Petrit Vasili: KQZ e inkriminuar voton kundër vetes

489
Sigal

Nga Petrit Vasili

KQZ e inkriminuar e rilindjes, që pranonte çregjistrimin në 6 maj 2017 për Kavajën, del kundër vetes dhe sot bën të kundërtën!?

Në KQZ-në e sotme, tashmë të inkriminuar totalisht e në shërbim të rilindjes, aktualisht refuzohen çrregjistrimet e kandidatëve për kryetar bashkie siç ishte rasti i Salvator Kaçajt në Lezhë dhe i Ylber Gjetës në Kamëz.
Ndërsa sot u refuzua edhe çrregjistrimi i partisë së unitetit kombëtar.
Një këta anëtarët e KQZ tha bile se:
” Procesi i fletëve të votimit ka përfunduar. Kërkesa për çrregjistrim bie ndesh me normativën kushtetues. Fleta e votimit tashmë është e printuar. Pritet të vijnë në Shqipëri duke qenë se është printuar jashtë vendi. Po të kthejmë fletën do linim pa u futur në zgjedhje dhe partitë e tjera që duan të futen në zgjedhje. Në kod zgjedhor nuk parashikohet mundësia për t’u tërhequr.”

Çudi e madhe çrregjistrimin e ndaloka kushtetuta ndërsa Kodi Zgjedhor nuk thotë gjë.
Kjo është komedi më vete…..

Por po e njëjta KQZ ka pranuar çregjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet për kryetar bashkie në Kavajë në 6 maj pikërisht një ditë përpara zgjedhjeve.

Lexoni më poshtë komunikatën e KQZ në atë kohë për zgjedhjet në Kavajë dhe do të kuptoni sa të pacipë janë këta anëtarë të KQZ dhe sa shëmtuar i shërbejnë rilindjes dhe Edi Ramës.

“DEKLARATË PËR SHTYP 07.05.2017

May 7, 2017 | Njoftime për shtyp

Deklaratë e KQZ-së për zgjedhjet në Kavajë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, menjëherë pas caktimit të datës së zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të Bashkisë së Kavajë, nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 10098, dt. 24.03.2017, u angazhua maksimalisht për të përmbushur me korrektësi të gjitha detyrimet ligjore brenda afatit të kohor të parashikuar nga ligji.
KQZ përgatiti të gjithë bazën materiale zgjedhore për funksionimin e Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor nr. 42 në Kavajë, për funksionimin e 85 Komisioneve të Qendrave të Votimit, dhomat e fshehta, kutitë e votimit, kodet me vula sigurie, mjetet e posaçme për zgjedhësit me aftësi të kufizuar, si edhe çdo material tjetër të nevojshëm për procesin e votimit.
U prodhuan me emrat e dy kandidatëve, 62.937 fletë votimi.
Gjatë kësaj periudhe u trajnuan të gjithë komisionerët e Qendrave të Votimit, përfshirë edhe shtetasit të cilët aplikuan dhe u miratuan nga KQZ, për t’u emëruar kryesisht nga KZAZ-ja si anëtarë të KQV-ve.
E gjithë baza materiale zgjedhore e sipërpërmendur u dërgua nga KQZ pranë KZAZ-së nr. 42, në Kavajë, ditën e enjte, datë 4 maj.
Sikundër dihet tashmë publikisht, ditën e shtunë, datë 6 Maj, dy kandidatët për kryetar të bashkisë së Kavajës paraqitën pranë KZAZ-së nr. 42, deklaratat e noterizuara për dorëheqjen e tyre nga kandidimi, me argumentin se dorëheqja e tyre do të ndihmonte për qetësimin e situatës politike dhe për të shmangur çdo dëmtim të mundshëm të qytetit të Kavajës dhe qytetarëve të tij.
KZAZ nr. 42, e cila në bazë të Kodit Zgjedhor administron procesin zgjedhor në Bashkinë e Kavajës, me vendimin nr. 177, datë 06.05.2017, pranoi kërkesat e kandidatëve për çregjistrimin e tyre dhe anulloi respektivisht vendimet nr.4 e nr.5 të datës 12.04.2017.
Komisioni i Administrimit të Zonës Zgjedhor nr. 42, në vijimesi ka informuar në rrugë zyrtare KQZ-në gjatë ditës së shtunë dhe të dielë, për:
– Mostërheqjen e bazës materiale zgjedhore nga asnjë Komision i Qendrave te Votimit në datën 6 maj, përmes njoftimeve të dërguara në orën 16.00 dhe orën 24.00.
– Moshapjen e Qendrave të Votimit në datën 7 maj, në orën 07.00.
– Mos hapjen e Qendrave të Votimit dhe mos fillimin e votimit në asnjë Qendër Votimi, njoftim i orës 13.00 në datën 7 maj.
Duke vlerësuar situatën faktike dhe ligjore të referuar më lart, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se në përfundim të afateve të përcaktuara në nenin 161 të Kodit Zgjedhor do të shprehet me vendim.
Ndërkohë, për të gjitha këto fakte, KQZ do të njoftojë zyrtarisht Presidentin e Republikës.”

Këto thoshtë deklarata e KQZ në atë kohë për Kavajën.

Mos harroni që dekreti i Presidentit Nishani për zgjedhjet në Kavajë doli vetëm pas 2 javësh mbas anullimit të tyre de facto nga KQZ dhe pikërisht në 21 maj.

E krahasoni vetë me çfarë bëjnë sot në KQZ e rilindjes dhe kuptoni se si po dhunojnë ligjin me urdhër të rilindjes.

E sigurtë është që këta kanë zgjedhur ta shkelin ligjin dhe të sakrifikohen dhe ndëshkohen për Edi Ramën.

Paçin fat në këtë rrugë të errët…..