Pesë ish- kryekomunarët, grabitën 11 milion euro në 8 vjet

479
Sigal

Thirren në Prokurori ish-kryekomunarët në cilësinë e të akuzuarve për “shpërdorim detyre dhe abuzime me ligjet e shtetit”

Prokuroria e Elbasanit, ka thirrur këto ditë në cilësinë e të akuzuarit për “shpërdorim detyre dhe abuzime me ligjet e shtetit” pesë ish-kryekomunarët e qarkut të Elbasanit, ish-funksionarë dhe ish-anëtarë të këshillave të komunave. Burime nga organi i akuzës thanë për “Telegraf” , se “bëhet fjalë për ish-drejtues komunash në periudhën 2009 deri 2013, thirrja e tyre pranë organit të akuzës do të bëhet, pasi janë shqyrtuar për gati 2 muaj dokumentet dhe dosja denoncuese e cila ka ardhur nga KLSH, fillimisht janë thirrur pesë ish-funksionarët e parë që kanë dhënë shpjegimet e tyre lidhur me akuzat e ngritura, deri tani vërehen në masë shpërdorime të detyrës lidhur me lejet e ndërtimit, apo tjetërsimin e pronave të bashkisë me vendime absurde të ish-zyrave urbanistike në ish-komuna, ndërkohë që vlera e abuzimit edhe me fondet arrin në afro 11 milion euro”. I njëjti burim deklaroi se, “nuk do të jetë e papritur që shumica e emrave në një listë të gjatë me rreth 25 të tillë, të merren edhe në cilësinë e të pandehurit brenda 30 ditësh, dhe dosja e tyre duhet të shkojë në gjykatë”. Në dosjet e dorëzuara 2 muaj më parë nga një vendim i Këshillit Bashkiak, ngrihen akuza të hapura ndaj shumicës së ish- kryekomunarëve, zyrave të urbanistikës këshilltarëve , ku spikatin emra të njohur drejtuesish dhe të kryesisë së degëve lokale të PS dhe PD në Elbasan, Belsh, Gramsh apo dhe Librazhd. Pas datës 16 Janar 2017, shkallët e Prokurorisë do ti ngjitin emrat e tjerë të cilët për arsye hetimi po mbahen sekret nga organi akuzës, por pritet të thirren të tjerë ish-këshilltarë dhe zyrtarë të akuzuar për firmat e hedhura në leje ndërtimi apo shkelje të barazisë me tenderët. Dhënia e lejeve të ndërtimit pa zbatuar kriteret ligjore , si dhe pazaret me strukturat e tjera si Komisioni Kthimit Pronave , Entit të Banesave, dhe Hipoteka, duke dëmtuar projektet e zhvillimit të zonave dhe turizmit, janë në qendër të akuzave të cilat tashmë i ka kopsitur organi akuzës për listën e gjatë të ish-këshilltarëve dhe ish-kryekomunarëve. Shumë shpejt Prokuroria pritet të dalë me një komunikim zyrtar për mediat duke sqaruar edhe ecurinë e hetimeve për dosjen e akuzave ndaj ish-kryekomunarëve. Burime tepër të sigurta thanë se “tre prej ish-kryekomunarëve të akuzuar kanë pasuri marramendëse , troje, vila, lokale, makina të shtrenjta e cila varion nga 1.5 deri 2 milion euro, ndaj po punohet edhe me strukturat e tjera shtetërore, për të verifikuar në detaje vendndodhjen e tyre dhe për të zbuluar emrat e bankave ku kanë depozituar paratë e vjedhura”.