Përzgjidhen 3 kandidaturat e Shoqërisë Civile për anëtarë të KLP (Emrat)

483
Merr fund bllokimi që ishte krijuar për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Më në fund janë përzgjedhur 3 kandidatët e shoqërisë civile për këtë institucion, duke i dhënë fund ngërçit i cili u reflektua edhe në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit. Këtë të premte Komisioni i Shoqërisë Civile pranë Avokatit te Popullit zhvilloi seancën dëgjimore dhe shqyrtoi kandidaturat e shoqërisë civile për anëtarë të KLP.
Pas verifikimit të dokumentacionit të secilit kandidat, u konstatua se ata që plotësojnë kriteret janë juristët Andi Muratej, Entela Hoxhaj dhe Alfred Balla. Moszgjedhja e anëtarit të shoqërisë civile kishte marrë peng deri më tani ngritjen e KLP, një institucion shumë i rëndësishëm i Prokurorisë dhe për rrjedhojë futi në ngërç procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri.
Ndërkaq edhe pse krijimi i KLP u fut tashmë në rrugë, maxhoranca ka filluar procedurën e zgjedhjes së Kryeprokurorit përmes Kuvendit, i cili do të mblidhet të hënën për të votuar 3 emrat që kaluan në filtrin e komisionit të ligjeve, prokurorët Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani. Komisioni i ligjeve përjashtoi nga gara Besnik Muçin, Artur Selmanin, Arqile Koçan dhe Granit Shahun.
Sigal