Peshëngritja,Vasili: Programe për të mbështetur kampionet

507
Sigal

“Daniel Godelli dhe Romela Begaj kanë bërë krenarë shtetin shqiptar”. Kështu deklaroi nga kryesia e Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.  Duke u shprehur krenar për ata që i bënë Shqipërisë dy kampionët e botës, falë edhe një programi të financuara nga qeveria, Vasili kërkoi që qeveria të ndërtojë programe të tjera për të mbështetur sportistët premtues. Sipas tij ky sukses nuk është rastësi sepse për këtë arritje po punohet prej muajsh dhe fal një programi të financuara nga qeveria me një vendim të posaçëm.

Deklarata e plotë e Petrit Vasilit

Peshëngritësit shqiptarë, të cilët u zotuan për të pasur rezultate të larta, treguan qartë që e mbajtën fjalën dhe i sollën këto medalje të arta dhe e ngritën shumë lart emrin e Shqipërisë.

Jemi në këtë komunikim së bashku, sigurisht në vijim të një ngjarje shumë të veçantë dhe të rëndësishme, siç ka qenë ajo që lidhet me rezultatet më të fundit të nivelit botëror të arritur nga sportistët tanë në Kazakistan. Ne sigurisht i urojmë nga zemra kampionët e botës së Shqipërisë tashmë, Federatën e Peshëngritjes dhe të gjithë botën e sportit për këtë ngjarje. Më në fund, falë Daniel Godellit dhe Romela Begajt, Shqipëria ka kampionët e saj të botës në peshëngritje, kampionë të cilët ngritën flamurin e Shqipërisë dhe bëhen ambasadorë dinjitozë të një realiteti shumë vital, siç është Shqipëria.

Natyrshëm, ky sukses nuk është rastësi sepse ngjitja në majat e sportit botëror nuk mund të jetë në asnjë rast një projekt i rastësishëm apo një projekt spontan. Për këtë arritje të jashtëzakonshme po punohet prej muajsh falë një programi paraprak stërvitur financuar nga Qeveria me një vendim të posaçëm të saj dhe me një fond të veçantë të akorduar nga ajo.

Peshëngritësit shqiptarë, të cilët u zotuan për të pasur rezultate të larta, treguan qartë që e mbajtën fjalën dhe i sollën këto medalje të arta dhe e ngritën shumë lart emrin e Shqipërisë. Rinia shqiptare ka tashmë shembujt e saj, ka njëkohësisht edhe idhujt e saj të shëndetshëm. Është provë e qartë se nuk ka sfidë të ndaluar dhe të pamundur, por se ka organizim serioz, mbështetje financiare dhe përgatitje profesionale të cilat janë dhe shtyllat që ndërtojnë suksese të paimagjinuara kurrë më parë.

Kemi tashmë falë kësaj sipërmarrje sportive të niveleve më të larta botërore, modelin e suksesit dhe ky model më së fundmi duhet të kthehet në një normalitet sportiv, por në një normalitet të ri të funksionimit dhe të menaxhimit të sportit. Duhet në mënyrë përfundimtare, nisur nga ky model që funksionoi, që Qeveria shqiptare në bashkëpunim me federatat të cilat kanë sportistë të suksesshëm dhe premtues, të hartojë dhe të ndërtojë një program të ri mbështetjeje të ngjashëm, por dhe akoma më të pasuruar se sa ky model suksesi që u koalidua si i tillë, në mënyrë që edhe në të ardhmen të vazhdojmë të kemi kampionë bote dhe kampionë olimpik, jo thjesht dhe vetëm si arritje të majave të sukseseve të sportit botëror, por dhe demostrimin që në Shqipëri ka një rini me vitalitet, një rini inteligjente, një rini që nuk i trembet sfidave dhe e cila ka nevojë të jashtëzakonshme për një mbështetje të fortë dhe serioze.

Modeli përkatës, pra i bashkëpunimit Federatë-Qeveri për sportistët e talentuar e provoi veten që ishte kyçi i suksesit. Nuk mbetet më asgjë tjetër për të provuar, por vazhdimi në këtë rrugë dhe hartimi i programeve të reja dhe pse jo, ky moment i hartimit të buxhetit të ri, duhet të shënonte edhe risitë e tij bazuar në këto rezultate dhe në këtë model të koaliduar.