Petrit Vasili: Ditë e rëndë për Shqipërinë. Rama nuk ka më alibi për dështimin e negociatave

552
Sigal

Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar sot për kritikat e disave vendeve të BE për Shqipërinë lidhur me negociatat. Në një reagim në Facebook, Vasili krahason Maqedoninë dhe Shqipërinë. Vendi fqinj edhe pse ka shumë më tepër probleme se Shqipëria mesa duket do të marrë çeljen e negociatave. Ndërsa Shqipëria për shkak të mos përmbushjes së reformave pritet të marrë negociata me kushtet.

Për këtë refuzim të BE, Vasili bënë përgjegjës Edi Ramën. Ai thotë se Edi Rama nuk ka asnjë alibi për dështimin. “Kjo është ditë shume e rendë për Shqipërinë. Maqedonia me hapjen e saj te negociatave për anëtarësim në BE është dëshmia më tronditëse se sa kriminale, malinje, regresive dhe grabitqare është qeverisja e këtij kryeministri. Asnjë alibi e asnjë lloji nuk e shpëton dot këtë kryeministër nga kjo damkë turpi që i vuri Shqipërisë ku përgjegjës është vetëm e vetëm ai”,- shprehet Petrit Vasili.

Deklarata e Petrit Vasilit:

“Hapja e negociatave për Maqedoninë, asgjëson çdo alibi të dështimit të Edi Ramës.

Europa është pozitive pa asnjë hezitim dhe skepticizëm për hapjen e negociatave me Maqedoninë. Megjithë problematikën shumë të komplikuar të Maqedonisë, qoftë në planin e brendshëm dhe të jashtëm, ku spikatnin problemet etnike dhe çështja e emrit, procesi i integrimit europian të saj ecën përpara dhe ajo e bind Europën.

Shqipëria pa asnjë nga këto probleme ka ngecur në vend. Ka ngecur se Kryeministri i saj si armik i egër i integrimit dhe i vendit të tij e molepsi vendin në çdo qelizë me trafiqe, krim të organizuar dhe korrupsion. E dërrmoi imazhin e vendit, e demoralizoi biznesin, i bëri shqiptarët të ikin me mijëra nga atdheu i tyre.

Maqedonia prej vitesh është ndër 10 vendet e para në botë si vend tërheqës për biznesin. Shqipëria është dhjetëra vende larg dhe korrupsioni e kriminalizimi i ekonomisë nga milionat drogës dhe krimit largojnë qindra miliona euro investime dhe varfërojnë frikshëm shqiptarët.

Kjo është ditë shume e rendë për Shqipërinë. Maqedonia me hapjen e saj te negociatave për anëtarësim në BE është dëshmia më tronditëse se sa kriminale, malinje, regresive dhe grabitqare është qeverisja e këtij kryeministri.

Asnjë alibi e asnjë lloji nuk e shpëton dot këtë kryeministër nga kjo damkë turpi që i vuri Shqipërisë ku përgjegjës është vetëm e vetëm ai”.