Petrit Vasili: LSI po krijon një standard të ri për politikën shqiptare

456
Sigal

Flet pas votimit
zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim

Zëvendëskryetari
i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili gjatë një prononcimi për
mediat të dielën, pasi votoi në selinë qendrore të LSI-së, tha se, “kjo forcë
politike po krijon një standard të ri, si në procesin e zgjedhjeve, ashtu dhe
në politikën shqiptare”. “Është e rëndësishme të marrin pjesë sa më shumë
anëtarë të LSI-së. Ne duam të krijojmë një standard të ri në procesin e
votimit, duke respektuar parimin “Një anëtar, një votë”. Uroj të marrin pjesë
të gjithë anëtarët e LSI-së për të shprehur vullnetin e tyre”, tha Vasili. Sipas
tij, gjithçka është gati për votimin e anëtarëve që do të zgjedhin kryetarin e
ri të partisë. Sot LSI zgjedh kryetarin dhe delegatët për konventën kombëtare.
Në garën për kreun e ri të LSI-së marrin pjesë kryetari aktual i kësaj force,
Ilir Meta, përballë akademikut Shezai Rrokaj dhe deputetit Përparim Spahiu.

Spahiu:
Zgjedhjet në LSI, shembull për politikën shqiptare

Kandidati për
Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, e cilësoi procesin
zgjedhor si një shembull për politikën shqiptare. Ai tha se përmirësimi i
LSI-së do të thotë përmirësim i Shqipërisë. Sipas tij, politika shqiptare duhet
të bazojë më shumë punën e saj tek dëgjimi dhe zgjidhja e halleve të
shqiptarëve se tek debati brenda vetes. “Për një LSI më të mirë, që unë besojë
se do të thotë për një Shqipëri më të mirë, për një politikë që dëgjon e i
shënon hallet e problemet e njerëzve dhe që pas kësaj përpiqet t’ i zgjidh ato.
Unë besoj fort që LSI është e para dhe që duhet të jetë e para, pasi ne besojmë
që shqiptari është i pari. Ky është një proces zgjedhor shembull për të gjitha
partitë politike në vend”, tha Përparim Spahiu.

Rrokaj: LSI
drejt fitores së ardhme të zgjedhjeve 2017

Gjatë ditës
votoi dje edhe kandidati tjetër i LSI, Shezai Rrokaj, i cili  theksoi se këto zgjedhje janë një model dhe
që forcojnë më tej Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Sa më shumë politika
konkrete në dobi të qytetarit, sa më shumë partia e hapur ndaj shoqërisë civile
dhe botës akademike, sa më larg politikës konfliktuale e cila prej 26 vjetëve
po dëmton Shqipërinë, aq më shumë e afron LSI drejt fitores së ardhme të
zgjedhjeve 2017. Ne synojmë të dalim forcë e parë, por koalicionet janë pjesë e
vendimarrjes  të strukturave”, tha ai.