Petrit Vasili: Dekriminalizimi fillon nga vetvetja, të pastrohen politika nga personat që kanë rekorde

569
Jemi në fundin e e një diskutimi për një ligj, i cili është një përmbyllës e paketës sonë shumë të rëndësishme që fillon me ndarjen territoriale, e cila i jep fund të tërë asaj që quhej pjesa ligjore dhe na bën të gatshëm të futemi në këtë sfidë të re që është ajo e 21 qershorit, kur edhe pritshmëritë janë shumë të mëdha por edhe projekti i sfidës sonë vazhdon të jetë po kaq i madh sikurse në momentin kur u ndërmor kjo reformë historike. Sigurisht edhe sot, për fat të keq, ne nuk dëgjuam të diskutohej për këtë gjë. Për fat të keq edhe sot i gjithë fokusi dhe përqendrimi i opozitës ishte për t’i qëndruar larg kësaj problematike, për të mos folur për të, për të vazhduar bojkotin që kur i bë kjo reforma e madhe por edhe në këtë moment tjetër të ri, të ligjit për decentralizimit. Pra, në vend të asaj që të bëjmë një ligj të mirë, të përgatisim zgjedhje të rëndësishme dhe të ndërtojmë një pushtet vendor të ri ndryshe nga ai që kishim u zgjodh nga opozita që të mbetemi tek ai pushtet i vjetër i asfiksuar, jo funksionues, i bezdisshëm dhe zemërues për qytetarët. Sot përveçse për elementet e decentralizimit, elementeve që presin qytetarët që të ndodhin më 21 qershor, dëgjuam të njëjtën histori të dekriminalizimit, të njëjtën histori të luftës, të njëjtën histori të krijimit të kundërshtarëve armiq për vdekje. Logjika e diktaturës së proletariatit, e armiqve të klasës, nuk është shqitur dot, as nga diskurse dhe as nga mentaliteti i opozitës. 25 vitet e shkuara kanë kaluar si një çast në mendjen e saj dhe sahati ka mbetur pikërisht në viti ’90. Për ta Shqipëria nuk është Shqipëria e pluralizmit, por Shqipëria e partisë që prin, e partisë e cila bën prokurorin, e partisë e cila shpall armiqtë e klasës, e partisë që shpall internim-dëbimin, e partisë që jep dënime kolektive, që kriminalizon apo komunistifikon të tërë shoqërinë. Pra përfundimisht të një shoqëria e lënë mbrapa, të cilën e kemi refuzuar, e kemi dënuar, e kemi transformuar, me të cilën nuk duam të bashkëjetojmë më. Sigurisht që përqafimi i një flamuri të tillë, të dekriminalizimit, duke mos dhënë asnjë shembull të vetin. Duhet të fillojë nga vetja, sepse çdo qytetar besoj ndryshe e ku shembujt duhet t’i japi vetë opozita për problemet dhe hallet e mëdha që ka në kokë lidhur me këtë çështje. Ia kemi përsëritur dhe ia përsërisim prapë. Ka për të qenë edhe një nga kushtet e fortë që ne do të kemi për ecjen përpara të paketës për dekriminializimin. Problemi i personave të cilët kanë rekorde të pasqaruara dhe të pazgjidhura me drejtësinë shqiptare, në mënyrë të veçantë kur këto janë afera të jashtëzakonshme, si ajo që rëndon me kryetarin e opozitës, sigurisht që nuk mund të ketë dekriminalizim. Nuk do të kemi asnjë shqiptar të vetëm që të besoj se ne po bëjmë një proces të ashtuquajtur “pastrimi”. Kësaj sfide shumë të fortë, që është edhe parimore, opozita i ikën. Ka zgjedhur që të flasë dhe të rrëmbejë flamurin e krimeve dhe veprave imagjinare, të bëhet edhe zëdhënëse e tyre. Sigurisht që kjo është në të drejtën e saj, por kjo nuk është sfida jonë. Ajo ka zgjedhur që imagjinatën kriminale ta kthejë në realitet të jetës sonë, të bëjë që qytetarët e saj të jenë më të mirë kur ato janë në ankth, kur ata e shikojnë një shoqëri, e cila është e mbushur me vrasës dhe kriminelë, që nuk ekzistojnë por luftohen pa asnjë kompromis nga Policia e Shtetit, e cila është vënë në dispozicion e gjitha për këtë çështje duke sakrifikuar gjithçka nga vetja dhe në shërbim të një parametri ndershmërie maksimale, por të panjohur më parë i ka bërë shërbim edhe ngjarjeve të fundit, ku drejtuesi i përgjithshëm policisë në funksion të një transparence me qytetarët dha dorëheqjen ndërkohë që duhet të ishte një emër i fundit që duhet ta bënte këtë gjë për atë që bëri ai dhe ç’bëri policia e shtetit së bashku me ministrin e brendshëm për të çrrënjosur ato turpe të mëdha kombëtare që na shoqëruan për 25 vjet. Ky është standardi i ri dhe i moralit të shëndoshë. Standardi i moralit që “bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë” është një standard që është në krahun tjetër të politikës, por që ne nuk do ta bëjmë kurrë tonin. Do ta stigmatizojmë edhe me qëndrim politik, por pa hezituar edhe me votë. Votën e popullit do ta përdorim në funksion të këtij morali të ri. Nuk do të hezitojmë që dikush të thotë që për hir të disa konsensuseve apo mirëkuptimeve artificiale që mbajnë në këmbë morale të tilla, që janë morale të kalbura, le të vazhdojnë me ato kompromise që nuk prodhojnë asnjë produkt politik. Ndaj dhe vota, ndaj dhe aleanca e gjerë për Shqipërinë Evropiane tashmë edhe më gjerë se më parë dhe që shkon deri në kufijtë e mazhorancave kushtetuese, të cilat krijojnë hapësira për reforma të thella, do të na ndihmojnë pikërisht për ta bërë përfundimisht ndarjen me këtë moral të shantazhit të vjetër si i para viteve ’90, ku armiqtë e klasës dënoheshin nga morale popullore fiktive dhe ku vuajtjet ishin farefisnore e gjeneratash. Tashmë gara nuk është më me legjislacionin, gara është me qytetarët. Thellësia e kësaj fitoreje në mënyrë që sa më gjerë të jetë ajo, aq më e shpejtë do të jetë reforma aty, në mënyrë që kjo fitore t’i shëmbëllejë për dimensionin, për moralin dhe për vendosmërinë e mbështetjen e gjerë nga qytetarët në 21 qershor, si dhe me sfidën për të tejkaluar 23 qershorin e dy viteve më parë. 
Kërkesat e ndërkombëtarëve për kandidatët 
– Të mos ketë qenë anëtar i Byrosë Politike, sekretar i PPSH.
– Të mos ketë qenë sekretar i organizatës basë të PPSH, në ndërmarrje, të cilat kishin mbi 500 punëtorë.
– Problemi i personave, të cilët kanë rekorde të pasqaruara dhe të pazgjidhura me drejtësinë shqiptare, në mënyrë të veçantë, kur këto janë afera të jashtëzakonshme.
– Të mos ketë asnjë çështje hetimi, gjykimi, qoftë edhe të lënë pa u shqyrtuar, pëe shkak të kalimit të afateve procedurale.
Sigal