Petrit Vasili: “LSI-ja, është promotore e bashkëpunimit të gjerë politik”

417
Sigal

*Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së

Petrit Vasili, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, në intervistën për “Telegraf”, diferencon rolin  e ri të LSI-së në bashkëqeverisjen me PS-në dhe e lidh me identitetin e saj programor politik. Sipas Vasilit, aleanca PS-LSI është 4- vjeçare, por synon të jetë afatgjatë. Sipas zotit Vasili, nuk ka vend që të rishikohet Rregullorja e Kuvendit, e cila sapo është miratuar me konsensus të gjerë. Zoti Vasili, duke iu referuar rolit garantues të zotit Meta, si garantues i  që politikëbërja të futet në shinat e një bashkëpunimi reciprok, i referohet standardeve të reja me të cilën funksionon Kuvendi i ri.

– Zoti Vasili, LSI-ja do të ketë rol bashkëqeverisjeje me PS-në, apo do të jetë në bashkëqeverisje, sikurse ndodhi me PD-në?

– Pa asnjë mëdyshje që LSI-ja do të ketë një rol tepër të rëndësishëm dhe të patjetërsueshëm si aleat strategjik i ASHE-së. Kjo lidhet, së pari, me identitetin e saj të spikatur programor politik dhe peshën shumë të rëndësishme elektorale të saj. Në tërësinë e tij ky rol është një kontribut i domosdoshëm i saj për një qeverisje të suksesshme të së Majtës, së shprehur në këtë koalicion i pari i këtyre përmasave në historinë e pluralizmit shqiptar. Natyrshëm është një rol i ri krejt i ndryshëm nga ai i aleancës së mëparshme me PD-në, që lindi në kushtet shumë të veçanta, në kushtet, kur vendi dhe procesi i integrimit rrezikonin një krizë të rëndë afatgjatë dhe me pasoja të pariparueshme.

Marrëveshja e LSI-së me PS-në, është deri në fund të mandatit 4 -vjeçar, apo si dy forca të së njëjtit kah politik, do të jetë më afatgjatë?

– Është plotësisht e qartë që kjo marrëveshje shtrihet deri në fund të mandatit katërvjeçar dhe, si një aleancë strategjike e dy forcave më të mëdha të së Majtës shqiptare, synon të jetë afatgjatë, sepse ka të bëjë drejtpërsëdrejti me një fitore në vazhdimësi të së Majtës, në raport me të Djathtën shqiptare, në opozitë.

– Për ju, cili është mesazhi i 8 votave, që mori zoti Meta nga opozita?

E kam përkthyer këtë votë si një qëndrim gjakftohtë të deputetëve ndaj një figure të përmasave të Ilir Metës dhe si një reflektim ndaj frymës bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse larg konfliktualitetit dhe betejave të egra shterpë që z.Meta ka promovuar vazhdimisht.

– Edhe Kuvendi i ri filloi, sikurse mbaroi i mëparshmi, e njëjta frymë konfliktualiteti shterpë. Sipas jush, ku buron kjo frymë e konfrontimit total të forcave politike?

Nuk mendoj se është e njëjta frymë. Diskutimi i gjatë i programit dhe pjesëmarrja aktive e opozitës tregoi qartë se ekzistonin të gjitha hapësirat që ajo të luajë rolin e saj. Natyrshëm, diferencat programore dhe konceptuale mes maxhorancës mbeten dhe kjo është normale por klima në të cilën u zhvillua debati ishte ajo e një salle kuvendi, ku rregullat e demokracisë parlamentare funksionojnë si asnjëherë më parë.

Pohimi i zotit Meta se do të mbajë në zyrat e Kuvendit të dy portretet, e Ismail Qemalit dhe Presidentit,  është  shprehje e një qëndrimi oportunist. A duhet për çështje të tilla, të ketë qëndrim të ligjshëm, kushtetues, përmes debatit parlamentar dhe  gjithëpërfshirës?

Mendoj se, çështja është shumë më e thjeshtë. Evokimi pozitiv i të shkuarës dhe të krijuesve të themeleve të shtetit shqiptar na bën mirë të gjithëve, ndërsa  harresat dhe nënvleftësimet e tyre krijojnë ato boshllëqe në memorien e shtetit bëhen paradoksale dhe krijojnë hapësira për krijim kultesh të reja artificial dhe pa përmbajtje. Në përgjigjen e z.Meta kishte një analizë në 360 gradë të shtetit nga dita e lindjes së tij e deri në aktualitetet e tanishme kushtetuese.

– A është LSI-ja dhe Kryeparlamentari Ilir Meta një garanci se politikëbërja do të futet në shinat e bashkëpunimit dhe arritjes së konsensusit politik?

Vetë funksionimi i Parlamentit me një standard të ri të dukshëm që në fillimet e tij është një premisë, për të çuar drejt konsensuseve maxhorancë-opozitë, për çështje me rëndësi madhore për vendin dhe integrimi është qartësisht një çështje e tillë, pra, thënë thjesht, një klimë e tillë parlamentare e ndihmon integrimin në çdo hap të tij, sepse demonstron përpara Europës një pjekuri në rritje të klasës politikë shpresëdhënëse, edhe për zhvillimet e tjera politiko- ekonomike të vendit.

– Zoti Vasili, LSI-ja ka kërkuar që të bëhet ndryshimi i Kodit Zgjedhor?

– Ne kemi një Kod të miratuar me një konsensus tepër të gjerë, i cili u testua për herë të parë në 23 Qershor dhe besoj se zhvillimi i zgjedhjeve dhe administrimi i tyre treguan qartë se, kur ka vullnet politik të të gjitha palëve, gjërat funksionojnë. Sigurisht, ka vend për të përmirësuar vazhdimisht procesin e administrimit për ta shpejtuar e informatizuar atë por mendoj se për këtë ka mjaft zgjidhje dhe koha në dispozicion lejon për t’i eksploruar ato për përzgjedhur më të përshtatshmen dhe me të kolauduarën.

– Me 83 vota në Kuvend, kjo maxhorancë e re, a do të ketë justifikim, nëse nuk arrihet që të ndërtohet shteti i së Drejtës dhe të luftohet korrupsioni politik?

Maxhoranca e re do të ndërmarrë reforma të rëndësishme për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për luftën ndaj korrupsionit dhe kjo është bindja ime, sepse edhe program i qeverisë së re është tepër i qartë në këto çështje.

-Pas apelit të BE-së dhënë Edi Ramës për bashkëpunim me opozitën, a  do të ketë reflektim nga  politika?

Ky apel i BE-së është një apel i mirëpritur për LSI-në, që ka qenë një promotore e palodhur e bashkëpunimit të gjerë politik për çështjet e integrimit. Politika shqiptare dha një provë të rëndësishme kur në fundin e legjislaturës që shkoi me iniciativën e z.Meta miratoi tre ligjet që ishin edhe kusht për fitimin e statusit të vendit kandidat. Kjo tregon që ka mundësi dhe pjekuri politike në rritje për të çuar në këtë rrugë.

A mendoni se 23 Qershori është fillimi i fundit të periudhës së tranzicionit politik dhe normalizimi i proceseve demokratike edhe në Shqipëri?

Besoj shumë sepse votimi kaq i gjerë për një maxhorancë të re ishte me shumë mesazhe të rëndësishme si për fituesit ashtu edhe për ata që humbën zgjedhjet. Mbizotëroi bindja e elektoratit në tërësi që duhet të ecim më shpejt sepse ritmet monotone dhe stanjante asfiksojnë energjitë dhe gjenerojnë krizë,që arroganca dhe veshshurdhësia ndëshkohen si dhe fituesit duhet të dinë e të bëjnë të pamundurën për të dialoguar me opozitën si një faktor tepër i rëndësishëm në demokraci si dhe të qeverisin me ritme të larta dhe rezultate të prekshme për të kënaqur sa më parë pritshmëritë tepër të larta të shqiptarëve që njohin tashmë mirë demokracinë, jetesën me nivel më të lartë dhe refuzojnë të bashkëjetojnë me varfërinë ekstreme dhe papunësinë ndërkohë që resurset e vendit janë të tilla që mund t’u minimizojnë ato.

– Ju faleminderit!