të mirë këtu në Bruksel, në mënyrë të veçantë
brenda familjes social-demokrate.

Kësisoj, Grupi
Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilin unë drejtoj në
Kuvendin e Shqipërisë, është i angazhuar në disa shtylla strategjike për të
cilat ne besojmë se i shërbejnë integrimit europian dhe shkojnë në një linjë me
vlerat tona social-demokratike.

Para së gjithash,
ne besojmë se angazhimi konstruktiv me të gjithë palët politike në Kuvendin e
Shqipërisë, kur bëhet fjalë për prioritetet tona europiane, duhet të jetë një
detyrim kombëtar, jo një strategji partiake politike.

Kjo do të thotë
se kur është çështja për miratimin e reformave madhore dhe plotësimin e
detyrimeve ndaj BE-së, ne duhet të lëmë mënjanë interesat partiake dhe të
përqendrohemi në avancimin e axhendës sonë europiane. Në filozofinë tonë të të
menduarit, ne besojmë se ka një kohë për partitë politike dhe një tjetër për
integrimin. Këto të dyja nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën!

Dialogun politik,
që është një pritshmëri e natyrshme e Brukselit, ne gjithashtu e shohim si një
detyrim për zbatimin e ligjeve dhe reformave që kalojmë në Shqipëri. Kjo më çon
tek pika ime e dytë – ajo e implementimit të reformave konkrete, jo në letër
por në praktikë.

Këtu mund të ndaj
me ju një shembull të freskët: miratimin me konsensus të reformës në drejtësi
në muajin korrik nga Kuvendi i Shqipërisë, që në vetvete është një Kushtetutë e
re.

LSI-ja është
angazhuar plotësisht që nga fillimi i këtij procesi për të siguruar që
konsensusi të ishte një kusht i panegociueshëm, që do të kishte të garantuar
suksesin e zbatimit të reformës. Unë mund të them haptazi se jo të gjithë në
Tiranë e donin konsensusin, dhe për arsye të qarta.

Personalisht
besoj se jo çdo vendim ka nevojë për konsensus absolut, përndryshe zhvillimi do
të bllokohej. Por, me këtë ndryshim madhor të sistemit tonë të drejtësisë, një
reformë që do të ishte po aq e vështirë edhe në shumë vende të BE-së, nevoja e
një votimi konsensual në mjedisin shqiptar, ku çdo nismë politike sfidohet dhe
shpesh bllokohet nga kushdo që është në opozitë, bëhet e domosdoshme.

Ky ishte
arsyetimi i qëndrimit tonë pas angazhimit për të shtyrë të gjitha palët drejt
marrëveshjes, e cila në fund, falë edhe të përpjekjeve të Kryetarit të
Kuvendit, Ilir Meta, për fat të mirë u bë e mundur.

Natyrisht, më
duhet të theksoj këtu rolin shumë pozitiv që Knut Fleckenstein, si raporter për
Shqipërinë ka luajtur në disa prej momenteve më delikate që çuan në miratimin e
reformës në drejtësi, duke u angazhuar me të gjitha palët për të arritur
konsensusin.

Kohët e fundit ne
pamë se si ligji i Vetting-ut, që u miratua në muajin gusht vetëm me votat e
koalicionit të majtë PS-LSI, u dha opozitarëve demokratë fushë të hapur për ta
sfiduar atë në Gjykatën Kushtetuese, duke shkaktuar një vonesë të panevojshme,
e cila në këndvështrimin tim dëmton implementimin e shpejtë të reformës.

Pika e tretë që
dua të përmend është nevoja për më shumë transparencë dhe më shumë përfshihet
të shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe medias. Ne e shohim këtë si
thelbësore për cilësinë e demokracisë sonë dhe mënyrën se si ne bëjmë politikë
dhe hartojmë politika që më pas vijnë në Parlament për t’u votuar.

Në këtë drejtim,
unë besoj se BE-ja mund të ndihmojë më shumë, jo vetëm në Shqipëri, por në të
gjithë rajonin, në mënyrë që të fuqizojë elemente të tilla kaq jetësore të
demokracive tona, sepse integrimi në BE nuk është vetëm detyrë e një qeverie.
Është përgjegjësi e të gjithë shoqërisë, ku organizatat profesionale të
shoqërisë civile dhe grupet e interesit janë të domosdoshme për shëndetin e
demokracisë sonë, në nivel institucional shtetëror, por edhe në nivel partiak.

Qysh prej një
viti forca jonë politike ka vendosur të bëjë të gjitha publike në faqen tonë
zyrtare në internet të gjitha kostot financiare t aktiviteteve që ne
organizojmë, në sajë të një programi transparence për të cilin jemi duke punuar
ngushtë me NDI-në.

Si për
koincidencë, LSI-ja sapo ka përfunduar zgjedhjet për kryetarin e ri dhe për
delegatët që do të marrin pjesë në Konventën Kombëtare Zgjedhore që do të
zhvillohet në muajin dhjetor. Pas një votimi masiv në të gjithë vendin, ku
anëtarët zgjodhën mes tre kandidatëve për kryetar, ne jemi jashtëzakonisht të
lumtur që kemi sjellë përsëri, një standard të ri të demokracisë së brendshme
të partisë dhe transparencës në Shqipëri.

Ju falënderoj
edhe një herë të gjithë ju, që organizuat këtë forumi të rëndësishëm dhe për
mbështetjen tuaj të rëndësishme në rrugën tonë evropiane.