“Peshqit e mëdhenj janë politikanët dhe biznesmenët, erdhi koha të goditen”

372
Deklarata e ambasadorit amerikan Donald Lu, se në janar duhet të nisë goditja e peshqve të mëdhenj, solli reagime të shumta. Ja kush janë! 
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu e ka thënë troç edhe njëherë, që në fillim të vitit 2018 pret arrestimin e atyre që vazhdimisht i quan, “peshq të mëdhenj”.”Po flasim me vepra dhe jo me fjalë. Nga lufta kundër krimit të organizuar ne presim rezultate. Ne presim arrestimin dhe ndjekjen penale në fillim të vitit të ardhshëm dhe që ky sukses të vazhdojë në 2018. Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e presin këtë, populli shqiptar e meriton këtë”, tha Lu në një aktivitet në ministrinë e Brendshme.

Zyrtari i lartë amerikan nënvizoi se krimi në Shqipëri është kërcënim për sigurinë kombëtare. Deklarata e ambasadorit Lu solli reagime të shumta. Për gazetën “Telegraf” folën politikan dhe analist. Ata e konsideruan të domosdoshme nisjen e një “lufte” të ashpër kundër peshqve të mëdhenj, që sipas tyre kanë izoluar vendin dhe e kanë kthyer në një çerdhe të krimit. Ja çfarë thonë Petro Koçi, Gert Shella, Adriatik Alimadhi, Ilir Kaduku.
Kush janë “peshqit e mëdhenj” për të cilët flet Lu? Pse thotë të nis arrestimi i tyre në janar dhe jo tani? Pse nuk flasin me emra konkret kur ata deklarojnë se i dinë kush janë?
Petro Koçi, kryetar i PSV 91
Procesi po fillon tani. Logjika kërkon që duhet pak kohë në dispozicion që mekanizmat antikorrupsion të institucioneve të reja të japin rezultat. Janari 2018 apo Dhjetori 2017 nuk përbën diferencë. Peshqit e mëdhenj janë politikanë të mëdhenj apo biznesmenë të mëdhenj apo kapo bandash të trafiqeve apo pastrimit të parave.
Gerti Shella, drejto INFOCIP
Ambasadori amerikan Donald Lu ka dhënë sot një lajm të mirëpritur për shqiptarët. Koha që peshqit e medhënj të ballafaqohen me drejtësinë ka ardhur dhe ky pohim vjen nga përfaqësuesi diplomatik i SHBA në Tiranë. Ambasadori Lu është praktikisht faktori me ndikimin më të lartë ndaj qeverisë shqiptare dhe fjalët e tij janë për t’u marrë me shumë seriozisht. Ndërkombëtarët në përgjithësi janë faktori i vetëm i presionit ndaj qeverive në Shqipëri sa kohë që pranojmë se vetë shqiptarët nuk kanë një zë sot për sot, i cili t’i përfaqësojë ata apo që të ngrejë në mënyrë të besueshme shqetësimet e tyre.

Është e vështirë për t’i vënë një emër peshkut të madh që do të kapet në janar por intuita kolektive sot ka hamendësuar për ish -ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. Emri i tij u ngatërrua së fundmi edhe në rrjetën në të cilën ra Orest Sota, duke i rindezur sërish parashikimet se si po shkruhet fati i tij i mëtejshëm. Nëse peshku i madh do të ishte një ministër tjetër, atëherë mund të themi qysh sot se qeveria e z. Rama është në prag të rrëzimit, pasi dy “koincidenca” kaq fatkeqe në nivel ministror do ta shkatërronin përfundimisht reputacionin e saj. 

Ambasadori amerikan gjithsesi ka përmendur edhe emra konkretë të cilët, gjykuar nga funksionet e rëndësishme publike që kanë mbajtur, është e vështirë të relativizohen thjesht si peshq të vegjël. Nuk do habitesha që kryetarë të fuqishëm që drejtojnë dy bashki shumë të rëndësishme në vend të ishin ndër peshqit e mëdhenj për të cilët ambasadori ka folur sot. Teksa emrat mund vetëm të hamendësohen, një gjë është e sigurt: SHBA kanë nisur de-facto aktivizimin e procesit të dekriminalizimit të politikës së vendit, një funksion që duhet të realizonte në kushte ideale Reforma në Drejtësi, por që për shkak të politikës së hallvës që ka Shqipëria u shty për në kalendat greke. Shansi që ne vetë të vendosnin rregull në shtëpinë tonë tashmë ka rënë. Të tjerët sapo kanë hyrë për ta bërë këtë punë, dhe nuk duhet të habitemi që tava e peshkut të madh të gatuhet tashmë sipas mënyrës së tyre.
Adriatik Alimadhi, Kreu i Partisë Balli Kombëtar
Së pari, mendoj se ambasadori Lu dhe të gjithë ata diplomat të vendeve perëndimore dhe demokratike që i kanë dashur të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve duhet të flasin dhe të flasin me emra konkret, sepse ka ardhur koha që shqiptarët duhet të shpëtojnë një herë e mirë nga ky kancer që ka kapur këtë sistem për gati 27 vjet, duhet të flasin edhe në kohën e duhu. Ambasadori i ka ditur këta emra duhet të fliste para zgjedhjeve, që fjalët e tyre të vërteta të kenë ndikim në momentet kur zhvillohen zgjedhjet. 

Unë mendoj se peshqit e mëdhenj pak a shumë ambasadori i përmendi, mendoj se do të jenë ata që i varfëruan, i lodhën, i vodhën votat duke i detyruar me dhunë shqiptarët të votonin për kriminelët. 

Emrat që përmendi ambasadori janë të gjithë ish -drejtues të partisë socialiste në nivel vendor apo legjislativ, të gjithë këta emra i ka mbështetur dhe i solli në politik Edi Rama, sipas këtyre lidhjeve kuptohet që njëri peshk i madh është kryeministri i cili ka udhëhequr këtë bandë që po shkatërron çdo vlerë njerëzore dhe kombëtare në Shqipëri. Mirë do ishte që këta peshqit e mëdhenj shqiptarët t’i shikonin të arrestuar para vitit 2017, që vitin e ri ta shijonin sa më shumë.
Ilir Kaduku, Pedagog në Fakultetin Ekonomik
Në deklaratën e tij të vonuar Ambasadori Lu theksoi se “ShBA presin që të luftohet kundër krimit të organizuar, pavarësisht lidhjeve me politikanë të fuqishëm. Asnjë nuk është i paprekshëm. Në gjuhën shqipe thuhet “peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri të hamë “peshkun e madh”. Presim që në fillim të 2018 të arrestohen “peshqit e mëdhenj”. Personalisht mendoj se kjo deklaratë nuk është shashkë dhe nuk është hedhur për konsum personal. Deklarata përbën qëndrimin zyrtar të SHBA, shtetit ikonë të demokracisë. Pyetja shtrohet se për cilët “peshq të mëdhenj” bëhet fjalë? Mendoj se fjala është për politikanë të të gjithë krahëve të politikës shqiptare. Klasa politike shqiptare është tallur haptazi dhe brutalisht me mbështetjen amerikane në 27 vite tranzicion. Mbështetja amerikane është shfrytëzuar pa përjashtim nga e gjithë klasa politike (të djathtë e të majtë) për përfitime personale me anë të rrugëve nga më të ndryshme , kryesisht nëpërmjet korrupsionit galopant, krimit, babëzisë dhe prostitucionit politik. Aktualisht përfundimi është tepër i dhimbshëm : politika në Shqipëri krijoj narko-shtetin. Politikanët shqiptarë kanë harruar se edhe amerikanët e kanë të shenjtë proverbin: “durimi ka një kufi”. Mesa duket kufiri është tejkaluar dhe tani klasa politike do të marrë shpërblimin e duhur. Personalisht jam më entuziast se kurrë që aksioma e madhe: “drejtësia vonon por nuk harron” do të realizohet shumë shpejt. “Dreka falas” amerikane është gati dhe politikanëve shqiptarë të tranzicionit do i zërë fytin! Uroj që Ambasadori Lu të ketë kuptuar më në fund se e keqja jonë nuk janë vetëm “peshqit”, por dhe ky moçal i madh që quhet Shqipëri i mbushur plot me “ngjala” që lëvizin lirshëm nëpër skutat më të virgjëra të realitetit tonë. Pyetja e dytë që shtrohet : Pse pikërisht në janar? Mendoj se kjo ka lidhje me vënien në eficencë të plotë të SPAK dhe BKH. Gjithashtu është e lidhur ngushtë me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës. Është detyra jonë që të kuptojmë që të gjithë duam drejtësi, mirëqenie dhe prosperitet. Duhet të pozicionohemi përtej naivitetit dhe të mos mendojmë se këto të mira që na ofrojnë ndërkombëtarët do të na bien nga qielli apo do të jenë dhuratë nga Zoti! Duhet të kuptojmë më së fundi se është klasa politike shqiptare ajo që për 27 vite na i ka mohuar këto të drejta themelore dhe duhet të reagojmë. Populli shqiptar duhet të reagojë në mënyrë urgjente në lidhje me krizën e thellë morale që mban siglën e klasës politike. Jemi duke rrëshqitur drejt një diktature moderne. Ja vlen të kujtoj aksiomën e babait të revolucionit francez, të madhit Viktor Hygo : “Kur diktatura thërret, revolucioni është detyrë”!Nëse nuk ndërmerret një vendim i tillë atëherë ne skllevërve të lirisë, nuk na mbetet gjë tjetër por të çohemi të shporrim këtë klasë politike! Në mënyrë të vetëdijshme është kuptuar më së fundi se dalja nga kjo situatë katastrofike nuk vjen me nga lufta parlamentare (e cila është false dhe e kompromentuar), por shqiptarët duhet ta kuptojnë se shpëtimi i vendit dhe instalimi i demokracisë reale vjen nga një revolucion i vërtetë demokratik i cili ka si qëllim kryesor : një luftë frontale kundër sistemit antidemokratik të binomit Rama – Basha! Duhet kuptuar se është më humane dhe fisnike të ngrihemi kundër kastës politike aktuale sesa të durojmë denigrimin që na bëjnë këta politikanë, këta hiena që janë dhjamosur me gjakun tonë dhe na kanë kthyer në skllevër, në njerëz pa dinjitet! Ju siguroj se nuk janë aq trima sa duken! Pushtetin e tyre “guinplenat” e kohërave moderne e kanë të bazuar në intriga, presion ekonomik dhe shantazhe kriminale. Nëse çohemi të bashkuar, ata nuk mund të vrasin një popull të tërë që aspiron për demokraci, prosperitet dhe për të ardhmen e fëmijëve!