“Peshqit e mëdhenj” çanë rrjetën e Drejtësisë dhe shëtitin bulevardit të Tiranës

665
Sigal

Petraq BARJAMI

“Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk ka përgjegjësi morale”, edhe pse i vëllai vuan dënimin me burg në Itali

Sado paradoks të duket, është realitet. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë ka vëllanë në burgun e Italisë, ku vuan dënimin si pjesëtar i organizatave kriminale në trafikimin ndërkombëtar të drogës, ndërkohë, që Shqipëria pretendon se ka bërë të gjitha detyrat dhe detyrimet e integrimit, që BE-ja ta hapë negociatat për anëtarësim të plotë. Imagjinoni, që Shqipëria të pretendojë të bëhet anëtare e BE-së me ministër të Brendshëm, vëllai i të cilit është dënuar nga gjykatat me vendim të formës së prerë, si anëtar i organizatave kriminale? Është tallje me pretendimin se në Shqipëri zbatohet Reforma në Drejtësi dhe të pretendosh, që prokuroria të hetojë akuzat penale e pavarur, e pandikuar politikisht vëllanë e ministrit të Brendshëm, për pjesëmarrje dhe aktivitet kriminal. Ndërkohë, që kryeministri Rama deklaron se, pavarësisht nga çdo akuzë penale ndaj të vëllait, ministri Brendshëm nuk ka asnjë përgjegjësi morale. Ca më pak, nuk ka asnjë përgjegjësi politike.

“Peshqit e mëdhenj” të krimit punojnë në zyrat e qeverisë

Qytetarë kuksianë, që guxuan dhe protestuan ndaj një vendimmarrjeje të gabuar të qeverisë, (kryeministri Rama kërkoi falje publike) janë ende në burg, ndonëse janë të papunë, të parrezikshëm as të prishin provat dhe as të arratisen jashtë vendit. Ndërkohë, që ish-ministri i Brendshëm, i cili akuzohet për bashkëpunim me botën e krimit, me vendim te gjykatës së Apelit, është në gjykim të lirë. Drejtësi me 2 standarde. Qytetarët në burg, pse guxuan të protestojnë ndaj vendimmarrjeve të gabuara të qeverisë, ministri dhe ish-ministri “të pafajshëm” që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi morale edhe për akuza të bashkëpunimit me botën e krimit. 

FRPD dhe LRI me fotot e peshqve të mëdhenj dhe një gomone me drogë përballë ministrisë së Brendshme

Dje, protestat vazhduan. Kësaj here ishin të rinjtë opozitarë. Protestave të rinisë opozitare nuk i kanë munguar asnjëherë instalacionet dhe simbolet. Të rinjtë e FRPD-së dhe LRI-së që po protestojnë në këto momente përpara Ministrisë së Brendshme kanë çuar atje një gomone sipër të cilës kanë vendosur disa thasë të zinj, duke simbolizuar kështu trafikun e drogës nëpërmjet detit. Demokratët akuzojnë vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj se po bashkëpunonte me një trafikant që ky i fundit të çonte me gomone drejt Italisë 100 kg hashash, akuza të cilat i bazuan në një audio-përgjim të gazetarit Jetmir Olldashi, të publikuar pak kohë më parë nga Partia Demokratike, ku sipas tyre, Agroni komunikonte me trafikantin Albert Veliu. Ky i fundit dëshmoi vetë më pas dhe tha se kishte pasur lidhje me të edhe në të kaluarën. Nisur nga kjo, ata kërkojnë që ministri Xhafaj të japë dorëheqjen. Por jo vetëm kaq. Referuar deklaratave të ambasadorit amerikan në vendin tonë, Donald Lu i cili ka bërë disa herë thirrje për arrestimin e të ashtuquajturve “peshqit e mëdhenj”, të rinjtë opozitarë mendojnë që i kanë gjetur. Në disa foto me bisht peshku, ata kanë vendosur simbolikisht fytyrat e kryeministrit Edi Rama, ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. 

Deputetja Floida Kërpaçi para zyrës së Xhafës: Nuk mund të qëndrojmë më të heshtur

Deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi në protestën e forumeve rinore LRI-FRPD përpara Ministrisë së Brendshme bëri thirrje për bashkimin e të gjithë të rinjve për të rrëzuar qeverinë. “Sot ne të rinjtë shqiptarë por edhe e gjithë e ardhmja e rinisë shqiptare ka përballë një kryeministër dhe një ministër që drejton një ministri me famë botërore për kapjen nga bandat dhe krimi. Sot unë si e re por besoj edhe të gjithë ne të rinjtë, që jemi këtu, refuzojmë këtë qeveri, që drejtohet nga krimi dhe droga dhe nuk drejtohet nga idealizmi për një Shqipëri më të mirë. T’i themi Edi Ramës të largohet dhe të mos kthehet më. Nuk mundet kurrsesi Edi Rama dhe asnjë tjetër t’i vendosë kufij të rinjve shqiptarë dhe të ardhmes shqiptare. Do të jemi ne që kemi filluar këtë aksion dhe do të vazhdojmë dhe në ditët në vazhdim derisa kjo qeveri të largohet. Një ministri, që është ministria më e rëndësishme, drejtohet nga krimi dhe banda. Atëherë, si do të presim ne, që të integrohemi, si do të presim ne që të rinjtë shqiptarë të kenë të njëjtat aspirata si të rinjtë në vendet e Evropës”. 

Opozita kërkon dorëheqjen e ministrit Xhafaj edhe në komisionet parlamentare

Normalitet parlamentar nuk mund të ketë, as në komisionet parlamentare, sa kohë Fatmir Xhafaj, do të qëndrojë akoma në në postin e ministrit të Brendshëm, dhe, paralelisht, prokuroria të hetojë akuzat ndaj vëllait të tij, Agron Xhafaj, pasi opozita kërkon me këmbëngulje vetëm dorëheqjen e ministrit Xhafaj. Dje Komisioni i Ekonomisë është shoqëruar me debate, ku opozita ka protestuar duke kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. “Nuk ka në PS, nuk ka në Rilindje, njerëz të tjerë që mund të marrin përgjegjëisinë e Ministrisë së Brendshme?! Sigurisht që ka, por është kryeministri që merr këta njerëz që të shpëtojë veten e tij, sepse të gjitha indiciet që dalin dhe në media tregojnë se edhe ai me vëllanë e tij janë të lidhur me rastin e Xibrakës.”, tha nënkryetari i PD-së Edmond Spaho. Po ashtu, Spaho ka përmendur edhe rastin e lirimit të ish-ministrit tjetër të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili akuzohet për bashkëpunim me grupin e Habilajve në trafikun e lëndëve narkotike.