Petrit Vasili: Luftë klasash në administratën e Rilindjes

170
Deputeti i LSI-së: “Administratën publike e kanë transformuar në një komitet partie të neveritshëm”
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili akuzon kryeministrin Edi Rama se “me veprimet e tij të zeza ka instaluar nenin e ri 24/2 për të persekutuar dhe gllabëruar administratën publike dhe për ta transformuar atë në një komitet partie të neveritshëm”. Vasili shkruan në rrjetin social se në administratën publike është kthyer lufta e klasave dhe vendin e diplomës e ka zënë tesera e partisë së Rilindjes. Deputeti i LSI thotë se po largohen qindra punonjës profesionistë me urdhra partie e deputetësh. Deputeti i LSI-së Petrit Vasili shkruan: “Neni 24/2 i kryeministrit dhe lufta e klasave në administratën publike. Administrata publike është kthyer përfundimisht në një çorbë të prishur që ka erën e rëndë të persekutimit partiak dhe paaftësisë së tmerrshme profesionale. Sharlatanizmi ia ka zënë vendin profesionalizmit dhe diplomës ia ka zënë vendin tesera e partisë së Rilindjes. Qindra e qindra punonjës dëbohen nga administrata pa asnjë arsye, thjesht dhe vetëm me urdhra partie deputetësh të qeverisë apo militantësh gjithfarësh. Ligji i shërbimit civil është shkelur e shqyer është zëvendësuar me nenin 24/2 dhe është bërë përfundimisht një grumbull fjalësh, që kutërbojnë e që kryeministri e ka hedhur në plehra. Këtë e konfirmon qartë raporti transparent i komisionerit të shërbimit civil, ku më shumë se një e treta e punonjësve emërohen në shkelje të ligjit. Një luftë e re klasash është instaluar në administratë dhe çdo punonjës pret me tmerr, se kur do ta thërrasë drejtori përkatës i Rilindjes për ta përzënë nga puna. Nga nxitimi histerik për të hequr sa më shumë njerëz, kryeministri ka vënë edhe drejtorë, që po vetë i ka hequr pas pak javësh duke e shndërruar ligjin në një pece këmbësh. Administrata publike po përjeton ditët e saj më të errëta njësoj si atëherë kur pas vitit 1992 me nenin famëkeq 24/1 u hoqën mijëra profesionistë nga puna, sot kryeministri me veprimet e tij të zeza ka instaluar nenin e ri 24/2 për të persekutuar dhe gllabëruar administratën publike dhe për ta transformuar atë në një komitet partie të neveritshëm, që po prodhon një qeverisje të pështirë të paaftësh dhe që prodhon mosqeverisje dhe kriza të njëpasnjëshme që bien përditë mbi shqiptarët. Nga një kryeministër shkollëpakët dhe që urren specialistët e profesionistët vetëm këtë mund të presësh. Qeverisja dhe haremi përjashtojnë njëra-tjetrën.